Berisha akuzon Ramën për “mashtrim publik”: “Venecia nuk ka thënë kurrë që ministrat s’pezullohen nga gjykata”
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj deklarimeve të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar shefin e qeverisë për “mashtrim publik” dhe tentativë për të vendosur ekzekutivin mbi ligjin.
Duke iu referuar pretendimit të Ramës se Komisioni i Venecias dhe Gjykata e Strasburgut (GjEDNJ) qenkëshin kundër pezullimit të ministrave nga ana e gjykatave, Berisha deklaroi se një gjë e tillë nuk gjen asnjë mbështetje në dokumentet zyrtare të Venecias.
“Venecia nuk ka asnjë gjykim për ndonjë ministër. Nuk ka ministër dhe aq më pak të pafytyrë që pasi të kapet duke vjedhur, të shkojë te Venecia për t’u mbrojtur”, – u shpreh Berisha.
Sipas tij, qëndrimi i Ramës përbën një përpjekje për t’i bërë qytetarët të besojnë se ekzekutivi është një strukturë e paprekshme nga ligji, duke sulmuar drejtpërdrejt parimin themelor të ndarjes së pushteteve.
Berisha akuzoi Ramën se po shpik “rrëfenja politike” për të justifikuar mbrojtjen e anëtarëve të kabinetit të tij të hetuar nga SPAK.
“Ideja që një ministër nuk mund të pezullohet nga gjykata është një mashtrim për të çorientuar publikun. Qenka mbi ligjin! Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që për ekzekutivin nuk ekziston ligji”, – tha ai, duke i cilësuar deklarimet e kryeministrit si “psikike” dhe me frymë “ekstremiste të majtë”.
Çfarë tha Rama?
Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij “Flasim”, përsëriti dy ditë më parë se sipas “standardeve ndërkombëtare”, pezullimi i një ministri nga gjykata cenon ekuilibrat mes pushteteve dhe mund të shndërrohet në praktikë të rrezikshme ku drejtësia “ndërhyn në vullnetin politik”.
Rama deklaroi se “Venecia dhe Strasburgu janë kundër pezullimit të ministrave nga gjykatat”, ndërsa vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut e quajti një veprim që “prekte paprekshmërinë e ekzekutivit”.
Polemika mbi interpretimin e Venecias
Debati u nxit nga vendimi i GJKKO për pezullimin e Ballukut gjatë hetimit të SPAK për çështjen e sterilizimit dhe procedurat e tjera në Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas juristëve, Komisioni i Venecias nuk ka një qëndrim të posaçëm mbi pezullimin e ministrave, por ka interpretime të përgjithshme mbi balancën e pushteteve dhe masat e përkohshme ndaj funksionarëve publikë. Interpretimi i Ramës është cilësuar politikisht i njëanshëm nga opozita.
Përplasja pritet të thellohet, pasi pezullimi i Ballukut përbën rastin e parë në Shqipëri kur një ministër largohet nga detyra me masë sigurie të dhënë nga GJKKO.
KOHA JONË SONDAZH

