Berisha: Çfarë u solli shqiptarëve Edi Rama në 25 vite?
Sali Berisha vazhdon ritualin e tij çdo darkë te dritarja e shtëpisë së tij. Nga ajo dritare të ciln ai e quan e “shpresës” sulmon kryeministrin Rama.
Ja se çfarë tha Berisha ndërkohë që sapo e dëgjoi Rama, iku me “vrap” nga frika e Saliut.
Nga Sali Berisha
-Çfarë u solli shqiptarëve Edi Rama në 25 vite?
Në 25 vite si kryetar bashkie u bë i famshëm në Shqipëri, Europë dhe botë si zotëria 20-përqindësh. Në 25 vite si kryetar bashkie, Edi Rama u bë i famshëm për 200 milionë euro të vendosura në llogaritë offshore sipas raportit të OSBE-së. Në 25 vite të pushtetit të tij, Edi Rama u bë famëzi për lidhjet e tij të tmerrshme me krimin.
A nuk është ky që kanabizoi, drogëzoi vendin dhe u bë promovues kryesor i drogës dhe krimit në Shqipëri?
Miqtë e mi!
Droga është një helm i tmerrshëm jo vetëm për shëndetin e njeriut, por është një helm i tmerrshëm për qytetarët, për shoqërinë.
Do ju jap vetëm dy shembuj për pasojat e tmerrshme të drogës së Edi Ramës.
Dje u njoftua se eksportet nga Shqipëria në muajin shkurt ishin 16 përqind më pak se sa një muaj më parë.
A e dini se çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se sektori numër 1 i punësimit në Shqipëri, që janë eksportet, detyrohet të shkurtojë 16 përqind të të punësuarve. 16 përqind vende pune më pak.
Po pse kjo? Droga, droga dhe vetëm droga. Sepse droga zëvendësoi në këtë vend euron me narkoeuron. Sepse droga rrëzoi monedhën europiane. Sepse droga e uli në nivele katastrofale shkëmbimin e euros me lekun dhe bëri që sipërmarrjet e eksportit të falimentojnë njëra pas tjetrës, të largohen nga Shqipëria.
Dhe kjo vetëm e vetëm se narkoeurot vranë me kursin e këmbimit me lekun, sipërmarrjet e tyre. Po droga, një efekt tjetër të tmerrshëm. Hidhni sytë te kulla, monumente të drogës dhe korrupsionit.
A e dini miq se në Tiranë janë çmimet më të larta të apartamenteve në Europë pas Mynihut dhe Parisit?
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se asnjë i ri shqiptar nuk mund të ndërtojë, sado i aftë të jetë, ëndrrën e tij, folenë e tij në Tiranë. I duhet të punojë, 60-80 gjer 100 vite për të blerë një apartament sepse droga dhe narkoeurot i mbajnë çmimet në stratosferë.
Këto janë rezultatet që prekin pra vendin e punës. Prekin të ardhmen e çdo qytetari shqiptar.
Po si qendrojnë investimet, të cilat janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë, janë jetike për punësimin e shqiptarëve, janë jetike për begatimin e shqiptarëve?
Nga vendi i 41-të që e lamë Shqipërinë për treguesin e investimeve, sot ai ka zbritur me 30 vende më poshtë. Dhe vetëm nga viti i kaluar ka zbritur me 6 vende.
Unë dua t’i pyes sot qytetarët shqiptarë: ky pushtetar, në 25 vite, cilin investim të huaj ka sjellë? Cilën vepër numëron për Shqipërinë?
Deklaronte para pak ditësh, se vetëm këto 6 vitet e fundit, kanë nisur investime. Kërkon të mashtrojë shqiptarët.
Por nga viti 2008 gjer në vitin 2013, çdo vit Shqipëria mori nga 1.1 në 1.45 miliardë euro investime. Por ato nuk fshihen, aty janë. Ato kontrata vazhduan edhe gjatë këtyre viteve. Ja ku është TAP-i, investimi i shekullit, privat.
Ja ku është Kaskada e Devollit, investimi më i madh energjetik në Shqipëri. Ja ku është Kaskada e Fanit dhe dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale që prodhojnë sot 59 përqind të të gjithë energjisë së vendit.
Ku janë investimet e Edi Ramës? Janë largime të investimeve nga Edi Rama sepse i vjedh, sepse i gjobit, sepse nuk ka vend për to.
Miqtë e mi!
Këto ditë Brukseli, samiti i udhëheqësve europianë njoftoi se Bosnja Herzegovina hapën negociatat me BE. Po Shqipëria që nga viti 2013 që ka marrë statusin e kandidatit dhe akoma nuk hap negociatat, dhe Edi Rama mban peng procesin e negociatave, sepse ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij të zeza. Sepse nuk bën zgjedhje të lira. Sepse bën gjithçka për jnë Shqipëri pa opozitë, për një Shqipëri si të etërve të tij. Sepse beson dhe mendon se duke korruptuar Mc Gonigalër, diplomatë, etj do mund të çelnikosë karrigen e tij.
Sepse duke korruptuar Dumanër, Kraja, mercenarë të tjerë, alro të tjerë në sistemin e drejtësisë, parzmore e krimeve të tij do mund të shtypë shqiptarët.
Të dashur miq!
U ndala sot në disa shifra, në disa të dhëna të cilat në pamje të parë qytetarëve mund t’iu duken të largëta nga interesat e tyre, por të cilat prekin në palcë ekonominë e tyre, punësimin e tyre, të drejtat e tyre, punësimin e tyre, shpresën e tyre, të ardhmen e tyre.
Ndaj edhe ftesa ime është, demokrate e demokratë nëkëmbë të gjithë në betejë pa kthim për mosbindje civile. Mosbindje civile deri në përmbysjen e regjimit të Edi Ramës, aleancës të zezë të pushtetit me krimin, vjedhjen e shqiptarëve dhe drogën dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira në të cilat Shqipëria do të shpëtojë, do të fitojë.
Sado të rënda që duken këto zhvillime, ju garantoj se mundësitë e ndryshimit, e ndryshimit të shpejtë, janë 100 përqind të sigurta.
Në një kohë kur shkatërrohen dhjetëra mijëra vende pune, Edi Rama përdor buxhetin për të shndërruar në pasuri të tij përrallore portin e Durrësit.
Dhe nuk e përdor atë për fondin e eksporteve, për të shpëtuar dhjetëra mijëra vende pune.
Për të ndihmuar dhjetëra mijëra rrogëtarë.
Për të ndihmuar gjithë ekonominë.
Unë ju dhashë një shembull, por për çdo problem ne kemi zgjidhje, kemi zgjidhje të shpejtë, të sigurt.
Ne do kthejmë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, në rrugën e lirisë, në rrugën e begatimit.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!