Berisha: Faktori ekonomik riktheu Trump në Shtëpinë e Bardhë, edhe ne do rrisim ekonominë

Berisha premton se do të rrisë ekonominë, mirëqënien, etj. Por premtime bën çdo parti që synon pushtetin. Problemi shtrohet se ku do të gjenden gjithë dhjetra miliardë lekë. E megjithatë Berisha tha sot se “Rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë përbën rikthimin më të madh, më të rëndësishëm me votën e lirë në të gjitha kohërat.

Natyrisht kjo është për qytetarët e SHBA, por edhe për aq sa ky vend i madh ndikon në vendet e lira në botë.

E vërteta është se për ne shqiptarët, përveç kombeve që përjetojnë lufton, agresionin rus siç është Ukraina, kjo fitore ka një rëndësi më të jashtëzakonshme se kudo tjetër, pasi Shqipëria u shndërrua si asnjë vend tjetër në eksperimentin tragjik të doktrinës së Xhorxh Sorosit.

Në Shqipëri, njëlloj edhe ndonjëherë më fort, apo pas SHBA, drejtësia në ndërhyrjen direkt të kësaj monstre të njerëzimit, u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit.

Në Shqipëri, me mbështetjen direkte të përfaqësuesve, të atyre që duhet të përfaqësonin kombin amerikan, por në të vërtetë përfaqësonin më shumë Xhorxh Sorosin, u instalua narkoshteti dhe u vendos persekutimi i hapur i opozitës.

U krye grushti i shtetit ndaj opozitës shqiptare dhe këtu më lejoni të bëj një sqarim, kur themi grushti i shtetit ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë ç’është e vërteta, askush nuk duhet të harrojë se çdo vend ka sovranitetin e tij të jashtëm që lidhet me respektimin e integritetit territorial, por ka sovranitetin e brendshëm që lidhet me pushtetin e qytetarëve.

Dhe kur një vendi i sulmohet për të shkatërruar opozitën dhe për të kaluar të gjithë pushtetin në duart e Edi Ramës, kjo përbënte një grusht shteti ndaj këtij vendi nga një vend mik, aleat, udhëheqës i NATO-s.

Përveç këtyre jemi dëshmitarë të vërshimit të kulturës marksiste leniniste ‘ëoke’, e cila nuk është tjetër veçse zgjim i demonëve të projekt-kultit të revolucionit bolshevik.

Në këtë doktrinë u sulmua si kurrë më parë jo vetëm identiteti psikologjik i njeriut, por edhe identiteti biologjik i tij, ashtu siç përshkruhej komunizmi një rend pa kufi, pa familje, pa gjini.

Por këto të gjitha morën një përgjigje shkatërrimtare nga fitorja e presidentit Trump, fitore e cila sigurisht vuri gishtin tek autori më kryesor i kësaj doktrine, që ishte Xhorxh Sorosi.

Ndaj dhe detyra jonë sot është të qëndrojmë siç qëndruam në mbrojtje të vlerave të programit tonë.

Por, duhet të jemi të sinqertë, ishte një arsye tjetër madhore që bëri që amerikanët të rikthenin presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky ishte faktori ekonomik.

Ju jeni dëshmitarë se prej disa kohësh ne kemi parashtruar programin tonë ekonomik të emergjencës, program i cili synon të rikthejë individin, problemet, të gjitha çështjet e tij jetësore në qendër të veprimtarisë qeveritare drejtuese.

Ndaj dhe ajo që unë kërkoj sot nga ju në të gjithë axhendën tuaj, çështja kryesore do të jetë çështja ekonomike.

Ne kemi paraqitur para qytetarëve një paketë e cila konsiston në minimumin jetik prej 200 eurosh, me rrogën minimale 500 euro, në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë, në rrogën mesatare 1200 euro.

Ky program emergjence duhet të jetë programi i debatit më të gjerë me qytetarët.

Qytetarët në një aspekt kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse kanë 11 vite që pensionet e tyre jo vetëm nuk rriten, por ulen.

Sepse kanë 11 vite që shohin pesëfishimin e rrogave të larta dhe pothuaj në vendnumëro me rrogat e ulëta.

Pra, natyrshëm çdo qytetar pret nga ju shpjegimet, ku do i merrni paratë? Pse premtoni rritje të tilla?

Së pari, duhet t’u rikujtojmë qytetarëve se për ne, në programin tonë, në qëndrimin tonë, ka qenë dhe mbetet i pari qytetari.

Në këtë moto, ne ia dolëm me buxhet dy herë më të vogël se ky sot të dyfishojmë rroga dhe pensione.

Por, kjo është një e shkuar.

Sot, në të katër anët bien boritë e urisë dhe varfërisë.

Dhe kjo e bën më emergjente se çdo tjetër.

Sikur do t’u sqaroni qytetarëve se nuk do të lindë nevoja kurrë për të ndërprerë asnjë punim, asnjë projekt, përkundrazi.

Po, natyrisht nuk mund të ndërtojmë rrugë ne me çmime 10 herë më të shtrenjta se Kroacia, sepse kjo do të thotë të vjedhësh 90 përqind të fondeve.

Nuk mund të ndërtojmë kurrë ne rrugë dhe të ndajmë 13 kilometra në 14 kontrata siç bën sot Edi Rama dhe Belinda Balluku për të vjedhur me 14 kontrata.

Informoni qytetarët se buxheti 2013-2023 ishte në total 57 miliardë euro, nga të cilat vetëm 7 miliardë u përdorën për pagesa, rroga.

Prandaj asnjë qytetar, asnjë pensionist, asnjë i papunë, asnjë familje në ndihmë ekonomike nuk duhet të ketë preokupimin më të vogël se ku do gjenden paratë.

Paratë do u merren hajdutëve.

Por, ky ishte programi i emergjencës.

Përsëri rrime tek ekonomia.

Për ne është shtylla më kryesore e programit. Ne jemi parti e taksave të ulëta, këtu nuk ndryshojmë.

Por përveç kësaj, të nderuar drejtues të qarqeve, të gjithë programin tjetër ekonomik do ta hartoni ju me grupet e interesit në mbarë vendin.

Nuk do hartojmë ne programin e biznesit të vogël. Jo, do ta hartojë biznesi i vogël programin e vet.

Nuk do hartojmë ne programin për fermerët tanë, do e hartojnë fermerët tanë programin që e konsiderojnë më të përshtatshëm për suksesin e tyre.

Nuk do hartojmë ne programin e arsimit, do e hartojnë mësuesit, nxënësit, pedagogët, studiuesit, shkencëtarët.

Nuk do hartojmë ne programin e shëndetësisë, do e hartojnë mjekët, infermierët, qytetarët, të cilët përjetuan një rrënim të këtij sistemi.

Pra, them dhe njëherë, në të gjitha takimet, ju përqendrimin maksimal, detyrën maksimale pas organizimit do keni programin.

Tani vijmë tek një çështje e dytë madhore, e lidhur po me programin.

Ne jemi sot në kushtet e një agresioni mediatik të paimagjinueshëm.

Avokatura e diktaturës, për fat të keq më duhet ta them, më kujton vitin 1990.

Vit në të cilin duhet ta pranojmë, diktaturat kishin rënë, por përsëri shumica e heshtur vazhdonte me heshtjen.

Ndaj dhe në këto kushte, në kushtet kur 4 televizionet kombëtare janë klonuara si RTSH apo ERTV nga zyra e Edi Ramës, këto televizione janë shndërruar në abuzuesit më të mëdhenj të hapësirës mediatike shqiptare.

Këto televizione janë në diktatin e zyrave të Edi Ramës dhe kanë arritur gjer aty sa 90 përqind të kohës ia kushtojnë Edi Ramës dhe narkozyrtarëve të tij.

Nuk po merrem këtu me deformimin që u bëjnë lajmeve për opozitën.

Në një udhëzim që u kam dërguar ju për qëndrimin ndaj mediave nuk ndryshon asgjë, përveç faktit se ju, anëtarët dhe mbështetësit tanë, drejtuesit e degëve, deputetët, do bazoni gjithçka në takimin me qytetarët, në takimin direkt me qytetarin,.

Presidenti Donald Trump, përveç Tëitter-it të Elon Musk, gjithçka tjetër e kishte kundër.

Por ishin takimet e tij me qytetarët të trefishta të krahasuara me rivalët, ishin takimet e aktivistëve republikanë me qytetarët ato që zbehën, asgjësuan fuqinë manipuluese të medieve kryesore dhe të polleve toksike, të cilat vërshonin në të katër anët për të mashtruar qytetarët.

Pra, në qoftë se ka një mësim kryesor që ne mund të nxjerrim nga fitorja e presidentit Donald Trump është takimi me njerëzit si rruga më efiçente, më e suksesshme, më e sigurt e komunikimit dhe neutralizimit të agresionit mediatik qeveritar, mashtrimeve që përhapen çdo orë nga mediat e klonuara në zyrat e Edi Ramës.

Udhëzimi i marrë për mediat mbetet në fuqi.

Natyrisht ne gjithçka duhet ta bazojmë tek takimet me qytetarët.

Prandaj të nderuar drejtues të qarqeve, nga nesër do regjistroni çdo takim tuajin, do ta ekspozoni atë në rrjetet sociale, në FB, në X, Instagram, në rrjetet dhe faqet e PD pa përjashtim të gjitha.

Dhe unë ju garantoj se në këtë rrugë ne do përmbysim propagandën mashtruese të 4 RTSH-ve të klonuara nga zyra e Edi Ramës dhe ERTV-ja e tij.

Sot, rrjetet sociale dhe portalet kanë meritën më të jashtëzakonshme të censurës dhe të nxjerrjes si Don Kishot të të gjithë atyre që bëjnë censura, që manipulojnë dhe mashtrojnë me lajmet.

Çështje e dytë që dua të sjell në vëmendjen tuaj është çështja e votës së shqiptarëve jashtë vendit.

Grupi ynë i punës, zoti Bylykbashi, zoti Kaso dhe përfaqësuesit tanë në KQZ kanë bërë një punë intensive, serioze për kuadrin, për udhëzimet në zbatim të këtij ligji që u miratua- theksoi Berisha, duke qenë i gatshëm të miratojë çdo ndryshim ligjor që mundëson votën e emigrantëve.

SHKARKO APP