Berisha paralajmëron se kryeministri po punon që Apeli t’i japë PD-në grupit Alibeaj-Basha
Berisha sot në një konferëncë shtypi ka paralajmëruar, me kujdes, se gjykata e Apelit në Tiranë po luhatet që t’ja jap logon, siglën dhe gjithçka tjetër të PD-së, grupit Alibeaj-Basha.
Sipas tij, Rama po përpiqet që të konfiskojë flamurin e PD, por do marrë përgjigjen e merituar.
“PD gjatë një viti ka votuar më shumë se kurrë në historinë e saj dhe më shumë se çdo forcë politike. E ka bërë këtë sipas kushtetutës së saj dhe ka kompletuar një proces ligjor me votën e lirë të anëtarëve. Këtë proces kërkon ta shkelmojë në mënyrë antiligjore, antidemokratike, strikt armiqësore, Edi Rama.
Përveç këtyre procedurave ka një vendim gjykate në të cilin gjykatësi ka vendosur për këtë realitet, për Kuvendin, për logot, për vendimet e PD-së. Gjithçka është e ligjshme, por e paligjshme dhe armiqësore është përpjekja e Edi Ramës për të konfiskuar flamurin e PD, flamurin e pluralizmit politik.
PD rezervon çdo të drejtë t’i përgjigjet atij në mënyrat më të merituar. Ky është një problem që e kemi me Edi Ramën, nuk e kemi me njeri tjetër…”- theksoi Berisha.
Ndërkohë protesta e madhe e PD dhe opozitës do të jetë me 12 nentor, por gjykata e Apelit do të jap vendimin me datë 10 nentor.
Informacionet janë se kjo gjykatë do ta shtyjë përsëri dhënien e vendimit për PD-në. Por nëse me 10 nentor Apeli vendos në favor të grupit Alibeaj-Basha, nuk mund të parashikohet dot se si do të përfundojë protesta e 12 nentorit para kryeministrisë.