Berisha për Lleshin: Një gjeneral që nuk paraqitet te Komandanti i Përgjithshëm meriton shkarkim
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson skandaloze sjelljen e kandidatit për ministër të Brendshëm, Gjeneral Sandër Lleshi. Në një intervistë për “ABC News”, Berisha shprehet se një Gjeneral që nuk i shkon në takim Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, meriton të zhvishet nga gradat dhe gjithë funksionet.
“Me ftesën që i ka bërë kandidatit ka ezauruar çdo detyrim për shpjegim të mëtejshëm. Dua t’i them këtij Gjenerali që kur një gjeneral nuk i paraqitet komandantit të përgjithshëm, ai meriton vetëm një gjë, një dekret që ta zhveshë”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha ka dhënë dhe argumentet që i japin të drejtë Presidentit në vendimmarrjen lidhur me dekretin. “Neni 186 i Kushtetutës së Shqipërisë ndalon ushtarakun aktiv të marrë çdo funksion tjetër. E dyta, ka një vendim të kolegjeve të bashkuara të vitit 2002 i cili thotë; dekretet e nxjerra nga Presidenti i Republikës në bazë të kompetencave të tij kushtetuese nuk i shqyrtohen nënshtrimit gjyqësor, sepse vet Kushtetuta e ka përjashtuar një mundësi të tillë”,- deklaroi Sali Berisha.
Ish-kryeministri shprehet se ajo që po bën kryeministri Edi Rama me zëvendësimin e ministrit me zv.ministrin është shkelje kushtetuese. Berisha thotë se ministria e Brendshme duhet të vijonte të drejtohej nga ministri i dorëhequr Fatmir Xhafaj deri në dekretimin e pasardhësit të tij. Ish-kryeministri e quan dhënien e kompetencave të ministrit për një zëvendësministër, si një grusht shteti.
Gjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama pretendon se është Presidenti ai që ka shkelur Kushtetutën. Ndërkohë argumentet që ka dhënë sot ish-Presidenti Berisha shpjegojnë procedurën ligjore, se përse Presidenti Ilir Meta ka qenë korrekt në zbatimin e kompetencave të tij lidhur me mos dekretimin.