Berisha pranon se shkëmben sms me Ramën. Basha mbyll paktin me Edin
Që politika shqiptare nuk ka shtyllë kurrizore, kjo tashmë dihet. Që politika shqiptare mbetet një shkatërruese e 27 viteve demokraci, edhe kjo dihet. Që politika ka vonuar futjen në Bashkimin Europian, edhe kjo dihet. Që mirëqënia e popullit mbetet mjerane, edhe kjo dihet se vjen për fajin e politikës. Por që të talleshin kaq poshtërsisht me popullin, pothuaj të gjithë politikanët, kjo nuk pritej.
Shikoni pazarin e fundit Basha-Rama. E kanë mbaruar pazarin për bashkëqeverisje pas 25 qershorit dhe bëjnë sikur nuk dijnë gjë! Bile nuk sulmojnë më as njeri- tjetrin. Thumbojnë ndonjë ditë sa për të thënë se nuk jemi “martuar”, por ndërkohë janë në bashkëjetesë. Apo ky fakti tjetër, që Berisha pranon se në parlament zihet me kryeministrin Rama, kurse në sms shkruhen e kuvendojnë. Kështu ka bërë edhe Ilir Meta me Sali Berishën apo Berisha me Nanon. Kur kanë interesa politike personale merren vesh, dhe sapo iu shkelen pazaret, zënë çadrat apo parlamentin duke sharë e sulmuar, sa populli dridhet se plasi lufta.
Natyrisht që politika ka debat, sherr, polemika, strategji të ndryshme si dhe duhet të merren vesh, kjo mbetet dëshirë e çdo shqiptari. Por që të luajnë si aktorë kur iu preken interesat e tyre dhe me pas ti mbyllin pazaret pa asnjë transparencë, kjo nuk është e drejtë. Marrëveshje ka e duhet të ketë, por jo pazare për të ndarë tortën e pushtetit duke dhunuar votuesit dhe parimet e tyre.
Ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e qeverisë Edi Rama i kemi parë të debatojnë ashpër gjatë seancave plenare, jo vetëm në legjislaturën që po mbyllet, por edhe më parë. Shkojnë deri aty, live, para kamerave sa njërëzit e thjeshtë kujtojnë se do vriten mes tyre për interesat e popullit. Por përtej çdo replike dhe debati të ashpër me akuza në seancë plenare kryeministri Edi Rama dhe Sali Berisha duket se kanë mes tyre edhe një komunikim miqësor.
Ka qenë pikërisht Berisha ai që e ka zbardhur këtë si detaj teksa thotë se i ka nisur mesazhe Ramës në formë këshilluese. Berisha ka rrëfyer se gjatë kësaj periudhe, por edhe pas arritjes së marrëveshjes ka shkëmbyer mesazhe me kryeministrin Rama duke iu referuar edhe situatës politike në vend. “I kam thënë se duhet të ndryshojë qëndrim, i kam shkruar për ecurinë e situatës politike, por edhe mesazhe të tjera”, tha ai teksa u pyet në emisionin “Studio e hapur” në televizionin News24 te Eni Vasili.
Pra përballë publikut bëjnë sikur zihen dhe militantët e tyre merakosen për fatet e të dyve, kurse të dy shkëmbejnë sms me njeri tjetrin, deri në mesnatë vonë. Apo kur Rama e ka mbyllur pazarin me Bashën dhe bëjnë si aktorë hollivudianë, kjo është një sarkazëm e madhe dhe ironi me popullin, të cilin e përdorin si lopë për ti marrë qumështin. Apo kur Ilir Meta deklaron se vdes për Sali Berishën
Hajde, hajde, tallje me popullin!
(Marrë nga www.albanianews1.al)
http://albanianews1.al/berisha-pranon-se-shkemben-sms-me-ramen-basha-mbyll-paktin-me-edin/