Berisha: Rama mendon vetëm për tre persona; Olsi, Koço, Vilma

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërthyer sot në akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai tha se pas çdo tenderi të qeverisë qëndrojnë tre persona, “vëllai i Kryeministrit, sivëllai i tij Koço Kokëdhima dhe biznesmenja Vilma Nushi”.

Ish-kryeministri u shpreh se “kjo është një bandë që po vendosë diktaturë fiskale ndaj biznesit të vogël dhe profesionistëve në Shqipëri dhe vjedhje masive”.

Berisha bëri thirrje për protesta dhe për largimin e qeverisë.

Ish-kreu i Qeverisë ka deklaruar se borxhi publik me konçesionet që janë dhënë së fundmi, është 130%, duke rrëzuar Shqipërinë përtokë. Duke folur në Kuvend, ai e quajti qeverinë një organizatë kriminale.
“Keni patur 54 vrasje në vetëm 31 ditë, duke shitur shpirtra të vdekurish për sukses. Shqipëria është një mini Afganistan. Borxhi publik nuk është më 74% e GDP-së, po me konçesionet që kanë dhënë këta ju garantoj se borxhi publik është 130%, që do rrëzojë Shqipërinë përtokë e nuk do ngrihet në këmbë për një kohë të gjatë, dhe këtu do të jemi. Ndaluni një moment. E morrët në shtator 2014 me 62.7 sipas shifrave të fundit.E rritët në 74% pa ndërtuar një km rrugë”, tha Berisha.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po inauguron nga tre herë vepra të cilat janë ndërtuar apo projektuar që në vitin 2009, si Babica, Transballkanikja etj.  “Kur keni një njeri si ky këto do thoni. Një piktor dështak. E dëgjuat sot? Vetëm boja, boja, boja, po s’di tjetër gjë përveç bojës ai. Të paktën sot ishte origjinal”, tha Berisha.

SHKARKO APP