Berisha: Top Channel, Klan dhe Vizion Plus janë të gjitha njësoj, i lëpihen kryeministrit!
Kryedemokrati Sali Berisha i bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të tyre që në këtë situatë të paprecedentë censure nga mediat kombëtare, të përdorin rrjetet sociale siç bëri dhe presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump.
‘Të përdorim rrjetet sociale siç bëri Trump! RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus janë të gjitha njësoj’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha tha: Ndaj miqtë e mi, me lutjen time, të përdorni me të gjitha mënyrat rrjetet sociale, të krijoni portale që janë shpatat e anticensurës.
Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës.
Lajmet i merrni nga rrjetet sociale dhe televizionet që i qëndrojnë besnikë të vërtetës.
Nuk ka si në Shqipëri, nuk dallon dot kush është RTSH, kush është Top Channel, Klan apo Vizion Plus.
Të gjitha në garë kush e kush më parë t’i lëpihet qeverisë, të mashtrojë qytetarin.
Cila e cila më shumë të censurojë opozitën, të demonizojë opozitën, të mashtrojë për opozitën.
Miqtë e mi, mos u besoni atyre që u fshehin të vërtetat. Kjo ndodhi në SHBA, por presidenti Trump me flamurin e të vërtetës ngadhënjeu mbi të gjitha mediat kryesore dhe pushtoi mendjet dhe zemrat e qytetarëve amerikanë, realizoi rikthimin më të jashtëzakonshëm me votën e lirë të të gjitha kohërave.
Ndaj dhe sa rrini dhe mbani kokën drejt ekranit me lajmet e medieve kombëtare, uluni dhe shkruani statuse, shkruani lajme në FB, u përcillni të vërtetat njëri-tjetrit në Twitter, Instagram, TikTok.
Ju e patë se si i kallet data Edi Ramës nga rrjetet sociale.
Ndaj dhe është koha jonë, është radha jonë, është radha jonë.
Dhe radha jonë kërkon mosbindje civile.
Kërkon që të gjithë ne të çelim dritaren e komunikimit”- theksoi Berisha duke bërë thirrje që të mos u besojnë mediave televizive kombëtare.