Berisha:Kokëdhima humbi mandatin, por fitoi 1 milion euro nga OSHEE

Sali Berisha ka denoncuar sot një aferë, sipas tij, të një shume 1 milion euro të dhënë nga Edi Rama me anë të OSHEE.


Një kompani e lidhur me (ish)deputetin Koço Kokëdhima ka fituar një tender të OSHEE-së duke përfituar gjithë fondin e vënë në dispozicion prej afro 1 milionë eurosh, pa garë, pa konkurentë.
Në buletinin e prokurimeve, kompania “Remonti Elektrik Elbasan” është shpallur fituese për të kryer riparim transformatorësh në shumën e 134 milionë lekëve.
Kompania sot nuk është më në pronësi të ish-deputetit Kokëdhima. Ai e ka shitur atë në shtator të vitit 2013, menjëherë pasi ka marrë mandatin e deputetit.
Por shitja e aksioneve nga ana e z.Kokëdhima ka një tipar interesant.

Blerësit e saj janë tre ish-drejtorë në ndërmarrjet e Kokëdhimës, të cilët tashmë figurojnë si pronarë në kompaninë e ‘Remontit Elektrik Elbasan’.
Në Shtator 2013 Koço Kokëdhima i cili zotëronte 90 për qind të aksioneve, i shiti aksionet me pjesë tek shtetasit Alban Mësonjësi, Besnik Lulaj dhe Janaq Jorgji.
Të tre janë bashkëpunëtorë të afërt të tij.
Alban Mësonjësi ka qenë me detyrë jurist dhe drejtor në kompanitë e Kokëdhimës. Besnik Lulaj është një partner i vjetër në biznes, ndërsa Janaq Jorgji është një vartës i Kokëdhimës që aktualisht rezulton dhe drejtues i ‘Radio+2’. Tre aksionarët e rinj kanë kombinuar më pas aksionet ndërmjet tyre.
Kriteri për përzgjedhjen e fituesve ishte çmimi më i ulët, por ish-kompania e Kokëdhimës është kualifikuar me pikët maksimale, ndonëse oferta e saj ishte e barabartë me fondin më të lartë të mundshëm.
Edhe pse Koço Kokëdhima ka humbur pak ditë më parë mandatin, ish-kompania e tij, tashmë e drejtuar nga të besuarit e tij, po lulëzon në suksesin pa konkurentë dhe me fonde maksimale në tenderët publikë. / HashtagAL

 

SHKARKO APP