Besnik Mustafaj: Cakaj tregoi se është i paaftë për detyrën që i është dhënë
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj e ka cilësuar zëvendësministrin e Jashtëm që mban dhe kompetencat e ministrit, Gent Cakaj, si të paaftë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që i është dhënë.
Në një intervistë për “News 24”, Mustafaj iu referua fjalimit të parë të marrjes së detyrës nga Gent Cakaj. Ish-ministri nuk i kurseu kritikat, kur u shpreh se me qëndrimet që mbajti, Cakaj ia shtoi namin e keq vetes.
“Cakaj është i paaftë për të bërë detyrën e ministrit. Fjalimi i djeshëm ishte konfirmim i dyshimeve që unë dhe të tjerë kishim për aftësitë e tij“,- tha Mustafaj.
Duke bërë një analizë të qëndrimeve të Cakaj, Mustafaj tha se ai që do drejtojë diplomacinë praktikisht nuk tha asgjë për sfidat që ka Shqipëria dhe cili është angazhimi i tij. “Fjalimi i prezantimit është i rëndësishëm kudo në botë, edhe presidenti i SHBA punon disa javë për fjalimin e prezantimit. Unë prisja të thoshte cilat janë sfidat kryesore, ne do marrim drejtimin e OSBE, hera e parë që Shqipëria ka një peshë të tillë. Shqipëria ka dhe një votim në OKB për Këshillin e Sigurisë, ka dhe negociata. Ai nuk foli fare për këto. Ai foli për Integrimin Rajonal! Unë se di ca është kjo tezë. Ai ja shtoi namin e keq vetes. Tregoi se ishte i papërgjegjshëm, nuk ishte përgatitur”,– deklaroi Besnik Mustafaj.
Ish-ministri u shpreh se delegimi kompetencave nga ana e kryeministrit nuk përbën në vetvete një shkelje, por njeri të cilit i janë besuar kompetencat tregoi se është i paaftë për këtë detyrë.
Duke u ndalur në raportet presidencë-kryeministri lidhur me diplomacinë, Mustafaj tha se “nuk besoj se Presidentit Meta do t’i japë ndonjëherë të drejtën e firmës dhe përfaqësimit në marrëveshje ndërkombëtare”.