Besnik Mustafaj: Koalicioni me PS, do jetë hap fatal për Partinë Demokratike!
Shtohen zërat kundër paktit Bash-Rama edhe brenda vet Partisë Demokratike. Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-drejtuesi i forumeve të PD-së, Besnik Mustafaj e sheh një koalicion PS-PD si fatal për të djathtën.
Në një intervistë për Dojçe Vele, Besnik Mustafaj është pozicionuar kundër alternativës së një koalicioni të madh PS-PD, pas zgjedhjeve. Sipas Mustafajt, ky do të ishte një hap që ë kthente PD-së në një shtojcë të Partisë Socialiste.
“Hapi fatal për Partinë Demokratike dhe për opozitën në përgjithësi do të jetë nëse në koalicionet qeverisëse, postzgjedhore Partia Demokratike do të bëhej një shtojcë e Partisë Socialiste”,- thotë Mustafaj.
Pavarësisht përplasjes së fortë mes të majtëve, Mustafaj e sheh të natyrshëm një koalicion Rama-Meta pas zgjedhjeve, duke mos harruar se në këtë 4 vjeçar në parlament do të jetë edhe një i majtë më shumë, Ben Blushi.
“Unë vlerësoj se koalicioni më i natyrshëm postzgjedhor do të ishte midis të majtës, dmth do të kemi tre patri të majta në kuvendin e ardhshëm. Do të jetë Partia Socialiste, do të jetë LSI, do të jetë edhe LIBRA. Eksperienca gjermane qëndron vetëm për Gjermaninë. Atje o CDI do lidhej me partitë e ekstremit, që nuk është në filozofinë e saj, ose do të bënte koalicionin e gjerë që e ka për herë të dytë, në përvojën e saj. Kjo në Shqipëri, nuk është nevojë nga peisazhi politik, nga kompozimi që do të ketë parlamenti i ardhshëm. Për sa kohë nuk është nevojë, atëherë ajo ndarja e majtë e djathtë nuk duhet asgjësuar. Partia Socialiste dhe Edi Rama vetë nuk është një personalitet që di realisht të ndajë pushtet dhe të ndajë konsensuse që të qeverisë me aleatët”,- deklaron Mustafaj.
Edhe periudha e bashkëqeverisjes në muajin e fushatës, për Besnik Mustafajn është një provë tjetër se me Edi Ramën nuk mund të bashkëqeveriset normalisht.
“Ministrat teknikë po bëjnë përpjekje mbinjerëzore. Këta i heqin drejtorat e involvuar në fushatë, kryeministri i kthen në punë. Në këtë kuptim ne nuk jemi në kushtet e Gjermanisë, ku ka një traditë për ndarjen e pushtetit midis forcave të koalicionit. Nuk kemi një Angela Merkel në krye të vendit, e cila vë interesat e vendit të vet përmbi interesat e veta apo të forcës politike që ka pushtet. Ne do të kemi në krye të vendit PS dhe Edi Ramën, i cili interesat e pushtetit të tij i vë përmbi interesat e vendit. E ka treguar”,- shprehet ish-ministri i Jashtëm i PD.