BIRN:Biznesi i vogël, falimentime masive

Nga Gjergj Erebara/

Xhiroja dhe punësimi në bizneset e vogla ra ndjeshëm në Shqipëri gjatë vitit 2017 në krahasim me vitin paraardhës ndërsa bizneset e mëdha rritën më tej peshën e tyre në ekonominë shqiptare, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve.

Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve aktive në vend ra me 0.8% nga të cilat, ndërmarrjet e vogla që kanë deri në 4 punonjës ranë me 1.8%. Xhiroja e ndërmarrjeve të vogla me deri 4 punëtorë ra me 15% gjatë vitit të kaluar ndërsa ajo e ndërmarrjeve me 5-9 punëtorë ra me rreth 10%.

Përkundër rënies së xhiros së biznesit të vogël, biznesi i madh shënoi rritje dyfishrore. Bizneset me 10 deri në 50 të punësuar e rritën xhiron me 18% ndërsa bizneset me mbi 50 të punësuar e rritën me rreth 13%.

Pesha e bizneseve të mëdha në skenën ekonomike shqiptare duket se u rrit edhe më tej gjatë vitit të kaluar, nga një nivel sakaq i lartë më 2016. Kështu, afro 5 mijë subjekte me mbi 10 punëtorë në Shqipëri përbëjnë vetëm 5.6% të ndërmarrjeve aktive, por në vitin 2017 ato realizuan 79% të të gjitha shitjeve. Në krah të kundërt, 94.4% e ndërmarrjeve me më pak se 10 punëtorë, ishin përgjegjëse për vetëm 21% të të gjitha shitjeve.

Ndërmarrjet e vogla të kartakterit individual, të cilat në statistika raportohen si ndërmarrje me 1 deri në 4 punonjës janë përgjegjëse për një të tretën e të gjithë të punësuarve të cilët jetojnë me vetëm 12% të shitjeve. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri kishte afro 95 mijë ndërmarrje të tilla. Ndonëse për llogari statistikore këto ndërmarrje klasifikohen në grupimin 1 deri në 4 punonjës, në fakt, shifrat e Instat sugjerojnë se shumica e tyre ka vetëm një të vetëpunësuar. Më konkretisht, të 95 mijë ndërmarrjet e vogla kanë bashkërisht 150 mijë të punësuar me një mesatare prej 1.5 të punësuarish për ndërmarrje.

Vitin e kaluar në Shqipëri kishte edhe 6,700 ndërmarrje me 5-9 punëtorë, xhiroja e të cilëve ra gjithashtu me 10%.

Shitjet mesatare për çdo të punësuar gjatë vitit 2017 ishin rreth 4 milionë lekë për të gjithë ekonominë, me një rritje në masën 2.7% në krahasim me vitin paraardhës. Kjo rritje e ngadaltë e volumit të shitjeve ka qenë e pabarabartë. Ndërmarrjet me vetëpunësim pësuan rënie me 14% ndërsa ndërmarrjet e mëdha pësuan rritje.

Kështu, 95 mijë bizneset e vogla me 150 mijë të punësuarit patën shitje mesatare për të punësuar në masën 1.6 milionë lekë, me rënie 14% në krahasim me vitin 2016.Rreth 6,700 biznese që kanë 5 deri në 9 të punësuar për një total prej 43 mijë të punësuarish patën shitje mesatare për të punësuar prej 4.1 milionë lekësh me rënie 17%. Ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar patën rritje. Rreth 4,800 ndërmarrje të klasifikuara në grupin 10-49 të punësuar patën njëvolum total shitjesh prej 665 miliardë lekësh, shifër që nëse pjesëtohet me 95 mijë të punësuarit e këtij segmenti flet për volum mesatar shitjeje për të punësuar prej afto 7 milionë lekësh.

Me rritje por në masë më të vogël ishin shitjet për të punësuar për ndërmarrjet e mëdha me mbi 50 punëtorë. Në këtë segment vitin e kaluar operuan gjithsej 1,242 ndërmarrje me 204 mijë të punësuar në total. Volumi mesatar i shitjeve për të punësuar këtu ishte 4.6 milionë lekë me një rritje prej 3.4% në krahasim me vitin paraardhës./BIRN/

SHKARKO APP