BIRN/Mediat e mëdha-para e madhe, të vegjlit drejt shuarjes!
Të dhënat e bilanceve të kompanive mediatike të analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë vitit 2023, televizionet kryesore shtuan të ardhurat ndërsa televizionet e vogla pësuan rënie apo thelluan humbjet, duke bërë që tregu të dominohet më shkallë të lartë nga pak operatorë.
Nga Gjergj Erebara
Katër televizionet më të mëdha komerciale të vendit rritën shkallën e dominimit të tregut në masën 79.1% gjatë vitit 2023, nga 75.1% që kontrollonin në vitin 2022. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat e pasqyrave financiare të kompanive të licencuara për shërbime televizive komerciale, të analizuara nga BIRN. Kjo është shkalla më e lartë e përqendrimit të medias që nga viti 2018.
Standardet ndërkombëtare sugjerojnë matjen e shkallës së përqendrimit të medias përmes llogaritjes së pjesës së tregut të zënë nga katër operatorët e mëdhenj. Në rastin e Shqipërisë gjithsesi vërehet se dy janë operatorët me të vërtetë të mëdhenj ndërsa operatori i tretë e i katërt në realitet mund të konsiderohen si televizione të mesme dhe jo të mëdhenj.
Nëse shkalla e dominimit llogaritet si pjesa e tregut të zënë nga dy operatorët e mëdhenj, atëhere në vitin 2023 kemi Klan dhe Top Channel që zënë bashkë 64% të tregut.
BIRN analizoi të dhënat kryesore financiare të dymbëdhjetë televizioneve më të mëdha në vend, nga të cilat, dy nuk patën depozituar bilanc brenda datës 31 korrik 2024, siç kërkohet nga ligji, ndërsa dhjetë kishin dorëzuar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Të dhënat tregojnë se pas një periudhe disavjeçare në të cilën, rritja e disa televizioneve të reja solli në një masë të kufizuar rënie të dominimit të Top Channel dhe TV Klan, tendenca ndryshoi sërish vitin e kaluar drejt një shkalle më të lartë përqendrimi.
Të dhjetë televizionet e shqyrtuara patën të ardhura të përbashkëta në masën 6.6 miliardë lekë (rreth 66 milionë euro) për vitin 2023, me një rritje prej 14% përkundrejt vitit 2022. Të renditura sipas të ardhurave, televizioni Klan mbajti vendin e parë, njësoj që nga viti 2021, kur zëvendësoi Top Channel për primatin. Top Channel zë vendin e dytë, pasuar nga Media Vizion në vendin e tretë dhe G2 Media A2CNN në vendin e katërt.
Zgjedhje dhe Big Brother
Zakonisht televizionet shqiptare kanë vite të mbara kur këto vite përmbajnë zgjedhje parlamentare apo zgjedhje të pushtetit vendor. Kjo vjen si rrjedhojë e volumit të zakonshëm të reklamave të financuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për edukimin e votuesve si dhe nga reklamat e partive politike. Por viti 2023 ka njohur një rritje të konsiderueshme të tregut në total, gjë që duket se vjen pjesërisht si rrjedhojë e spektaklit televiziv Big Brother Vip Albania. Top Channel, televizioni i dytë më i madh në vend njohu një rritje në nivelin e të ardhurave me 25% vitin ë kaluar, ndërsa të ardhurat e Klan u rritën me 19%. Rritje pati edhe Vizion Plus me 25% dhe A2 CNN me 11%. Televizionet e tjera kryesisht pësuan rënie në të ardhura.
Televizioni Klan është gjithashtu televizioni më fitimprurës në vend për aksionerët e vet. Gjatë vitit të kaluar, fitimet neto arritën në 2.7 milionë euro, shifër kjo katër herë më e lartë se sa fitimet neto të Top Channel.
Televizionet relativisht të reja, A2CNN dhe Euroneës patën ecuri disi më pozitive vitin 2023 në krahasim me vitin 2022. Të dyja shënuan rritje të të ardhurave, por A2CNN deklaroi bilanc me një fitim të ulët ndërsa Euronews vijon të ekzistojë me humbje të konsiderueshme. Gjatë vitit të kaluar, humbjet e Euronews ishin në masën 89.5 milionë lekë. Me humbje rezultuan edhe televizionet Report TV, News 24 dhe ABC.
Televizioni i opozitës Syri.tv zuri vitin e kaluar 1.7% të totalit të të ardhurave të tregut televiziv ose 113 milionë lekë. Të ardhurat e deklaruara ranë me 22% në krahasim me vitin 2022.
Larmishmëria e medias dhe mosdominimi i tregut të medias nga pak operatorë konsiderohet si tipar i fuqisë së demokracisë ndërsa mungesa e larmishmërisë dhe dominimi i panoramës mediatike nga pak operatorë konsiderohet si shqetësim për demokracinë.
Larmishmëria apo mungesa e larmishmërisë në tregun mediatik zakonisht matet duke llogaritur pjesët e audiencës. Por matja e audiencës në Shqipëri nuk është sot për sot e besueshme kështu që, të dhënat e të ardhurave të pasqyruara në bilanc mund të përdoren si një matës jo i drejtpërdrejtë i larmishmërisë.
Aktualisht të gjitha mediat kryesore në vend konsiderohen gjerësisht si proqeveritare dhe po kështu konsiderohet edhe televizioni publik shqiptar, i cili ka një buxhet vjetor prej mbi 21 milionë eurosh dhe që drejtori aktual i të cilit është një ish-deputet socialist./BIRN/