Bjellorusia po rinovon garnizonin Wagner, po kundër kujt do të përdoret?
Nga Radio “Europa e Lirë”-
Qyteti bjellorus, Tsel, duket të jetë një destinacion ideal për t’u larguar nga zhurma dhe mbingarkesa e jetës së qytetit, sepse është i vendosur përgjatë një lumi dhe i rrethuar me pemë, deri rreth 90 kilometra në juglindje të Minskut.
Selia e distriktit Asipoviç dhe vendasit e Minskut së fundmi kanë blerë prona në Tsel për t’i përdorur si “arratisje” nga qyteti për fundjavë.
Mirëpo, kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Në nivel lokal, kanë qarkulluar fjalët se Bjellorusia po e rinovon garnizonin ushtarak të braktisur në Tsel. Disa qytetarë kanë frikë se mund të përdoret për të vendosur luftëtarët e Wagnerit, të cilëve u është dhënë mundësia të zhvendosen në Bjellorusi pas një rebelimi shokues, jo shumë të gjatë, që tronditi Rusinë.
Padyshim që diçka po ndodh në Tsel, sipas fotografive satelitore të publikuara nga Planet Labs.
Imazhet e marra më 17 dhe 27 qershor krahasohen për të zbuluar pamjen e të njëjtave gjëra në disa lokacione; këto objekte mund të jenë tenda të grumbulluara ose pjesë të mëdha pajisjesh.
Sipas Oleh Zhdanovit, një analist ushtarak nga Ukraina, i cili shqyrtoi fotografitë satelitore, për Radion Evropa e Lirë tha se këto mund të jenë shtëpi të parafabrikuara. Megjithatë, ai pohoi se është e pamundur që objekti të rinovohet për trupat e Wagnerit, duke pasur parasysh që kohët e fundit ndodhi rebelimi dhe ndodhitë e dyshimta që i dhanë fund asaj.
“Ka kaluar pak kohë për të filluar ndërtimin e një kampi posaçërisht për grupin Wagner. Kjo është jorealiste”, tha Zhdanov.
Yevgeny Prigozhin, i cili kishte kritikuar ashpër udhëheqjen ushtarake ruse për muaj të tërë, njoftoi më 23 qershor se forcat e tij do të bënin një “marshim drejtësie” drejt Rusisë nga Ukraina, ku ata luajtën një rol kyç dhe kryen vrasje të rënda gjatë luftimeve për qytetin Bahmutit në rajonin e Donjeckut.
Mercenarët e grupit Wagner morën në mënyrë efektive nën kontroll Rostov mbi Donin, një qytet i madh në jug, ndërsa një grup tjetër u nis për në një autostradë drejt Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, e dënoi “rebelimin e armatosur” dhe paralajmëroi se ata që qëndronin pas tij ishin tradhtarë që do të japin përgjegjësi.
Prigozhin papritmas ndërpreu “operacionin” më 24 qershor, duke thënë se njësia e tij ishte rreth 200 kilometra larg Moskës, por se ai dëshironte të parandalonte gjakderdhjen.
Afrika apo vdekja? Prigozhin nuk pritet të qëndrojë gjatë në Bjellorusi
Kremlini dhe Lukashenka thanë se kishin arritur një marrëveshje, në të cilën mercenarët e Wagnerit do t’i shmangeshin dënimit dhe Prigozhin do të zhvendosej në Bjellorusi. Luftëtarët e grupit Wagner mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, të kthehen në shtëpi ose të udhëtojnë në Bjellorusi, sipas Putinit, në deklaratat e 26 qershorit.
Specifikat e marrëveshjes së supozuar nuk janë bërë publike. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në Uashington raportoi më 28 qershor se të tria palët dukej se po negocionin detajet e marrëveshjes.
Lukashenka raportoi më 27 qershor se Prigozhini kishte mbërritur në Minsk si pjesë e marrëveshjes. Sipas të dhënave të fluturimit, avioni privat i Prigozhinit zbriti në Minsk atë ditë, por u kthye në Shën Petersburg, ku është vendosur udhëheqësi i Wagnerit, më 28 qershor.
Prigozhini nuk është parë që kur u fotografua duke u larguar nga Rostov mbi Doni në ulësen e pasme të një veture SUV e bardhë më 24 qershor.
Ai nuk ka komentuar për vendndodhjen e tij që atëherë dhe nuk ka pasur asnjë shenjë të caktuar që ndonjë nga luftëtarët e Wagner ka shkuar në Bjellorusi.
Lukashenka tregoi interes që ushtarët e Wagnerit të vendosen në Bjellorusi dhe t’i ushtrojnë trupat e tij, pavarësisht nga fakti se ata janë më me përvojë dhe kishin luftuar në mënyrë më efikase në Ukrainë sesa forcat e rregullta ruse.
“Ne nuk po ndërtojmë një kamp për ta, tani për tani. Nëse ata duan [të vendosen këtu], ne do të gjejmë një vend për ta. Ne u kemi ofruar atyre një nga garnizonet tona të braktisura”, tha ai më 27 qershor, pa përmendur një vendndodhje specifike.
Kjo deklaratë e Lukashenkas mund të përshkruajë potencialisht vendin në Tsel — por rinovimi atje filloi në fillim të qershorit, javë përpara kryengritjes së Prigozhinit.
(Marrëme shkurtime)
Përgatiti: Albina Kastrati