Bllokimi i Kuvendit, Reagon Kryeministri Edi Rama: PD pa ide kërkon sherr
Kryeministri Edi Rama, ka komentuar përmes Twitter-it protestën e Partisë Demokratike sot në Kuvend. Rama e interpreton protestën e PD-së si pasojë e “mungesës së ideve” nga ana e opozitës.
“S’kanë ide dhe duan sherr. U dhamë konsensus për atë që donin, po prapëseprapë e bllokuan foltoren. A di të ma thotë kush si mund të ndihmohen?”, shkruan Rama në Twitter.
Ky është komenti i parë që Edi Rama ka bërë për qëndrimin e PD. Me herët, në një konferencë për mediat, kryeministri nuk ka pranuar të flas për zhvillimet në Kuvend dhe protestat e PD. Kreu i qeverisë i cilësoi qëndrimet e PD, si “dokrra hini”.
Gjithashtu, Rama nuk ka komentuar as përjashtimin nga seancat të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Debati mes PS dhe PD ka nisur sot për shkak të mospërfshirjes në rendin e ditë të debatit për reformën zgjedhore dhe raportin e OSBE/ODIHR. PS ka kërkuar vijimin e punës me komisionin, ndërsa demokratët kërkuan debat publik për çështjen e zgjedhjeve.
Pas bllokimit të seancës, kreu i PD bëri akuza të forta ndaj Qeverisë. Ai paralajmëroi dhe bllokimin e Kuvendit nga qytetarët. “Nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe, dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëhere ka ardhur koha të themi të vërtetën troç; paqja sociale është e rrezikuar, bashkëekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta por, detyrimi, ti bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre”,- tha Basha.
Ndërkohë gjithë këto qëndrime Edi Rama i ka cilësuar si mungesë idesh dhe kërkesa për sherr.
S'kanë ide duan sherr😳U dhamë konsensus për atë që donin, po prapëseprapë e bllokuan foltoren🙄A di të ma thotë kush si mund të ndihmohen?😨
— Edi Rama (@ediramaal) October 5, 2017