Bllokohet Prokuroria e Përgjithshme

Gjatë debatit tre vjeçar për reformës në drejtësi, argumenti kryesor ishte se me ndryshimin e Kushtetutës do të përfundonin pas hekurave ministra, deputetë, ish-ministra dhe zyrtarë të lartë. Ka kaluar më shumë se një muaj që Kushtetuta e re ka kaluar në Kuvend. Në vend të nisjes së ‘stinës së prangave’ tek pushtetarët ka ndodhur e kundërta. Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë mundësi ligjore që të nis hetimet për ministra, deputetë, gjyqtarë, zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Në mënyrë paradoksale, mundësia e hetimit i është hequr përkohësisht organit të akuzës me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Po ashtu, prokurorët nuk dinë se çfarë të bëjnë me çështjet që kanë në proces gjykimi për zyrtarë të lartë. Kjo pasi ligji i vjetër i funksionimit nuk është më në fuqi, ndërsa ligji i ri ende nuk është miratuar. Dhe me sa duket do të duhën muaj, në mos pas zgjedhjeve parlamentare që ti miratojnë dhe bëjnë funksionuese prokurorinë.

Reforma në drejtësi parashikon që të ngrihen disa institucione të reja që do hetojnë zyrtarët e lartë, siç është Prokuroria e Posaçme, etj. Kushtetuta e re e 21 korrikut, që ka hyrë në fuqi, ka parashikuar kornizën juridike për kompetencat e këtyre institucioneve. Por për ngritjen e tyre duhen ligje të posaçme, të cilat duhet të kalojnë në Kuvend dhe më pas të nisin zbatimi. Ajo që hartuesit e reformës kanë harruar, ose kanë dashur që të harrohet është se mbi çfarë ligjesh do të funksionojë Prokuroria për sa kohë që ligjet e reja nuk janë miratuar. Gjë që do të thotë se kompetencat i janë hequr, pa parashikuar se kush do bëjë hetimet për zyrtarët e lartë derisa të miratohen ligjet. Pra qytetarët e thjeshtë gjykohen ndërsa zyrtarët e lartë jo. Dhe ligjet e reja, me mënyrën si ka nisur punën Komisioni i Posaçëm i Drejtësisë mund të kërkojnë edhe disa muaj të tjerë të kalojnë në Kuvend. Më pas duhet të dekretohen, të hyjnë në fuqi dhe të nisi puna për ngritjen e institucioneve të reja. Duke pasur parasysh sesi funksionojnë strukturat e reja në Shqipëri, kjo procedurë mund të kërkojë shumë disa muaj të tjerë. Po derisa të ngrihen institucionet, kush do hetojë zyrtarët e lartë? Apo deri asokohe të bëjnë lekë me thasë dhe ikin vetë!

Në një reagim publik të Prokurorisë së Përgjithshme ngrihej shqetësimi se mosmiratimi  i ligjeve të paketës në drejtësi ka bllokuar këtë institucion. Veç hetimit të zyrtareve të lartë, kushtetua e re ka bllokuar dhe funksionimin normal të Prokurorisë së Përgjithshme. Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën e vendimmarrjes për emërimin, komandim, transferim, shkarkim të prokurorëve. Kushtetuta e re ia ka caktuar këtë kompetencë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ky institucion, sipas parashikimeve në ndryshimet kushtetuese, duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Po ashtu, Prokuroria nuk ka më institucion të inspektimit dhe vlerësimit të prokurorëve. Më këto ndryshime i bie që Prokuroria e Përgjithshëm të jetë në funksion vetëm pjesërisht. Ose më saktë shikon zyrtarët e lartë se si vjedhin, por nuk i heton dot.

Një situatë e tillë, kur një institucioni kushtetues i ndalohet përkohësisht të kryejë detyrën kushtetuese është e paprecedentë në historinë e shtetit. Ekspertët e pavarur që u vlerësuan aq shumë nga PS për profesionalizimin e tyre, u morën tre vjet me hartimin e draftit. Rishikuan deri në detaj çdo nen dhe i kthyen draftet dy herë në Komisionin e Venecias. Është naive të mendohet se kanë harruar të parashikonin se çfarë do ndodhte në fazën tranzitore. Sepse realisht nuk është detaj, por një procedurë që e ka nxjerrë jashtë loje prokurorinë. Është absurde që në gjithë gjërat që mund të neglizhonin, zgjodhën pikërisht pjesën që ka të bëjë me hetimin e pushtetarëve.

Në këtë pikë është pak të thuhet se ka qenë një “harresë”. Më shumë se kaq kemi të bëjmë me një skemë që synon bllokimin e hetimeve të dosjeve për zyrtarët, të paktën përkohësisht. Argumenti se kur të miratohen institucionet e reja do bëjnë “namin” me hetime dhe arrestime nuk qëndron, se me kalimin e kohës provat  zhduken dhe nuk kanë më vlerë juridike. Me këtë fazë tranzicioni të organeve të hetimit, u reforma u ka dhënë lejen ministrave dhe deputetëve që të vjedhin dhe abuzojnë këto muaj.

Prokuroria, sipas Kushtetutës së re, për pushtetarët nuk ekziston. Pra bëni ç’të doni zyrtarë të lartë; vidhni e ikni se nuk do të ndëshkoheni sepse provat po zhduken me shumë marifet këto muaj të pasreformës!

SHKARKO APP