Një ditë para vendimit të Vettingu, PD ankesë tjetër në Kushtetuese
Partia Demokratike ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një tjetër ankesë për një nga ligjet kryesore të reformës në drejtësi. Konkretisht PD kërkon ankimon ligjin për funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, Kontrollin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Në padinë se saj Partia Demokratike argumenton se përzgjedhja e anëtarëve të KLGJ dhe KLP është antikushtetuese. Këta dy organe të reja të sistemit të drejtësisë kaluan në Parlament pa votat e opozitës.
Ky është ligji me voluminoz i reformës ne drejtësi me 291 nene dhe rregullon funksionimin e 5 institucioneve; e pavarësisht tentativave për t’iu lëne kohe palëve për negociata, edhe ky draft kaloi pa konsensusin e opozitës.
Partia Demokratike gjykon se parashikimet ligjore për 2 institucione; Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë anti-kushtetuese. Juristët e opozitës sqarojnë se formula e përcaktuar në ligj për zgjedhjen e 5 anëtareve nga parlamenti në të dy këto institucione është në shkelje të ligjit themeltar të shtetit. Formula për zgjedhjen e 5 anëtareve nga parlamenti në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, ishte pika e fundit që u negociua mes partive politike në 21 korrik, e që çoi në miratimin me unanimitet të ndryshimeve kushtetuese.
Kushtetuta përcakton se 2 anëtare zgjidhen nga avokatët, 2 nga trupa e pedagogeve dhe një nga shoqëria civile. Ligji ka parashikuar si mekanizëm filtrimi një komision të pavarur ad hoc i cili vlerëson dhe s’kualifikon kandidatët duke hartuar listën finale me 10 emra. Ky mekanizëm për opozitën është anti-kushtetues pasi ligji themeltar i shtetit parashikon kandidim të lirë.
Pas vettingut dhe ligjit për Prokurorinë Speciale, ligji për qeverisjen e sistemit te drejtësisë është ndoshta me i rëndësishmi i reformës ne drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Larte i Prokurorisë janë dy institucionet qe emërojnë gjyqtaret dhe prokuroret e posaçëm qe do te luftojnë korrupsionin tek zyrtaret e larte, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk mund të ngrihet pa u ngritur Prokuroria e Posaçme. Në rast se Gjykata Kushtetuese ndjek te njëjtën logjike si me vettingun dhe e pezullon; atëherë bllokohet edhe ngritja e strukturës se posaçme qe do te luftoje korrupsioni.
Ditën e enjte pritet që Gjykata Kushtetuese të japë vendimin për ligjin e Vetingut. Vendimi për këtë ligji pritet të zhbllokonte reformën në drejtësi dhe të lejonte ngritjen e institucioneve të tjera.
Por me padinë e bërë sot, Partia Demokratike fut sërish në ngërç institucionet e reja. Nëse Gjykata merr në shqyrtim ankesën e PD-së do të duhet edhe disa muaj të tjerë për të dhënë një vendim përfundimtar.