Blushi akuzon, Braçe sulmon !
Debatit për zhvillimin e zgjedhjeve në Partinë Socialiste i janë shtuar dje zëra të tjerë të grupit parlamentar. Mimoza Hafizi është e para anëtare e grupit parlamentar që doli hapur pro linjës së Blushit. Deputetja shkodrane pranoi se, duhet të ketë debat lidhur me mandatin e kryetarit të partisë në kongres. Ndërsa la të kuptohet, se ashtu si ajo edhe deputetë të tjerë në selinë rozë mendojnë se duhet që çështja e zgjedhjes së kryetarit të jetë pjesë e axhendës së diskutimeve në parti. Qëndrimi i Hafizit tregon se jo të gjithë në grupin e PS-së janë vënë në rresht për të mbrojtur qëndrimin se në parti nuk ka nevojë për zgjedhje. Mimoza Hafizi është një prej intelektualeve më me personalitet e integritet politik në selinë rozë si dhe pedagoge në profesion.
Në një prononcim dhënë për mediat, Ben Blushi ka shpalosur dhe më tej platformën e tij që do të prezantohet në Kongresin e PS-së. Por ndërsa ka folur për mënyrën sesi duhet të jetë partia më e madhe në vend, këtë herë nuk i ka kursyer akuzat direkte ndaj Ramës dhe një grupi deputetësh rreth tij. Ai tha se, kërkon ta kthejë PS-në në një parti që bazohet tek vlerat dhe jo tek interesat. Në një parti që mendon për të varfrit dhe që nuk mbështet dhe jep tendera për një grup njerëzish. Te këto interesa ekonomike dhe klienteliste Blushi sheh akuzat dhe sulmet që i vijnë nga brenda PS-së dhe vetë kabineti qeveritar.
“Ka deputetë të PS-së që janë duke grabitur për shkak të statusit që i njeh Edi Rama, grabisin territore, zona, toka, fuqi influence, biznese. Këta njerëz nuk do ta kenë më këtë influencë”,- tha dje Blushi, duke nënkuptuar që nëse Edi Rama nuk votohet në kongres.
Blushi ka sjellë në vëmendje dhe mënyrën sesi u soll Edi Rama me ata që e kundërshtonin për drejtimin e partisë në vitin 2009. Ai tha se, Rama i hoqi nga PS-ja dhe në vend të tyre solli banditë që mblidhnin vota me armë në zgjedhje dhe biznesmenë që kontrollojnë gjithçka. “Edi Rama penalizoi gjithë ata njerëz që u grumbulluan kundër tij në 2009. Të gjithë i ka hequr nga PS-ja. Nuk është çështja se i hoqi njerëzit që dolën për një tjetër alternativë në 2009. Pyetja është se me kë i ka zëvendësuar. Me kë i zëvendësoi ata që hoqi nga listat? Me banditë! Është e vërtetë, i zëvendësoi me banditë, me njerëz që vijnë në Parlament me pistoletë, me njerëz që kërkojnë pronën publike me pistoletë, me njerëz që plagosin për interes privat, i ka zëvendësuar me biznesmenë, që sot i ushqen me tendera. Dhe këta blejnë me lekët e tenderëve blejnë votat për Edi Ramën brenda partisë”,- u shpreh Blushi.
Akuzat e djeshme të Blushit ishin ndër më të ashprat në drejtim të Kryeministrit Rama dhe vijnë vetëm pak ditë pasi gjysma e kabinetit qeveritar ka dalë në mbrojtje të hapur të Edi Ramës, pasi sipas tyre, nuk ka nevojë për votim për Kryetarin e PS-së.
Por dje akuzave të Blushit nuk u është përgjigjur ndonjë ministër, por Erjon Braçe, një prej deputetëve më aktivë të selisë rozë. Braçe është një nga socialistët me karrierë të pasur në forumet e PS-së. Ka qenë një zë i fortë sa herë që cenohej statusi i partisë dhe nuk respektoheshin ligjet e brendshme të PS-së. Por këtë herë Braçe nuk ka zgjedhur të merret me statutin, por me deputetin Blushi. Akuzave të Blushit deputeti Braçe u është përgjigjur me sulm. Në një koment në Facebook, Braçe komenton disa prej qëndrimeve të Ben Blushit, por pa e përmendur atë me emër. Ai merret me tezën e Blushit për kthimin e PS-së në një parti mirëfilli të majtë. Por për deputetin Braçe këto qëndrime të Blushit janë të huazuara nga Sali Berisha.
“Unë mendoj se; PS nuk kthehet majtas duke u bërë populiste. PS nuk kthehet majtas duke u shantazhuar me shpifjet, fyerjet, gënjeshtrat e huazuara nga Sali Berisha. PS nuk kthehet majtas duke detyruar një shoqëri të tërë të paguajë për prona që pronarët nuk i kishin kur u shpronësuan!! E mbani mend këtë?! Kaq për sot, të tjerat në ditët në vijim”,- shprehet deputeti Erjon Braçe. Dhe të imagjinosh se deputeti Braçe akuzon si me tangente deputetin Blushi se, “luan lojën e Saliut” ky është kulmi, pasi ku krahasohet Braçe me Ben Blushin!
Duket dora e yshtjes së Kryeministrit. Në gjithë deklaratat kundër Blushit, që nga Taulant Balla apo Arben Ahmetaj, nën rreshta theksohet se tezat e tij janë të Berishës. Ndaj Braçe nuk ka bërë asgjë më shumë se ka zyrtarizuar një skemë të Ramës. Duke akuzuar Blushin se kritikon qeverisjen si Berisha, synohet ta bëjnë të heshtë, ose të mos e ndjekë njeri në PS. Shkurt është një skemë e njohur që synon si në komunizëm goditjen e “grupeve armiqësore në parti”. Ky është një kurth që në PS nga viti 2005 është ndjekur me mjeshtëri për çdo kritikë ndaj Edi Ramës. Në vitin 2009, kur Blushi fliste për demokracinë në PS u përdor e njëjta strategji. Por atëherë Braçe dhe të tjerë thoshin se duhet të largohet Berisha nga pushteti dhe pastaj të merreshin me partinë. Po sot që Berisha nuk është në pushtet dhe Rama është Kryeministër, kush e pengon debatin për demokracinë brenda partisë.
Duke e lidhur çdo mendim ndryshe në PS, me Berishën, Braçe dhe të tjerë po e bëjnë që vetë Partia Socialiste t’i ngjajë më shumë partisë së Berishës. Sepse ky stil linçimi, akuzash dhe diversionesh ndaj Blushit, vetëm se kërkon zgjedhje në parti, ngjan më shumë me mënyrën sesi Berisha ka trajtuar kundërshtarët e tij në PD, ndër vitet 1992-1996.
Nuk janë tezat e Blushit ato që ngjajnë me akuzat e Berishës, por është PS-ja ajo që ka nisur t’i ngjasojë drejtimit berishian.