Ben Blushi e Mimoza Hafizi dorëzojnë amendamentin: Presidenti nga populli

Deputeti Ben Blushi flet në foltoren e Kuvendit ku këmbëngul se reforma në drejtësi nuk do të mbrojë interesat e të varfërve por interesat e palëve të vogla.

Blushi tha se Shqipëria po i largohet sa më shumë drejtësisë dhe hartuesit kanë hartuar një proces të mbyllur.

Blushi foli për ndryshime kushtetuese të cilat i jepet mundësia popullit të vendosë më shumë ai sesa partitë. Duke nisur nga kjo së bashku me deputeten Mimoza Hafizi dorëzoi një amendament sipas të cilit presidenti të zgjidhet me votat direkte të popullit.

Ben Blushi: Popullit shqiptar u lihet vetëm një e drejtë, të zgjedhë partitë, kurse partive i lihet çdo e drejtë, të zgjedhë gjithkënd përfshi dhe popullin në disa raste. E dini përse: Është cinike por e vërtetë. Në këto 25 vjet 1 milionë njerëz kemi dëbuar nga Shqipëria. Partitë kanë vendosur duke qeverisur keq dhe duke bërë padrejtësi se kush jeton këtu dhe kush duhet të ikë në emigracion.

 Sot është dita për të ndërhyrë më thellë në Kushtetutë për ti dhënë mundësinë më shumë  që populli të vendosë për veten e vet”

“E kam propozuar në parim ndryshimin kushtetues për një President nga populli në 2007. Në atë vit Saliu dhe Edi i dytë dhe produkti i parë i Rilindjes Bamir Topi, të tre këta nuk donin një president nga populli sepse asnjëri nuk do e zgjidhte Bamirin dhe as tjetri nuk do e kishte shok. Nuk kam gjë me Bamirin, por flas për fenomenin. Sot kam vendosur të sjell një amendament së bashku me kolegen time, Hafizi, sipas së cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë të zgjidhet me votë direkte nga shumë shqiptarë.  Ka ardhur koha ta bëjmë dhe ne në Parlament një gol si ato në Francë.

Fjala e deputetit Ben  Blushi:

Ne po përpiqemi me dëshpërim në këtë Parlament të kërkojmë konsensus me një palë minoritare dhe nuk po kërkojmë të gjejmë konsensus me palën maxhoritare Pandi dhe ky është populli i Shqipërisë. Me palën maxhoritare nuk po kërkojmë konsensus. Me të varfrit, me ata që janë dhunuar për 25 vjet, që u janë marrë pronat padrejtësisht, që rropaten nëpër gjykata padrejtësisht, ata nuk po i pyesim për reformën në Drejtësi.

Edhe në qoftë se këtu do gjendet konsensus dhe njëra palë gjen konsensus me palën tjetër, çfarë do të jetë kjo? Dy palë që bëjnë një palë gjejnë konsensus për interesa të përbashkëta të një pale. Më vjen keq ta them por këto janë palë që përfaqësojnë të pasurit e Shqipërisë. Kush i përfaqëson këtu të varfrit? Rilindja? Asnjëherë nuk i ka përfaqësuar. Po të dhunuarit kush i përfaqëson PD? Asnjëherë në 25 vjet nuk i ka përfaqësuar. Po atyre që u merren të drejtat përditë? Askush. Edhe nëse do ketë konsensus për reformën në Drejtësi populli nuk do pyetet. Interesat e tij nuk do mbrohen në këtë Parlament. Në këtë aspekt, ajo që po bëjmë, ose që mund të bëjmë edhe nëse e bëjmë Reformën në Drejtësi, produkti do të jetë një produkt i panjohur burokratik, jo vetëm për shumë nga ne, përfshi edhe mua këtu, por edhe për shumicën e shqiptarëve.

Në 18 muaj askush nuk u përpoq t’ia sqaronte shqiptarëve çfarë është reforma në Drejtësi. Pse kjo arkitekturë e re ndryshon nga e vjetra? Çfarë garancie ka se ky sistem i ri do prodhojë më shumë cilësi, më shumë barazi, do ndryshojë gjykatësit e korruptuar me të rinjtë të arsimuar në Europë apo Shqipëri? Këto pritshmëri askush nuk i ka sqaruar. Në të kundërt kemi krijuar një sistem i cili është formuar nga disa akronime që unë si kuptoj, duken si shkrime të kriptuara si BKH. Pyesni 90% të shqiptarëve ca do me thënë BKH. Apo KED, KLP, KLGJ, SPAK etj.

A i dinë shqiptarët se çfarë janë këto? Mua nuk më intereson ca thotë Oerdi apo Fatmiri, më intereson ca thonë ata që janë në televizor. Unë them që nuk i dinë. Nuk i dinë absolutisht Fatmir sepse keni bërë një proces të mbyllur hermetik. A ka mundësi të më lini të flas ju të Rilindjes? Unë kam 6 muaj që u them që kjo Reformë do shkojë në kalendat greke. Kjo reformë nuk do mbrojë të varfrit, do jetë për interesa palësh të vogla. Hartuesit e reformës mburren se amerikanët, gjermanët dhe europianët mezi po presin. Kur flas për europianë kini parasysh që ka sllovenë, ka sllovakë, ka lituanezë, ka estonezë. Edhe këta mezi po presin reformën tonë? Janë duke vënë syrin te vrima e derës së këtij Parlamenti dhe thonë kur po e miratoni Reformën në Drejtësi?

Jam dakord, sllovenët mezi po presin, francezët mezi po presin, estonezët mezi po e presin, po shqiptarët kush po i pyet? Ata nuk dinë asgjë për këtë reformë, nuk e dinë ca është BKH, SPAK, KLP. Duket si një burokraci që përfundon si ai romani i Kafkës “Kështjella”. E dini pse? Sepse kësaj klase politike i mungon themelorja, i mungon nevoja për të pyetur popullin. Kurrë në 25 vjet nuk e ka pyetur popullin shqiptar se çfarë do, si e do dhe pse e do.

Edhe kjo reformë jo vetëm që nuk i delegon asnjë kompetencë popullit shqiptar, por përkundrazi, nuk e informon fare atë. Nuk po them këtu që prokurorët të zgjidhen si në Amerikë. Pse jo? Atje i zgjedh populli prokurorët. Këtu do ti zgjedhim ne me 2/3 apo 3/5 apo me këto BKH, KLD, KLP e ku di unë se çfarë. Nëse prokurorët i zgjedh populli me votim, kjo është një reformë. që në 1908 e ka pasur këtë Turqia, pra populli të vendoste. Ne po marrim kompetenca për të zgjedhur gjyqtarë, prokurorë, kontrollorët e tyre, populli nuk ka asnjë kompetencë.

Siç thashë, prokurorët nuk do tia jepni popullit asnjëherë se ky është pakti që bëni në këtë sallë, po një njeri mund t’ia kishit dhënë Fatmir. Fole për kushtetutën e 2008 dhe sot mund ta vendosni që prokurorët apo gjyqtarët zgjidhen me 2/3 apo 3/5, po Presidenti e dini me sa zgjidhet? Me 71, njësoj sikur të jetë Inspektor. Kjo mund të ishte një mundësi nëse duam të reformojmë sistemin. T’ia japim Presidentin Popullit. Pandi t’ia kthejmë Popullit. Ia hoqët kompetencat e kreut të Drejtësisë, por populli ka të drejtë ta zgjedhë. E bëjnë polakët, e bëjnë rumunët, e bëjnë bullgarët, maqedonasit, serbët, malazezët. Pse nuk jeni dakord ju dy palët?

Kjo është themelore se si shqiptarëve i japim apo i marrim kompetenca. Ta vendosim ne 140 veta Reformën në Drejtësi apo 3 milion shqiptarë. Asnjë kompetencë nuk po i jepet qytetarëve, përkundrazi po i merren. Në sistemin tonë politik, gjyqësor dhe kushtetues popullit shqiptar i lihet vetëm një e drejtë, të zgjedhë partitë. Kurse partive i lihet çdo e drejtë, të zgjedhë gjithkënd, përfshi edhe popullin në disa raste. E dini pse? Në 25 vjet 1 milion njerëz kemi zbuar nga Shqipëria. Pra partitë kanë vendosur duke qeverisur keq dhe duke bërë padrejtësi se kush jeton këtu dhe kush duhet të ikë në emigracion.

Sot është dita për ti hyrë më thellë kësaj kushtetute, do ishte një mundësi e madhe për ne, për ti dhënë mundësi shqiptarëve për të vendosur pothuajse aq sa ne. Nuk e çojmë dot këtë reformë në Referendum. E dini pse? U shpjegua se duhen 94 vota, po aq sa duhen për të reformuar kushtetutën. Po ç’kuptim ka kjo. Si mund të kemi ne kaq fuqi për të ndryshuar kushtetutën, sa çka populli. Në qoftë se këtë marzh e ulim dhe nuk ka nevojë të ketë 94 vota për të shkuar në referendum, kjo është një mundësi për ta ulur.

Mund të kujtohemi prapë pas 5 apo 10 vjetësh. Vijmë këtu dhe një palë kërkon referendum, pala tjetër i thotë ‘jo nuk ta jap’. Po shqiptarët kanë të drejtë të vendosin për ndonjë gjë? Sa kohë do kemi ne fuqi dhe të drejtë ti bllokojmë? Ne i japim fuqi njeri- tjetrit. Për sa kohë që këtu 94 vota nuk bëhen kurrë reformë nuk do ketë, referendum s’do ketë, populli s’do ketë mundësi të marrë asnjë vendim. Kush është vendimi që marrim ne? Që shqiptarët s’do kenë mundësi të marrin asnjë vendim. Kjo mund të ishte një mundësi për ta reformuar. President nga populli, referendum me më pak se 50% të votave në këtë Parlament.

Ky parlament duhet të jetë më i vogël. 140 burra dhe gra jemi këtu, por shumë pak e kemi justifikuar këtë madhësi në 25 vjet. Në këtë Parlament po të kishte 100 burra dhe gra do kishte më pak vend për injorantë, analfabetë, të dhunshëm. Po nëse kjo nuk do ndodhte? Të paktën 100 burra dhe gra do ti kushtonin shqiptarëve pak më lirë. E dini sa shkon kosto e njërit prej nesh? 4-5 mijë euro në muaj. Hiqni 40 vetë, i bie 2 milion euro në vit. T’ia kthejmë shqiptarëve, pse ti harxhojmë ne kot? Nuk po bëjmë ndonjë punë të madhe se edhe Reformën në Drejtësi s’po e bëjmë dot kemi 18 muaj.

Po ta kishim çuar te shqiptarët do ta kishim votuar para 18 muajsh. Ja pra ky është bilanci i këtij 18 mujori. Nuk ka rëndësi kush e do dhe kush jo. Ka rëndësi që të dy palët nuk po e çojnë dot për ta zgjidhur deri në fund. Për ta mbyllur po u them që kam propozuar në parim ndryshimin kushtetues zgjedhjen e Presidentit nga Populli që në 2007. Në atë vit Saliu i pari, Edi i dyti dhe produkti i parë i Rilindjes ish Presidenti Topi, se kështu u zgjodh, peshkoi Saliu 5 vetë këtej dhe u zgjidh. Të tre këta nuk donin një Presidenti nga Populli për këtë arsye sepse as njëri nuk do zgjidhte dot Bamirin, as tjetri nuk do e bënte dot shok Bamirin dhe as Bamiri nuk do ishte. Nuk e kam me Bamirin e kam me fenomenin.

E kam propozuar në 2007, u rrëzua. Sot kam vendosur ta sjell si amendament. Bashkë me kolegen time, Hafizi, do sjellim një amendament, që shpresoj ta pranoni në parim. Pavarësisht se ai kërkon 28 vota sipas Kushtetutës për tu futur në procedurë, sipas të cilit Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me votë direkte nga populli. Unë e di që kjo është e vështirë për shumë prej jush politikisht. Do kërkojmë vota individuale. Besoj se ka burra dhe gra këtu që kanë pak më shumë koshiencë dhe kanë nevojë të shohin përtej dhe sidomos kanë nevojë të sillen si njerëz të përgjegjshëm për ti deleguar shqiptarëve një diçka të merituar që nuk e kanë pasur kurrë.

Për tu futur në kontekstin e kombëtares, kombëtarja e bëri golin në Francë, ka ardhur koha ta bëjmë edhe ne një gol në këtë Parlament. Ju faleminderit dhe shpresoj që këtë amendament kush ka besim se populli shqiptar duhet të ketë një kompetencë më në fund dhe të zgjedhë njërin prej nesh me votë direkte, ta firmosë.

SHKARKO APP