Ben Blushi reagon për Exit Poll-et: Ramës dhe Rilinjdes i mungojnë 200 mijë vota
Kreu i Libra-s Ben Blushi ka reaguar në lidhje me të dhënat e bëra publike nga exit pollet. Sipas Ben Blushit, mungojnë 200 mijë vota për qeverinë.
Ja çfarë shkruan Ben Blushi: “JO EXIT POLL POR EXIT RAMA. Mos besoni asgjë që nuk ka dalë nga kutitë. Mungojnë 200 mijë vota për Qeverinë. Nuk ka Exit Poll por ka Exit Rama”.
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar më herët për të dhënat e sondazheve dhe exit polleve të bëra nga kompani të huaja në Tiranë.
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama në një konferencë urgjente për mediat nga selia e partisë deklaroi sot në mbrëmje se të dhënat e mbledhura nga vëzhguesit e kësaj force politike tregojnë fitore të LSI dhe fitore në Tiranë. Ai tha se vetëm në qytetin e Tiranës, në 11 njësitë bashkiake, LSI ka marrë 11 mijë vota.
Luan Rama tha se komisionerët e LSI duhet të ruajnë votat dhe të mos ndikohen nga sondazhet e pasakta.
Luan Rama u ka bërë thirrje komisionarëve dhe numëruesve të LSI-së që të mbrojnë çdo votë gjatë procesit të numërimit. Në një mesazh në Facebook, Luan Rama komenton dhe sondazhet e para që kanë dalë në disa media. Ai thotë se “nuk ka sondazh që të mund të tjetërsojë votën e qytetarëve! Komisionerët, vëzhguesit dhe të gjitha grupet tona të vëzhgimit mendjen vetëm tek procesi, për të mbrojtur çdo votë!”,- shprehet Luan Rama.