BLUSHI: LIBRA, 1000 EURO PËR ÇDO BEBE
Nga Ben Blushi.
LIBRA, 1000 EURO PËR CDO BEBE
Shqipëria po plaket dhe po tkurret. Në nje dekadë kemi lindur 50.000 bebe më pak se një dekadë më parë. Në vitin 1990 shtoheshim me 80.000 bebe në një vit, ndërsa sot lindim 30.000 fëmijë në vit. Gjatë vitit 2016 kemi 3000 fëmijë më pak se një vit më parë. Eshtë tragjike masa me të cilën po zvogëlohemi si popull për shkak te dëshpërimit, padrejtësive, papunësisë dhe mungesës kronike të shpresës. Nëse kjo situatë vazhdon pas një dekade do jemi shumë më pak për shkak të lindjeve të ulëta dhe emigracionit masiv.
LIBRA do të bëjë cdo përpjekje për ti bindur shqiptarët të mos ikin si dhe për të stimuluar lindjet duke rikthyer besimin e prindërve se Shqiperia mund të jetë një vend i jetueshëm për femijët e tyre. LIBRA do ndjekë nje politikë të qartë kundër shpopullimit të vendit duke hapur punë për të rinjtë, duke inkurajuar kthimin si investitorë të emigrantëve në Shqipëri si dhe duke nxitur lindjet. LIBRA do paguajë deri në 1000 euro cdo familje për lindjen e një bebeje duke besuar se të shtosh Kombin sot është detyrim që shoqëria duhet ta shpërblejë!