Ben Blushi-Ruçit: Pa merak se në kongres do t’i themi të gjitha

Ben Blushi dhe Gramoz Ruçi debatuan dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist për mandatin e kryetarit të PS-së, ndërsa Edi Rama nuk ka ndërhyrë.Mbledhja e Grupit Parlamentar Socialist nuk u ka shpëtuar debateve, të cilat ditët e fundit ishin bërë vetëm në media me argumente dhe kundërargumente për zhvillimin e zgjedhjeve në PS për kreun e partisë.

Edhe pse Blushi i është drejtuar kreut të PS-së, i cili ishte prezent në mbledhjen e djeshme, duke i kërkuar hapjen e garës në kongres, ku kandidatët të prezantojnë platformat e tyre, ai e ka marrë përgjigjen nga Gramoz Ruçi dhe askush tjetër nga deputetët dhe ministrat nuk është përfshirë në debatin mes tyre.

Që në fillim të mbledhjes së Grupit Parlamentar, Blushi e ka cilësuar mungesën e zgjedhjeve për kreun e PS-së si një mungesë të demokracisë së brendshme në parti.

“Si ka mundësi që në partinë tonë zhvillohen zgjedhjet në të gjitha nivelet organizative, që nga kryetari i organizatës e deri tek asambleja dhe kryesia qendrore e nuk zgjidhet kryetari? Përse nuk bëhet kjo zgjedhje? Të na i thotë kryetari troç, nuk dua të bëhen zgjedhjet dhe arsyet pse”, mësohet të ketë thënë Blushi në mbledhjen e grupit.

Si drejtues i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi i ka kujtuar deputetit socialist se kreu i PS-së është konfirmuar dy herë me fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre vendore në 2015-n dhe kongresi do të jetë vetëm një konfirmim i mandatit të tij. Ruçi i është referuar modelit laburist se kur partia fiton zgjedhjet, automatikisht konfirmohet edhe mandati i kryetarit.

“Do të jetë kongresi i partisë i 19 marsit që do të bëjë konfirmimin e mandatit të kryetarit dhe nuk do të ketë nevojë për proces zgjedhor për kryetarin”, mësohet të jetë përgjigjur Ruçi. Por kjo përgjigje e kreut të grupit nuk e ka kënaqur Ben Blushin, i cili, edhe pse i ka kujtuar se debatin nuk e ka me Ruçin, nuk ka marrë asnjë reagim nga Edi Rama që ndiqte në heshtje diskutimin.

“Ne kemi një statut që e kemi ndryshuar dhe miratuar me vullnetin tonë të plotë, por nuk mund të pranoj që ky statut të zbatohet sipas nivelit të humorit të kryetarit. Statuti është Kushtetuta e partisë dhe ai zbatohet pa interpretime”, mësohet të jetë përgjigjur Blushi. Ruçi i është përgjigjur pretendimit të Blushit për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të vendosur për datën e re të kongresit, duke e cilësuar atë të panevojshme.

Por kur diskutimi po merrte trajta teknike rreth dokumenteve të Partisë Socialiste, Ruçi i ka kujtuar Ben Blushit që të mos harrojë të plotësojë formularin e ri të anëtarit të partisë si domosdoshmëri për të plotësuar databazën e regjistrit elektronik.

Për Ben Blushin, zbatimi i statutit lidhet edhe me besueshmërinë e qytetarit te Partia Socialiste, në një moment kur kjo parti është në mes të fushatës për të shtuar numrin e anëtarësisë.”. Ne kongres do ti themi të gjitha!- ka përfunduar Blushi.

SHKARKO APP