Bojkoti i dytë i Partisë Demokratike

Partia Demokratike paralajmëroi dje bojkotin e Parlamentit dhe krizë politike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, listoi tre kushtet për mazhorancën. Kushti i parë ka të bëjë me deputetin Armando Prenga, ndaj të cilit edhe pse ka akuzë për tentativë për plagosje Gjykata e Lartë i hoqi arrestin shtepiak, ndaj dy ditët e fundit është rikthyer në Kuvend. Partia Socialiste tha dje se Prenga nuk është më deputet i grupit të saj parlamentar, por pavarësisht kësaj rikthimi në sallën ligjvënëse të një personi që ka qëlluar më armë për Partinë Demokratike është provokim i hapur.

Kushti i dytë lidhet sërish me emra deputetësh. Janë tre deputetë të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. PD-ja pretendon se tre deputetët dhe të afërmit e tyre kanë marrë fonde nga buxheti i shtetit, çka përbën shkelje të Kushtetutës dhe automatikisht duhet të lënë mandatin. Për Koço Kokëdhimën çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe sipas PD-së vendimi për heqjen e mandatit po pengohet nga ndërhyrjet e Kryeministrit Edi Rama në këtë gjykatë. E njëjta gjë vlen dhe për deputetët Leskaj dhe Suli, të cilët për PD-në prej kohësh duhet të kishin lënë mandatin.

Kushti i tretë e PD-së lidhet me miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Edhe pse marrëveshja për dekriminalizimin kaloi në muajin dhjetor, aktet ligjore që do bëjnë të mundur largimin e personave me precedentë penalë në administratë ende nuk janë miratuar. Sipas Partisë Demokratike vonesa e miratimit të ligjeve në Kuvend bëhet qëllimisht nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama për të mos larguar nga detyra njerëzit me probleme me ligjin. Pa miratimin e këtyre ligjeve Basha tha se “nuk do të ketë më jetë parlamentare”. Në këtë pikë ka shumë të drejtë PD-ja. Pse nuk i kalojnë në seancë parlamentare miratimin e ligjeve që të largojnë një orë e më parë krejt kriminelët që kanë hyrë në politikë apo kanë marrë poste në administratën e shtetit?

Ky është bojkoti i dytë i Partisë Demokratike që për ironi nis me të njëjtin emër. Në maj të vitit 2014 Armando Prenga goditi deputetin demokrat Gent Strazimiri. Sherri mes deputetëve u bë shkas që pas disa ditësh PD-ja të bojkotonte Kuvendin dhe të niste betejën për dekriminalizimin. Gati dy vite më pas opozita rikthehet sërish me çështjen e dekriminalizimit dhe prapë me deputetin Prenga rinis bojkotin.

Pretendimet e ngritura nga PD-ja mund të jenë korrekte, sipas tyre, por koha kur vendoset shpallja e bojkotit lidhet dhe me një sërë zhvillimesh të tjera politike. Në muajin mars pritet që Komisioni i Venecias të sjellë draftin përfundimtar të reformës në drejtësi. Pas këtij afati duhet që palët të nisin dialogun politik për votimin e tij në Kuvend. Edhe nga ndërkombëtarët muaji mars është cilësuar si koha kur duhet të kalojë reforma. Nisja e bojkotit të PD-së dhe pse nuk ka në qendër reformën në drejtësi, por automatikisht e përjashton opozitën nga ky proces. Në fakt kriza që po tenton të prodhojë PD-ja parimisht ka të bëjë me dekriminalizimin, ndonëse praktikisht është bojkot i reformës në drejtësi. Kështu e përkthejnë në selinë e PS-së. Me një PD jashtë Kuvendit është e vështirë që mazhoranca të gjejë gjuhën e konsensusit. Para reformës tashmë ka një tjetër krizë për të zgjidhur, Edi Rama.

Basha kërkoi dje “kokën” e katër deputetëve të pozitës për të vijuar me punimet e Kuvendit. Një kusht që edhe pse në parim mund të jetë i drejtë, është i pamundur të plotësohet nga Partia Socialiste. Në pikën që ndodhen reformat, Kryeministrit Edi Rama i duhen më shumë se kurrë votat e deputetëve problematikë socialistë megjithë koston politike që ka mbajtja e tyre afër Partisë Socialiste.

Lulzim Basha dje goditi fort duke e bërë Edi Ramën që të nxitojë të miratojë ligjet për zbatimin e marrëveshjes së dekriminalizimit të politikës dhe administratës. Në rast të kundërt, ku nuk duket se do ti bëjë PS-ja, opozita do të jetë më radikale, aq me tepër se tani po del edhe pranvera e koha bëhet më e kendshme për protesta kundër qeverisë.

Ndërsa nga Suedia Kreu i Kuvendit Ilir Meta tha se duhet konsensus politik për reformën, sikurse u kërkoi edhe pala gjermane ministrit të drejtësisë Manjani në Berlin. Pra reforma ka hyrë në rrethrrotullim, kur nuk dihet kahu i daljes nga ky qark.

Të gjithë bërtasin se duam reformën në drejtesi, por asnjë nuk bën dialog të hapur se si duhet reformar. Dhe më pas tregojnë gishtin tregues se “ti je fajtori!”. Por asnjeri nuk e merr përsipër se po saboton reformën.

Nëse bojkoti i PD-së do të jetë për pak ditë atëhere nuk është bojkot, por një gjest opozitar sa për t’i thënë mbështetsve se ” jemi kundër Ramës”. Dhe prapë PD-ja kthehet në vendnumërim.

SHKARKO APP