Braçe, kundër Blushit: Shpifje dhe gënjeshtra të huazura nga Berisha
Një nga deputetët më aktivë të Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka reaguar sot lidhur me debatin për zgjedhjen e kreut të PS-së.
Në një postim në Facebook, Braçe komenton disa prej qëndrimeve të Ben Blushit, por pa e përmendur atë me emër. Ai merret me tezën e Blushit për kthimin e PS në një parti mirëfilli të majtë. “…Çfarë është sot PS? E majtë apo e djathë, për mua nuk është as njëra, është diçka kaotike, i shërben disa interesave që janë klienteliste por që nuk janë as të majta e as të djathta. Do ta kthej partisë socialiste majtas. Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë nevojë për një parti të majtë dhe varfëria është më e lartë. Të varfrit kanë nevojë për një pari që u del për zot. Investime të huaja nuk ka, jo se taksat janë të larta por sepse që të investosh në Shqipëri duhet të trokasësh te një derë, të jesh klientelë me dikë. Unë nuk dua ta bëj këtë. Partia Socialiste nuk mund të jetë parti klienteliste”,- u shpreh sot Ben Blushi.
Por për deputetin Braçe këto janë shpifje të huazuara nga Sali Berisha.
“Unë mendoj se; PS nuk kthehet majtas duke u bërë populiste. PS nuk kthehet majtas duke u shantazhuar me shpifjet, fyerjet, gënjeshtrat e huazuara nga Sali Berisha. PS nuk kthehet majtas duke detyruar një shoqëri të tërë të paguaj për prona qe pronaret nuk i kishin kur u shpronësuan!! E mbani mend këtë?! Kaq për sot, të tjerat në ditët në vijim”,- shprehet deputeti Erjon Braçe.
.