Bregu: Të mendojmë për fitoren e PD. Pas zgjedhjeve diskutojmë për Bashën
Jozefina Topalli dhe Arben Imami kërkuan dje shkarkimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Shkak për këtë kërkesë u bë listat e kandidatëve të PD-së, që sipas Topallit dhe Imamit nuk ka reflektuar asnjë nga problematiket dhe vlerat që ka PD-ja.
Dje u fol për nisjen e procedurave në selinë blu për shkarkimin e Bashës. Por Majlinda Bregu dhe Astrit Patozi, dy prej deputetëve që kanë mbetur jashtë listave të kandidatëve nuk e mbështesin idenë e Imamit dhe Topalli. Dje Patozi tha se PD-ja ka probleme, por më parë duhet të mendohet për fushatën.
Në të njëjtën linjë ka qenë sot edhe deputetja Majlinda Bregu. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Bregu shprehet se sot ajo që i intereson çdo demokrati është fitoja e PD-së. Ndërsa për çështjen e kryetarit Basha, Bregu shprehet se kjo do të diskutohet pas zgjedhjeve.
Majlinda Bregu njihet si një prej kritikeve më të ashpër te Lulzim Bashes gjatë 4 viteve në opozitë, duke filluar nga reforma në drejtësi, humbja në Dibër e deri tek qëndrimi i saj kundër bojkotit te zgjedhjeve parlamentare.
Zonja Bregu, ju u takuat dje me Zonjën Topalli, por a e mbështesni ju idenë e saj për shkarkimin e zotit Basha, para 25 qershorit?
Majlinda Bregu: Nuk është hera e parë që flas për forumet dhe as për statutin e Partisë Demokratike, i cili në fakt ka një të vërtetë dhe ky është fakt tashmë, të cilën e kemi diskutuar dje dhe në një kafe shumë miqësore me miq që statuti nuk është respektuar dhe është shkelur. Megjithatë mua më intereson më shumë sot, dhe besoj të gjithë ne së bashku na intereson Partia Demokratike. Na intereson që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë e fortë, Partia Demokratike të maksimalizojë rezultatin e saj në zgjedhjet e qershorit dhe njëkohësisht ajo për të cilën besoj ka interes çdo demokrat i vërtetë është që Partia Demokratike si shtëpia e madhe e lirisë së shqiptarëve të vazhdojë të jetë po aq e fortë sa ka qenë dhe jo të ekzistojë si gjallesë fantazëm e republikës së re. Kjo është më e rëndësishme për ne, dhe të siguroj që si unë edhe të gjithë kolegët që kemi takuar dje nuk kemi asnjë interes tjetër primar përveç interesit për të punuar me të gjitha mundësitë që do kemi në këtë fushatë pro Partisë Demokratike.
Analiza për Kryetarin pas zgjedhjeve?
Majlinda Bregu: Eshtë shumë mirë që ka një zgjim më të madh sot të të gjithë demokratëve për të kuptuar dhe për të adresuar problemin atje ku realisht ka qënë gjatë gjithë kësaj kohe. Unë vazhdoj të besoj që Partia Demokratike është e të gjithëve, nuk është parti as e kryetarit aktual dhe s mund të jetë kurrë parti vetëm e Njëshit.
Nje dite me pare Jozefina Topalli e Arben Imami u bene thirrje strukturave te Partisë Demokratike t’i bashkohen iniciativës per shkarkimin e Lulzim Bashes nga posti i kryetarit te Partisë Demokratike, si e vetmja rruge per te ndalur shkatërrimin e PD; por ky aksion politik duket se nuk është mbështetur as nga Bregu e as nga Patozi.