Dalja e Britanisë nga BE, efektet që mund të shkaktohen në Shqipëri

Placeholder Image

Në një valë të parë, Shqipëria mund të mbetet e painfektuar nga dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian. Marrëdhëniet tregtare me këtë shtet janë pothuajse inekzistente (vetëm 0.7% e volumit tregtar), numri i emigrantëve është shumë më i ulët se në Greqi e Itali, investitorët anglezë nuk është se e kanë pasur ndonjëherë në radarët e tyre vendin tonë.

Sipas një raporti të fundit të OKB-së, numri i emigrantëve shqiptarë në Britani ishte 10 mijë persona, nga 1.12 milionë shqiptarë që janë të shpërndarë nëpër botë.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) nga Britania e Madhe ishin vetëm 5 milionë euro në vitin 2013 (viti i fundit i raportuar nga Banka e Shqipërisë), ose 0.6% e totalt të investimeve në atë vit. Ndërsa stoku i IHD-ve, deri në fund të 2013-s ishte vetëm 11 milionë euro, apo 0.4% e totalit.

Por, në një afat të mesëm, nëse dalja e Britanisë nga BE do të zhysë Europën dhe gjithë botën, që sot është tepër e ndërlidhur, në krizë, pasojat do të bëheshin shpejt të dukshme. Shqipëria është e lidhur ngushtë me pjesën tjetër të Bashkimit Europian dhe nuk mund të shpëtojë pa u infektuar. Një shembull i thjeshtë është ajo që ndodhi në vitin 2008, ku megjithëse nuk u prekëm direkt nga vala e parë e krizës bankare për shkak të integrimit të ulët financiar, vendi vuajti më pas një frenim të investimeve, vështirësi të eksporteve dhe ngadalësim të përgjithshëm të rritjes ekonomike, që edhe sot, (kur zgjerimi nuk pritet më shumë se 3%) vijon të jetë shumë larg ritmeve të rritjes prej 8% që arritën para 2008-s. Efekti më i dukshëm mund të jetë një ngadalësim i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria realizon vetëm 0.6% të tregtisë me Britaninë

Tregtia e jashtme e Shqipërisë do të ndikohet drejtpërsëdrejti vetëm lehtësisht nga Brexit. Tregtia me Britaninë e Madhe zuri vetëm 0.6% të volumit tregtar të vendit me jashtë për periudhën katërmujore janar-prill 2016.

Edhe pse në Britani ka një komunitet të madh shqiptarësh, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë tejet modeste. Gjatë katërmujorit të parë 2016 eksportet shqiptare në Britani ishin vetëm 112 milionë lekë, dukë zënë vetëm 0.2% të totalit të eksporteve shqiptare. Tre produktet kryesore të eksportuara janë giza dhe çeliku (Kurum, kompania kryesore e prodhimit të çelikut ka falimentuar tashmë), alumini dhe përgatitjet e drithërave.

Shqipëria vepron aktualisht me vendet e Bashkimit Europian, në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si pjesë e procesit të integrimit në BE, që parashikon krijimin e një zone të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE në një periudhë kohore 10-vjeçare. Dalja e Britanisë nga BE do të bënte të pavlefshme marrëveshjen e tregtisë së lirë me këtë shtet.

Importet nga Britania patën një peshë specifike prej 1.2%në totalin e importeve në fund të katërmujorit të parë, duke zënë 1.2% të peshës të totalit. Produktet kryesore të importuara janë

Vendi ynë ka një përqendrim të lartë të tregtisë së jashtme me Italinë dhe Greqinë. Partneri me peshën më të madhe në eksportet me Shqipërinë është Italia e cila zuri 50.9% në vitin 2015. Partneri i dytë tregtar në eksporte për vitin është Kosova, me 8.6% të eksporteve vitin e kaluar. Gjatë periudhës 2011-2015, eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të konsiderueshme drejt Italisë, Kosovës, Spanjës dhe Maltën. Në krahasim me pesë vite më parë, harta e eksporteve shqiptare duket se është diversifikuar ndjeshëm.

Gjithashtu është sa u përket importeve Shqipëria ka përqendrim të lartë me Italinë nga e cila vijnë 30.3% e mallrave. Partneri i dytë në importe është Kina me 8.6%. Turqia, është partneri i tretë tregtar për sa i përket peshës në importe me 8.0% të totalit në vitin 2015 nga 5.6% që ishte në vitin 2011 e ndjekur nga Greqia me 7.8% të importeve në vitin 2015 nga 10.6% që ishte në vitin 2011. Në strukturën e importeve në vitin 2015, partnerët me peshën më të madhe vijojnë, Gjermania me 6.7%, Serbia me 3.8%, Franca me 2.2%, Rusia me 2.2% etj.

Por, nëse partnerët tanë (kryesisht Italia) kanë marrëdhënie tregtare ose e kanë treg shitjeje Britaninë, kjo mund të prekte kontratat e eksportuesve shqiptarë (psh një kompani tekstile ose këpucë italiane që shet në tregun britanik dhe realizon një pjesë të proceseve në Shqipëri).

Flet Lavdrim Lita, MA në European College. Koordinator i komunikimit në Eu Policy Hub

“Pasojat e Brexit për BE dhe Ballkanin Perëndimor”

Qytetarët britanikë kanë vendosur përmes referendumit të mos jenë më pjesë e Bashkimit Europian, duke i dhënë fund një marrëdhënie 40-vjeçare. Letrat ligjore të divorcit do të përgatiten në dy vitet e ardhshme. Pozicioni i Britanisë së Madhe erdhi si kërkesë e popullatës të shqetësuar prej pasojave të krizës së gjatë ekonomike-financiare dhe valëve të reja të migracioneve.

Në qendër të BE-së dhe në qendër të marrëdhënies së Britanisë me kontinentin europian, është tregu i përbashkët. BE është partneri i parë dhe më i madhi i Britanisë, e përllogaritur në 45% të eksporteve dhe 52% të importeve në 2014, si dhe Tregu i Përbashkët Europian (TPE) me më shumë se 500 milionë konsumatorë. Britania ka nevojë për akses në këtë treg dhe do të bëjë çdo gjë për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE pa qenë anëtare, duke marrë si shembull marrëdhënien që kanë vendet kandidate me BE.

Britania e Madhe, pa votën e saj në vendimmarrjen e BE-së, do të duhet të rishikojë pozitën e saj globale dhe në të njëjtën kohë, BE-ja do të dobësohet në planin ndërkombëtar. Reagimi i BE-së së 27 vendeve pritet të jetë përmes një traktati të ri politik, që do të ndryshojë asetin institucional dhe operativ, si e vetmja mënyrë për të dekurajuar rritjen e partive euroskeptike.

Padyshim, BE pa Britaninë e Madhe është një partner i dobët për SHBA-në në tryezën ndërkombëtare. Fragmentarizimi i BE në një kohë sfidash globale si kjo e sotmja do të japë një efekt kaskadë në recesionin ekonomik, në krizën financiare në Eurozonë, në fenomenin migrator, mbi terrorizmin dhe kërcënimet nga Rusia. Kjo e fundit prej kohësh shpreson në një fragmentarizim të frontit perëndimor kundrejt politikave të saj ekspansioniste në Ukrainë dhe në vendet baltike.

Rezultati i sotëm i referendumit britanik ka një ndikim të madh për vendet kandidate për anëtarësim në BE. Vendet kandidate si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi humbasin një mbështetëse të tyre brenda BE-së. Mbështetja e Britanisë së Madhe për zgjerimin lindte për shkak se zgjerimi i BE, në këndvështrimin strategjik të Londrës, ishte një lëvizje për të shmangur thellimin e bashkëpunimit të ngushtë në nivel europian (Schengen, Eurozona, etj.), pasi sa më shumë anëtarë, aq më e vështirë është për t’u menaxhuar në nivel politik. Padyshim, tema e zgjerimit të BE-së do të kalojë në plan të dytë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të humbasin fuqinë e forcës transformuese të procesit të integrimit. Vëmendja e BE-së do të përqendrohet tërësisht te rivendosja e marrëdhënieve të të gjitha formave me Britaninë. Më pak vëmendje financiare ndaj rajonit do të thotë mungesë e vullnetit për të bërë reformat e kërkuara nga BE, të cilat do të ngadalësohen sepse kanë kosto politike dhe elektorale. Më pak vëmendje politike e orientuese nga BE–ja drejt rajonit do të shoqërohej me paqartësi në rritje, ku shtete që aktualisht kanë qeveri proeuropiane do të humbin terren kundrejt partive që janë për një alternativë tjetër orientimi.

Serbia, që sot ka një qeveri “proeuropiane”, do të humbiste terren kundrejt partive të tjera radikale e nacionaliste me orientim rus. Rikthimi i nacionalizmit shovinist në rajon nuk është i pamundur në mungesë të një ideje konkrete europiane. Maqedonia e drejtuar pas kuintave nga familja Gruevski do të ruajë status quo-në në politikë, duke refuzuar çdo ndërhyrje europiane në vendimmarrje. Kosova humb më shumë nga dalja e Britanisë. Prishtina ka marrë mbi 2 miliardë euro ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999. Ndërsa në fillim ishin të përqendruar në aksione emergjente dhe rindërtim, tani këto ndihma përqendrohen kryesisht në mbikëqyrjen e Kosovës në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe zhvillimit stabël ekonomik për një të ardhme të sigurt europiane. Taksapaguesit britanikë dhe të gjithë paguesit e BE-së shpenzojnë 111 milionë euro në vit për Misionin EULEX në Kosovë. Ripërkufizimi në ulje i misionit dhe buxhetit të BE-së ndaj Kosovës do të bëhet i pashmangshëm.

Dalja e Britanisë së Madhe (Brexit) do të jetë një kosto e madhe ekonomike mbi shtetet anëtare të BE-së, vendet kandidate dhe atyre që aspirojnë për t’u integruar në BE. Efekti domino i daljes së Britanisë së Madhe nga BE do të shoqërohet drejtpërdrejt me rritje të ndikimit të partive euroskeptike që kanë filluar të kërkojnë referendume të tjera për të dalë nga BE, çka dëmton në mënyrë të pashmangshme projektin europian, si një projekt paqeje dhe prosperiteti ekonomik./ Monitor.

SHKARKO APP