Ish-presidenti Nishani: Të publikohet deklarata e Saimir Tahirit në KS

Çështja “Tahiri” dhe kanalizimi i vendit ka sjellë në vëmendje qëndrimet zyrtare që janë mbajtur për drogën nga institucionet shqiptare. Në muajin shkurt të këtij viti, Bujar Nishani, në atë kohë Presidenti i Republikës, thirri me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mbledhja u zhvillua me kërkesë të Kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Në qendër të saj ishte kanabizimi i vendit dhe çështja e mos arrestimit të Klement Balili, një i dyshuar për trafik droge. Departamenti i Shtetit Amerikan dhe shërbimet e vendeve partnere kishin ngritur shqetësimin për rritjen e trafikut të drogës nga Shqipëria. Të gjitha institucionet e sigurisë në vend, Ministria e Brendshme, SHISH, Prokuroria etj, raportua para kreut të shtetit për situatën.

Sot kur në skenë është rikthyer përfshirja e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës, ish-Presidenti Bujar Nishani fton mediat që të kërkojë zbardhjen e kësaj mbledhje të nivelit të lartë. Në një intervistë për “Channel One”, ish-presidenti Bujar Nishani i ka bërë thirrje Presidentit aktual, Ilir Meta dhe medias, që të zbardhin dhe bëjnë publike, mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që thirri për çështjen e kanabizimit të vendit.

 “Unë do të ftoja gjithë gazetarët që të kërkonin trankriptin e asaj mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të perifrazonin qëndrimet nga Presidenti i Republikës dhe secili prej anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare përfshirë edhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Kjo pasi besoj që për interesin publik mund të deklasifikohet, për momentin, pasi tani nuk ka më sekret shtetëror dhe shpresoj që administrata e Presidentit të Republikës ta deklasifikojë dhe të bëhet e ditur për opinionin publik”,- është shprehur ish-kreu i shtetit.

Bujar Nishani nuk ka preferuar që të japë detaje për atë çfarë është thënë në atë mbledhje, por apeli i tij duket se ka lidhje me fakte të cilat janë diskutuar në atë tryezë, pas shqetësimeve të ndërkombëtare për dosjen “Habilaj” dhe përfshirjen e mundshme të ish-ministrit, Saimir Tahiri

Në këtë mbledhje, Tahiri ka raportuar para gjithë drejtuesve të shtetit dhe shërbimeve të sigurisë lidhur me masat që ka marrë për frenimin e fenomenit të drogës. Ish-presidenti Nishani duket se i reforohet detajeve që ka dhënë ish-ministri, të cilat nuk i janë bërë të njohura opinionit publik.

I pyetur se, a është koha për rimbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për kanabizimin e vendit por edhe dyshimeve për lidhje të segmenteve politike dhe të policisë me krimin, për Nishanin, është presidenti i vendit ai që duhet të vendosë një gjë të tillë.

“Ajo është një çështje që i takon Presidentit të Republikës, por situata në të cilën u mblodh Këshilli i Sigurisë ishte pikërisht shqetësimi që kishin institucionet ligjzbatuese të vendit, partnerët ndërkombëtar dhe Presidenti i Republikës”,- tha Nishani.

Duke u ndalur tek Reforma në Drejtësi dhe mundësia e kapjes së saj nga politika, me rastin e fundit kur mazhoranca votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, Nishani deklaron se kryereforma mbetet e rrezikuar. “Reforma në Drejtësi është e sfiduar, Reforma në Drejëtsi mbetet e rrezikuar. Unë uroj dhe shpresoj që të shoh vijimësinë e reformës në sistemin e drejëtsisë, por sot më shumë sesa kurrë ka evidentuar faktin sesa e rëndësishme është ruajtja dhe mborjtja nga kapja politike e mekanizmave të reja dhe institucioneve të reja që do të krijohen dhe individëve të cilëve do t’iu besohet ky proçes”,- tha Bujar Nishani.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, 3 shkurt 2017 (Foto arkiv)

SHKARKO APP