Bushati kërkon burg për pronarët e mediave dhe jo për gazetarët
Burg për pronarët, jo për gazetarët
Nga Andi Bushati.
Një nismë idiote për censurimin e mediave që do të raportojnë për punën e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale është kthyer këto ditë në një debat të madh për lirinë e shtypit në Shqipëri. Ajo parashikon burg për ata gazetarë që do të ushtrojnë një nocion absurd si “influenca e papërshtatshme” ndaj njerëzve që do të hetojnë dhe gjykojnë të paprekshmit e këtij vendi.
Pavarësisht debatit kush e futi dhe kush do të tërhiqet i pari, a do të kalojnë në kuvend nenet tashmë të famshme “13” dhe “6”, kjo nismë për të penalizuar mediat nuk është një rastësi. As një lapsus.
Ekspertët që kanë parashikuar me arrogancë dhe symbylltësi penalizime të denja për republika bananesh kanë pasur një qëllim.
Sado të dobët profesionalisht, sado racistë apo antishqiptarë, sado arrogantë në arritjen e qëllimeve të tyre, ata, nuk mund të mos e kenë ditur se formulime të tilla bien ndesh me liritë, të drejtat e njeriut dhe me kushtetutën e këtij vendi.
E megjithëatë e kanë marrë guximin ti fusin në drafte.
Pse?
Sepse kanë një qëllim preciz.
Ata janë konceptuesit e një reforme që do përpiqet të godasë elitën e korruptuar të këtij vendi. Ata po bëjnë gati arkitekturën e një sistemi që do të çojë në burg jo vetëm politikanë të korruptuar, por edhe biznesmenë të mëdhej që i kanë paguar ata, apo pronarë mediash që kanë përfituar nga paratë publike.
Për këtë qëllim, ata e dinë, parktika edhe e vendeve të tjera të ngjashme u’a ka rrëfyer, se nëse ky mekanizëm do të vihet në punë, mediat e korruptuara të vendit do të jënë kundër.
Ata e kanë të qartë se Tv-të dhe gazetat tradicionale do të përdorin çdo armë dhe çdo mjet që një përpjekje e vërtetë e prokurorëve dhe gjykatësve specialë të mos përfundojë me një qilizëm të gjithanshëm.
Arsyeja është e thjeshtë.
Mediat tona kanë qenë mbështetja kryesore e politikanëve të korruptuar dhe kanë ndjekur të njëjtën rrugë me ta për të grabitur këtë vend. Ato kanë qenë avokatet më të mëdha të hajdutërisë sistematike.
Jo më kot pronarët e tyre janë bërë ndërtuesit më të mëdhej. Jo më kot ata ndajnë toka, prona, para publike, parkingje dhe kioska qytetesh.
Prova më e prekshme e një realiteti të tillë është fakti se kur ndonjë nga bosët e mediave, rrëmben prona të paligjshme, ndërton aty ku nuk shkon dot as imagjinata, ndikon ti ndryshojë rrjedhën tenderave të pafitueshëm, asnjë nga partitë e mëdha nuk belbëzon. Ato shndërrohen në aleatë për të mbrojtur veglat e tyre me anë të të cilave mbajnë të nënshtruar shqiptarët.
Për këto arsye pra, konceptuesit e reformës në drejtësi janë të bindur se nëse një ditë do të ketë një betejë frontale me paligjshmërinë, mediat trediciaonale do të jenë në llogoren e kundërt.
Prandaj ata kanë hartuar këto nene që synojnë të cënojnë ndikimin mediatik.
Por, fatkeqësisht, ata kanë dhënë zgjidhjen e gabuar për një problem të ngritur drejtë.
Pikë së pari, sepse mënyra si ata e kanë konceptuar zgjidhjen e tij është skandaloze dhe përbën një precedent flagrant për të asfiksuar profesionin e gazetarit.
Por mbi të gjitha, sepse duke dashur të diagnostikojnë të keqen, ata e kanë vënë gishtin mbi pasojën, jo mbi shkakun.
Mënyra se si kanë dashur ata ta të pengojnë « ndikimin e papërshtatshëm » penalizon drejtpërdrejt gazetarët dhe jo fajtorët e vërtetë, që në këtë rast janë pronarët e mediave të mëdha.
Natyrisht edhe të parët, shpesh të shndërruar nga halli në çirakë, të vënë nën presionin e mosdhënies së pagave, sigurimeve apo largimit nga puna, kanë përgjegjësinë e tyre për mosrezistencën. Por, faji i tyre që do të nënshkruajnë artikujt, do të recitojnë nëpër ekrane aktet që do të quhen si “influence e paligjshme”, megjithsëe i pamoralshëm, është ku e ku më i lehtë sesa dëmi i planifikuar nga padronët që luajnë fijet në prapaskenë.
Por, fatkeqësisht nenet “6” dhe “13” janë konceptuar si penalizmim për gazetarët dhe jo për pronarët.
Ndërkohë që, nëse reforma do të bëjë vërtet drejtësi, ajo ka një rrugë tjetër për ta arritur këtë. Ajo nuk mund të mbështetet tek nene të tilla absurde që shkelin kushtetutën dhe mbysin lirinë e shprehjes.
Ajo, siç synon të bëjë dekriminalizimin e politikës, duhet të tentojë edhe dekriminalizimin e medias nga oligarkët që po e mbysin.
Dhe për këtë mjafton që kur të fillojnë punën, ata prokurorët dhe gjykatësit specialë, të hetojnë për pronësinë fallco dhe për emrat e rremë që mbretërojnë në krye të TV-ve shqiptare.
Sot, për këtë lojë me pronarë fallco, televizioni më i madh në vend është përfshirë në një proces maratonë mes ortakëve, ndërsa konkurenti i tij direkt është ende në kushte paligjshmërie flagrante. Në të njëjtën pozitë janë edhe TV të tjera më të vogla.
Nëse duan vërtet dhe kanë këllqe të bëjnë drejtësi, prokurorët dhe gjykatësit specialë le të hapin letrat se si është shpërndarë paraja publike dhe reklama shtetërore, le të hapin dosiet e lejeve të ndërtimeve, le ti hyjnë verifikimit të pasurive të bosëve mediatikë dhe bilanceve të mediave të mëdha.
Ky do të qe vërtet një hap real për dekriminalizimin e mediave.
Ky do të qe gjithashtu një afirmim, se kjo aradhë e re xhusticierësh e ka me të vërtetë spastrimin e elitës së korruptuar shqiptare.
Ndërsa, mënyra e turpshme se si janë konceptuar nenet “6” dhe «13», më shumë se sa një shpresë se dikur do të bëhet drejtësi, i ngjan një manovre të turpshme për ti krijuar qetësi, njerzve që po bëhen gati për luftë. Ata vërtet i meritojnë privilegjet, pagat e larta, pensionet dinjitoze dhe garancitë për të afërmit e tyre. Por ama një gjë s’mund t’u sigurohet me ligj: aftësia për tu rezistuar presioneve.
Pikërisht sepse do ti mbrojë edhe nga kjo, mendësia e dy neneve tashmë të njohura, përveçse e padrejtë është edhe burracake.(lapsi)