Byroja Kombëtare e Hetimit do të drejtohet nga një prokuror i pavarur
Nisur nga problemet që kanë hetimet e çështjeve të rëndësishme, krijimi në Shqipëri i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-ut pranë institucionit të Prokurorisë për të luftuar korrupsionin, janë një ndër kushtet kryesore që SHBA i ka vënë zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Madje për këto dy struktura, amerikanët kanë marrë përsipër të trajnojnë stafin, përzgjedhin atë dhe të investojnë miliona dollarë për krijimin e saj.
Ora News ka mësuar se Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një strukturë krejt e veçantë, e cila do të ketë në përbërje të saj një trupë policore të zgjedhur për hetimin e krimeve te rënda dhe korrupsionit.
Struktura do të jetë e përhershme e paguar nga policia dhe do drejtohet nga struktura e përhershme SPAK.
SPAK do të drejtohet nga një prokuror i pavarur, i cili do të jetë shtetas shqiptar dhe do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë Prokurorisë.
Modeli i kësaj strukture në Shqipëri është një gërshetim mes modelit kroat dhe rumun, të cilat janë konsideruar si të suksesshme.Ndërtimi i kësaj strukture është parë e nevojshme për të shmangur paqëndrueshmërine e strukturave policore dhe cilësinë e oficerëve të policisë gjyqëqsore, të cilët pasi të përzgjidhen do të kalojnë në makinën e së vërtetës.
Nuk është hera e parë që Prokuroria tenton të krijojë struktura të posaçme për të hetuar krimet e rënda.
Tentativa e parë është bërë në 2001, ku në krye të Prokurorisë ishte prokuror Arben Rakipi.
Në këtë kohë në Prokurorinë e Përgjithshme u ngrit një strukturë me 15 prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore dhe më pas në 2004, kur organi i akuzës drejtohej nga Dhori Sollaku.
Në këtë kohë u huazua nga policia ish- zëvendës/prokurori i Tiranës, Kostaq Beluri, i cili u emërua Drejtor i hetimit të krimit të organizuar. Në rastin e parë u hetuan çështje të rëndësishme, një ndër tyre edhe dosja “kokaina”.
Ndërsa e rastin e dytë, në vitin 2004 u kap sasia më e madhe e heroinës megjithëse nuk kishte mundësi përgjimi të celularëve, pasi Shqipëria arriti të përgjojë celularët vetëm në 1 gusht të vitit 2005.