Çamët ultimatum Athinës: Duam të kthehemi te tokat tona në Çamëri, në Greqi

Shoqata “Çamëria” dhe Parti për Drejtësi Integrim dhe Unitet zhvilluan një tubim masiv para Ambasadës së Greqisë në Tiranë. Protesta kishte si qëllim kryesor kërkesën për më shumë transparencë në negociata që po zhvillohen mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë. Arsyeja e protestës masive të komunitetit çam në Shqipëri lidhet dhe me disa fakte të publikuara nga pala greke lidhur me negociata. Sipas zyrtarëve grekë, pjesë e kërkesave të Athinës veç varrezave të ushtarëve grekë, detit dhe respektimit të minoritetit grek është dhe heqja nga tekstet shkollore shqiptare të fjalës Çamëri. Qeveria shqiptare nuk e ka konfirmuar se është rënë dakord për një kërkesë të tillë. Por nëse pjesë e paktit Bushati-Kotsias është dhe fshirja e emrit Çamëri, atëherë kemi të bëjmë me një nga marrëveshjet më të turpshme në historinë e Shqipërisë. Megjithatë flitet se nga presioni public mund të detyrohen ta heqin këtë fragment tmerrsisht antiçam.

Në protestën e djeshme ku merrnin pjesë drejtuesit e PDIU dhe dëshmitarë okularë të masakrave greke mbi popullsinë çame u bë një kërkesë publike, që mund të cilësohet ndër rastet e para që prezantohet si objektiv i afërt i komunitetit çam. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha në fjalën e tij, para ambasadës greke, se çamët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre në Çameri, natyrisht si nënshtetas grekë me kombësi shqiptare. Idrizi deklaroi se çamët duhet të kthehen në Greqi dhe të marrin statusin e minoritetit shqiptar në shtetin helenë.

Pra nga dje qëllimi final mbetet kthimi në tokat e shtëpitë e tyre, të cilat ua mori me forcë greku, duke vrarë e djegur gjithçka. Ekzistojnë fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme se gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Çamërisë në Greqi jetonin më shumë se 100 mijë shqiptarë. Nën argumentin absurd të bashkëpunimit me nazizmin, kur shumë prej çamëve ishin partizanë dhe luftonin njëlloj si grekët kundër pushtuesve, qeveria greke kreu masakrën dhe shpërnguljen më të madhe ndaj popullsisë çame në Greqi. Pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Shqipëri dhe vende të tjera, ndërsa pjesa tjetër u masakrua në një nga gjenocidet më të pashembullta. Janë vrarë më mijëra gra e fëmijë çam. Të tjerë u zhvendosën nga zona e Çamërisë duke u detyruar të pranojnë asimilimin dhe ndryshimin e kombësisë, si të vetmen mënyrë për të mbijetuar. Kjo tragjedi e popullsisë shqiptare në Greqi asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitet nga Shqipëria si dhe është mohuar nga Greqia. Ndërkohë që Athina ka kërkuar gjithmonë të drejtat për gjuhën dhe shkolla të minoritetin e saj në jug të Shqipërisë, Tirana zyrtare nuk ka vendosur asnjë kusht për shqiptarët autoktonë në Greqi apo për komunitetin çam që u zhvendos gjatë viteve 1940-1945 në Shqipëri.

Ndaj kërkesa e bërë dje nga kreu i PDIU është jo vetëm qëllim i komunitetit çam, por edhe një detyrë e qeverisë shqiptare për tu trajtuar në negociatat me Greqinë. Problemi çam në mënyrë naive gjatë këtyre 27 vjetëve është parë vetëm si çështje pronash dhe ekonomike. Në fakt është një çështje që ka të bëjë më së pari me të drejtat e njeriut dhe çdo diskutim tjetër vetëm sa fyen ato mijëra viktima të gjenocidit etnik ndaj Çamërisë. Ligjërisht çamët janë shtetas grekë të lindur në territorin e Greqisë, por me kombësi shqiptare. Kjo kërkesë e komunitetit çam nuk ka të bëjë me nacionalizëm dhe as me pretendime territoriale, por më të drejtat e njeriut. Shqipëria miratoi disa muaj më parë ligjin që njeh 9 minoritete në vend. Një pjesë e këtyre minoriteteve nuk plotësojnë as kushtet ligjore për tu quajtur të tillë, megjithatë një vendim i tillë i Shqipërisë tregon sesa seriozisht Tirana trajton qytetarët e kombësive të tjera. Të njëjtën gjë Kryeministri dhe ministri Bushati duhet të kërkojë edhe nga Greqia, e cila si një vend anëtar i Bashkimit Europian ka detyrime ndaj konventave ndërkombëtare më shumë se gjithë vendet e tjera në rajon.

Ligji i luftës që thuhet se do të hiqet mes dy vendeve është një zhvillim pozitiv në këtë drejtim. Megjithatë në negociata duhet saktësuar se çfarë përfitojnë konkretisht shqiptarët e Çamërisë nga shfuqizimi i këtij ligji.

Ashtu sikurse tha dje kreu i PDIU, Shpetim Idrizi, tashmë çamët kanë kërkesa për tu lejuar kthimin e tyre në tokat e tyre dhe qeveria greke ti pajisë me pasaporta greke duke njohur kombësinë shqiptare dhe të jetojnë në tokat e tyre në Çameri. Ndryshe, çdo marrëveshje e qeverisë shqiptare me palën greke është tradhti ndaj çamëve dhe shkelje e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila detyron shtetin shqiptar për tu interesuar dhe përkrahur shqiptarët kudo ata jetojnë apo kanë patur pronat e tyre.

Nëse kryeministri Rama bind palën greke të firmos që çamët të kthehen në tokat e tyre dhe nëse detin nuk e fal, do hyjë në histori si Burrë Shteti. Në të kundërt…. siç ka thënë Koço Kokëdhima, ish-miku historik i kryeministrit, do kemi një Esad Pash Toptan të dytë.

Dit Bushatlliu

https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1252989851492801/

SHKARKO APP