Çamët:Ministri ose ikim nga koalicioni!
Partia e tretë e mazhorancës PDIU ka paralajmëruar largimin nga koalicioni qeverisës. Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi kërcënoi dje kryeministrin Edi Rama, se nëse nuk mban pretimet, çamët do të rishikojnë pozicion në koalicion. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të PDIU të kësaj partie, Idrizi ka renditur një sërë shqetësimesh që PDIU ndaj qeverisë “Rama”.
“Qëllimi ynë është të qëndrojmë në bashkëqeverisje, për të përçuar kauzat dhe interesat tona, mirëpo, nëse nuk na duan, atëherë ne nuk kemi dilema. Përpara kauzave nuk vendosim asgjë. Përpara Shqipërisë nuk na përkul asgjë. Prandaj sot kërkoj rimandatimin tuaj, që së bashku me grupin parlamentar të vlerësojmë ecurinë e marrëveshjes dhe të dialogojmë me mazhorancën.Në të kundërt, alternativat janë të hapura, sepse, prania jonë është e fortë dhe solide. Qytetarët na kanë besuar pesë mandate në Kuvendin e Shqipërisë, pesha jonë zgjedhore është e konfirmuar dhe çdo ditë na bashkohen zemra, që rrahin fort për këtë vend dhe për këto kauza”, tha Idrizi.
Kritika kryesore e tij ka qenë lidhur me qëndrimin që mbajti ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë vizitës zyrtare në Athinë. Sipas tij, ministri i jashtëm nuk e diskutoi çështjen çame në konferencën me homologun e tij, por vetëm në takimet me shoqërinë civile. Nga ana tjetër, ai shtoi se qeveria “Rama” nuk ka një axhendë të saj në marrëdhënien me Greqinë, por zbaton axhendën e Athinës.
Arsyet e ftohjes me PDIU dhe PS lidhen me ndarjen e pushtetit. Konkretisht një vend në kabinetin e kryeministri Edi Rama. Kur PDIU vendosi të kalojë në koalicionin qeverisës, veç çështjeve parimore dhe programit të çamëve, Idrizi dhe Rama kanë rënë dakord dhe për dhënien e një posti ministror kësaj partie. Idrizi ka deklaruar disa herë se me Ramën ka bërë marrëveshje për një ministri.
Deri më sot, PDIU-ja ka marrë një zv.ministër dhe disa drejtori të rëndësishme në strukturat e pushtetit. Por duket se me prurjet e reja në këtë parti, pas hyrjes së deputetes demokrate Mesila Doda, pesha politike në Kuvend ka bërë që PDIU të kërkojë me forcë një post ministror. Aq me tepër që emri e figura e Mesila Dodës do të krijonte tjetër imazh pozitiv e intelektual në qeveri. Mesila Doda mbetet një figurë karizmatike dhe shumë kurajoze, ndaj nëse Kryeministri vendos për futjen e një emri nga çamët në qeveri, deputetja Doda do të ishte emri i padiskutueshëm nga PDIU. Ndërkohë çamët e PDIU kanë votuar pa rezerva të gjitha nismat e qeverisë deri më sot. Madje, në jo pak raste kanë shërbyer edhe si garanci për votat e mazhorancës, në rast të një krisje të aleancës mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por kur shohin se nga Partia Socialiste nuk po marrin atë që iu takon, PDIU ka vendosur të hidhet në sulm. Momenti që kanë zgjedhur duket se është më kritiku për koalicionin e majtë. Partisë Socialiste i duhen më shumë se kurrë votat e PDIU për miratimin e reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, problemet e hapura nga grupimi i Blushit në PS mund të sjellin dhe krizë votash për çështje të veçanta në Parlament. Ndaj në këtë moment Partisë Socialiste nuk i intereson të ketë rrjedhje votash nga koalicioni i majtë.
Dje Idrizi deklaroi se deputetët e PDIU do të nisin negociatat me PS për zbatimin e marrëveshjes në pushtetin vendor dhe atij qendror. Praktikisht “pazari çam” është hapur. Dhe në këtë lloj pazari politik jo të dyja palët mbetet të kënaqura.
LSI ka thënë disa herë se PDIU duhet përfaqësuar në qeveri me ministër dhe daljet e Metës me Idrizin janë të shumta, aqsa ka krijuar jo pak xhelozi e frikë ne selinë rozë.
Ndaj duket se Edi Rama do të dorëzohet para Shpetim Idrizit dhe me këtë rast edhe rikompozon kabinetin e tij qeveritar, sepse kreditet publike të disa ministrave janë në minimumin e pranueshëm.