Ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave për Princin e Monakos

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Princin e Monakos, Albert II “Për kontributin e çmuar në inkurajimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos; për mbështetjen e vyer për ruajtjen e biodiversitetit në zona të mbrojtura detare në Shqipëri, si pjesë e mjedisit të pellgut të Mesdheut.

Fjala e Presidentit të Republikës SH. T. Z. Ilir Meta në ceremoninë e nderimit me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar të Princit të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II:

“Sot, kishim nderin dhe kënaqësinë shumë të veçantë që të mirëprisnim në Tiranë, Princin Sovran të Monakos, Albert II, dhe delegacionin shtetëror që e shoqëron.

Ndihemi shumë të nderuar, pasi kjo është vizita e parë e një Monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri, pas shumë shekujsh monarki.

Gjithashtu, dëshiroj që të vlerësoj lart që në fillim, vëmendjen e veçantë që Lartësia e Tij e Përndritur dhe Qeveria e Monakos po u kushtojnë në vitet e fundit, marrëdhënieve me Shqipërinë.

Megjithëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona janë relativisht të reja, falë dëshirës dhe vullnetit të përbashkët, ato po zhvillohen shumë pozitivisht.

Në më pak se një vit, kjo është hera e dytë që takohem me Princin Albert II.

Herën e parë u takuam në Marsejë, ku zhvilluam një bisedë shumë të frytshme e bashkëpunuese.

Gjatë bisedimeve të sotme, një vëmendje të veçantë ia kushtuam interesit të përbashkët në fushat e mundshme të bashkëpunimit dhe nxitjes në mënyrë të veçantë bashkëpunimin ekonomik.

Principata e Monakos gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar veçanërisht në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ekonominë e gjelbër, turizmit, inovacionit dhe teknologjisë, apo në fushën e shërbimeve financiare.

Të gjitha këto fusha janë me shumë interes edhe për Shqipërinë në këtë stad zhvillimi, ndaj dhe shfrytëzova rastin, dhe përmes Lartësisë së Tij të Përndritur i bëra një thirrje biznesit monegask për ta eksploruar e për ta parë Shqipërinë si mundësi investimi, por edhe për shtrirjen e aktiviteteve të tyre përmes Shqipërisë në rajonin tonë.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy Ministria të Jashtëm të dy vendeve është një hap i parë shumë pozitiv që më bën optimist për arritjen në një kohë të afërt të një Marrëveshje Kuadër Bashkëpunimi.

Po kështu, mendoj se jemi me fat që njëri prej pinjollëve të Familjes fisnike xhenoveze, Durrazo, zoti Giuseppe Durazzo, na përfaqëson sot si Konsull Nderi në rajonin e Ligurias në Itali dhe në Principatën e Monakos.

Është një lidhje e fuqishme historike e shpirtërore, pasi kjo familje fisnike me prejardhje nga qyteti i Durrësit, i ka dhënë në shekuj nëntë shtetarë Qytetit të Xhenovës dhe ka pasur marrëdhënie të ngushta me dinastinë dhe Shtëpinë Grimaldi.

Sot, patëm gjithashtu mundësinë që të vlerësojmë rolin dhe kontributin e Princit Albert II në kuadër të promovimit dhe mbrojtjes së ambientit, veçanërisht në pellgun e Mesdheut, por edhe në nivel global.

Si dy vende mesdhetare, Shqipëria dhe Principata e Monakos, ndajnë vlera, interesa dhe sfida të përbashkëta, përballimi i të cilave kërkon një bashkëpunim të ngushtë.

Në këtë aspekt, vlerësoj shumë bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë nga Fondacioni i Princit dhe Shoqata për Financim të Qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, për projekte të veçanta në zonat e mbrojtura detare të rajonit të Vlorës.

Për shkak të klimës së mrekullueshme mesdhetare dhe burimeve të shumta ujore e natyrore, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të qenë një “green economy”, në të ardhmen.

Jam i bindur se, përmes bashkëpunimit me Monakon dhe vendet e tjera të Mesdheut në këtë fushë, Shqipëria do të bëhet së afërmi anëtare e Komisionit Shkencor Mesdhetar.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Dita e sotme ishte një ditë historike për marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Principatës së Monakos.

Ndaj dhe dëshiroj që këtë ditë ta mbyll me një ceremoni të veçantë për nder të mikut tonë të nderuar, Princit Albert II.

Dëshiroj që edhe në emër të shqiptarëve t’i akordoj Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”, për kontributin e çmuar në nxitjen e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe e falënderoj për pranimin e saj.

Kjo është dekorata më e lartë, me të cilën ne shqiptarët nderojmë e respektojmë miqtë tanë më të mirë.

Po kështu një mirënjohje të veçantë e kam edhe për njohjen e Shtetit të Kosovës nga Principata e Monakos, 10-vjet më parë, duke qenë ndër të parat vende.

Duke besuar se sot na u dha mundësia të ofrojmë diçka nga tradita jonë e mikpritjes, shpresoj gjithashtu që Princi Albert II dhe delegacioni që e shoqëron të jenë ndjerë mirë në Shqipëri.

I nderuar Princ Albert II dhe të nderuar anëtarë të delegacionit monegask, ju falënderoj edhe njëherë për pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë dhe ju siguroj se do të jeni gjithmonë të mirëpritur.

Po kështu, ju uroj Juve, Princeshës Charlenë dhe dy fëmijëve Tuaj binjakë, Princeshës Gabriella dhe Princit trashëgimtar Jacques, jetë të gjatë e të lumtur! Jetë të gjatë miqësisë mes shqiptarëve dhe monegaskëve!”.

Princi i Monakos: Vlerësimi nga Meta, impuls i ri për intensifikim të marrëdhënieve

Në fjalën e tij, Princit të Monakos falenderoi kreun e shtetit shqiptar për vlerësimin duke u shprehur se ky dekorim është një impuls i ri për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Fjala e Princit të Monakos pas vlerësimit të Presidentit Meta me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”

“Zoti President, zotërinj ministra, Lartësi, Shkëlqesi, te dashur miq,

Me lejoni t’ju shpreh falenderimet e mia me te sinqerta per nderin qe me beni me Dekoraten e Flamurit Kombetar”. Ky vleresim honorifik ben te njohur, ashtu sikurse  ju e keni nenvizuar ne dekretin tuaj, intensifikimin e marredhenieve ekzistuese mes vendeve tona, qe u iliustrua kryesisht edhe nga firmosja sot e nje memorandumi mirekuptimi.

Ju keni theksuar gjithashtu qe ky titull nenvizon veprimet qe ne duhet te ndermarrim se bashku per ruajtjen e biodiversitetit ne Mesdhe e me vecanerisht te zonave detare te brigjeve shqiptare. Kjo ambicie u konkretizua nga firmosja e nje partneriteti me OJQ-ne “Pisha flamur”.

Jam i bindur qe teresia e fushave te bashkepunimit qe ju permendet, Zoti President, do te mund te njohin zhvillime te frytshme qe dy komunitetet tona kane aftesine t’i arrijne.

Se fundmi, une i gezohem perspektives se aderimit te Shqiperise ne CIESM, kesaj organizate nderkombetare qe me shume se kurre na tregon dobine e saj ne ruajtjen e te mires sone te perbashket. Ky det mesdhetar, djep i njerezimit, duhet te jete objekt i gjithe vemendjes sone sepse ai eshte garanti i te ardhmes sone dhe vulos fatin e perbashket te teresise se vendeve qe e kufizojne ate. Shpreh urimin qe kjo trashegimi e perbashket te jete ne vitet e dekadat e ardhshme nje vektor paqeje e mirekuptimi te perbashket.

Ju faleminderit”

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/730271297324488/

Presidenti Meta mirëpret në Tiranë Princin e Monakos, Albert i II

SHKARKO APP