Ceremonia e 15-vjetorit të LSI. Kryemadhi: Busulla jonë është integrimi në BE

Lëvizja Socialiste për Integrim feston sot 15 vjetorin e krijimit, në një ceremoni madhështore të organizuar në Pallatin e Kongreseve. Të pranishëm në takim janë drejtues të LSI, themelues, anëtarë, ambasadorë dhe figura të njohura publike.

Pas një dokumentari që tregon rrugën e LSI përgjatë 15 viteve, fjalën e hapjes e ka marrë kryetarja e LSI, Monika Kyremadhi.

Kryemadhi u shpreh se ky përvjetor i LSI është shembulli më i qartë i ngadhënjimit të së drejtës. “Nuk ka forcë që na ndal në përmbushjen e misionit tonë. Busulla jonë është integrimit. Motoja jonë është Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët”,- tha ndër të tjera Kryemadhi.

Kryemadhi u shpreh se sfidat që kishte vendit në kohën e krijimit të SI janë ende përballë shqiptarëve. “15 vjet më parë lindi Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike që bashkoi rreth kauzës së madhe të ndryshimit dhe integrimit, energji, ëndrra, vullnete dhe përkushtim shembullor. Në historinë politike të pluralizmit, partitë zakonisht u janë bashkuar mazhorancave. LSI, në themelimin e saj, u shkëput nga mazhoranca e pushtetit duke vendosur një standard të ri morali politik, qe e konsideron mirëqeverisjen, më të rëndësishme se pushteti.  Këtë moral politik ka ndjekur LSI, dhe mbi këtë parim është ndërtuar i gjithë aksioni politik i LSI-së. Në këto 15 vite të rrugetimit tonë politik, sfidat me të cilat jemi përballur kanë qënë të shumta e të jashtëzakonshme. Kauzat për të cilat u krijuam dhe kemi luftuar në këto 15 vite, janë akoma reale. Prandaj mbështetja për forcën tonë politike nuk ka shteruar asnjëherë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët e duan Shqipërinë anëtare të denjë të Evropës”,- tha Monika Kryemadhi.

Në fjalimin e mbajtur për 15-vjetorin e themelimit të LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se sot vendi ndodhet në situatë kritike. Ajo tha se kryeministri me një grup oligarkësh ka kapur ekonominë dhe gjithë biznesin duke harruar qytetarët e zakonshme. Kryemadhi u bëri thirrje shqiptarëve që të bojkotojnë bizneset e mëdha të lidhura me kryeministrin dhe të blejnë të dyqanet e vogla që mezi paguajnë taksat.

“Ne kemi protestuar fuqishëm dhe kemi mundur ti bindim dhe ata shqiptarë skeptikë se çdo formë proteste është një mënyrë për të ti hequr një gurë themelit mafioz të qeverisë Rama.  Sot unë i bëj thirrje së pari të gjithë  anëtarëve të LSI por edhe gjithë shqiptareve të thjeshtë e të ndershëm që  ushqimet e tyre të përditshme mos ti blejnë në qendrat e mëdha tregtare të oligarkëve, por në dyqanet e lagjeve, te komshinjtë e tyre:  Unë i bëj thirrje anëtarëve të LSI së  pari por dhe gjithë shqiptarëve që veshjet e tyre mos ti blejnë  në qendrat tregtare, po te dyqanet e bizneset e vogla”,- tha ndër të tjera Kryemadhi.

SHKARKO APP