Ceremonia e Trump, qejfmbeturit dhe thashethemet për “500 dollarë” bileta !
Presidenti Amerikan Trump merr zyrtarisht detyrën. Si përherë zhvillohet Ceremonia Zyrtare, ku marrin pjesë kongresmenë, senatorë, ambasadorë, diplomatë, politikanë, njërëz të kulturës, artit,etj. Të gjithë me ftesa dhe strikt një Protokolli të mirëkontrolluar. Nga Shqipëria marrin pjesë Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, Lideri i Opozitës Lulzim Basha, Ministri Blendi Klosi dhe deputeti i PS-së, Ervin Bushati. Po kështu dhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber. Sapo lajmi doli për këtë delegacion nga Shqipëria filluan kulisat dhe qejfmbetjet politike në Tiranë se përse nuk janë futur në listën e ftesave të Presidentit Trump.
Natyrisht që pjesëmarrja në një ngjarje të tillë është krenari e dinjitet, por duhet të jesh i ftuar pikësëpari, pasi në të kundërt nëse do të ishte siç shkruan një media se “ i kanë blerë biletat 500 dollarë për të marrë pjesë te ceremonia e Trump”, atëhere vetëm që merrte pjesë Edi Rama do kishte blerë 100 bileta! Apo ish-kryeministri Berisha mund të kishte blerë me shumë. Por protokolli presidencial i shtetit më të fuqishëm të botës, SHBA ka rregulla shumë strikte në ftesa, pasi nuk është shfaqje, kokteijl apo koncert ku mund të paguash biletën dhe të futesh. Ka protokoll, siç ka natyrisht edhe lobe apo klane politike, të cilët ftojnë miqtë e tyre. Politika i njeh lobingjet, pasi janë rregulla të hapura në politikë, ku sejcili kongresmenë, senator, Departamenti i Shtetit si dhe stafi i Presidentit Trump fton miqtë e tij të besueshëm me të cilët do të mund të punojë në të ardhmen.
Nisur nga xhelozitë dhe smirat e politikanëve të caktuar në Tiranë, që pse nuk është ftuar, nuk mund të arrihet deri në denigrim të Ceremonisë së Presidentit Amerikan Trump, ku mjafton të paguash një “biletë” apo diçka nën dorë dhe ftohesh apo futesh aty ku janë njërëzit me të fuqishëm të globit. Po të ishte kështu krejt deputetët biznesmenë apo kushdo që ka 5 mijë dollarë në Shqipëri dhe që e simpatizon Amerikën do të kishte blerë një biletë. Dhe Ceremonia do të mbushej me qindra shqiptarë!
Nuk është kështu dhe denigrimi deri në vulgaritet i Ceremonisë tregon smirë, porse edhe keqdashje ndaj miqve tanë amerikanë.
Natyrisht për të qenë realist në Ceremoni duhej të ishte ftuar edhe kryeministri Edi Rama. Pavarësisht se çka thënë ndaj Trump para zgjedhjeve. Ishte fushatë dhe fushata pranon edhe kundërvëniet deri në denigrim. Nuk kishte, fjala vjen, pse të ftohej ministri Klosi dhe deputeti Ervin Bushati para Kryeministrit Edi Rama. Nuk është se kemi gjë me Klosin dhe Bushatin, pasi ata janë politikanë korrekt, porse nga PS dhe Qeveria duhej Edi Rama. Por këtë nuk e vendosim ne në Tiranë. E kanë vendosur në SHBA, njërëzit e Donald Trump. Mundet që Trump mban inat, sepse njeri është edhe ai.
Nëse do kishte fituar Hillary Clinton natyrisht që Edi Rama do të ishte ndër të ftuarit e Ceremonisë dhe mediat e tij nuk do thonin se ” bleu 500 dollarë biletën”, pasi nuk kishte pse të ndodhte sepse ftesat nuk blihen. Ato jepen sipas preferencave të stafit të Trump dhe interesave amerikane.
Lojërat meskine dhe të ulëta për ta denigruar Ceremoninë e Shtetit me të fuqishëm të botës, janë keqdashëse. Ato shprehin zemërimin e mosprezencës në ceremoninë e Presidentit të SHBA.
Spiten Prulli