Ç’është kjo maskaradë me qytetarët për pasaportat e prodhuara në 2014?!
Të gjitha pasaportat e prodhuara në vitin 2014 duhen tërhequr brenda majit të këtij viti. Në të kundërt, kompania ALEAT që i prodhon ato, do t’i asgjësojë dhe qytetarët do të duhet t’u nënshtrohen edhe një herë të gjitha procedurave nga e para, duke paguar sërish edhe shumën e plotë. Ministria e Brendshme, në një njoftim të sajin thotë se pasaportat do të konsiderohen automatikisht të pavlefshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga ana e firmës zgjatjen e këtij afati deri në 30 prill 2016, në mënyrë që t’u krijojë mundësi shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar, të nisin procedurat për tërheqjen e dokumenteve pranë sporteleve të shpërndarjes, ose pranë përfaqësive diplomatike ku kanë aplikuar. Ky apel u drejtohet kryesisht shtetasve shqiptarë në emigracion, duke sqaruar edhe njëherë se pas këtij afati, do të bëhet nxjerrja jashtë përdorimit/dëmtimi i dokumenteve të identitetit (letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike) të prodhuara në vitin 2014 dhe të pa tërhequra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Po pse këto pasaporta duhen zhvlerësuar? Kush e ka fajin që tallen me qytetarët, të cilë kanë aplikuar, kanë paguar siç u është kërkuar nga shteti dhe nga firma e liçensuar nga institucionet shtetrore dhe tani u thuhet se “nuk bëjnë këto pasaporta!”? Pse nuk sqarohen se ç’kanë këto pasaporta? Pse nuk njihen më? Kush paguan për sorollatjet e qytetarëve?