“Shullazi”: Frikësim apo tallje?
Prej më shumë se 10 ditësh në vend shpërtheu një stuhi reagimesh dhe zemërimi. Një person me precedentë penalë, Emiljano Shullazi, dyshohet se kërcënoi kandidatin për rektor, Mynyr Koni dhe rektorin Dhori Kule. Kërcënimi, siç deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha, u bë në mes të ditës në qendër të Tiranës. Me një stil të mafies italiane, Koni, i cili sot është rektor, pas zgjedhjeve u kërcënua familjarisht nëse nuk tërhiqej nga gara. Një kërcënim i ngjashëm u bë dhe ndaj Dhori Kules që të mos mbështeste Mynyr Konin. Ngjarja ishte e paprecedentë në historinë e vendit. Policia u vu në lëvizje dhe arrestoi Emiljano Shullazin me dy bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët akuzohen edhe për një seri veprash të tjera kriminale. Procesi është nën hetim dhe ende nuk ka një version të saktë të asaj çfarë ka ndodhur.
Por dje, po aq sa kërcënimi që ju bë dy profesorëve opinioni është shokuar nga deklarata e Mynyr Konit dhe Dhori Kules në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Të thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre në lidhje, sipas burimeve nga grupi hetimor që janë cituar nga të gjitha mediat, rektori i zgjedhur Mynyr Koni ka deklaruar se nuk i njihte personat që i kërcënuan për t’u tërhequr nga gara.
“Nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej më urdhëroi të zbrisja nga makina”,- mësohet të ketë thënë Mynyr Koni. Prokurorët e kanë pyetur nëse ishte Emiljano Shullazi ai që e ka kërcënuar atë para kandidimit, por profesori mësohet se ka deklaruar se nuk mbante mend fytyrën, pasi ishte trembur. Të njëjtën gjë ka thënë para prokurorëve edhe ish-rektori Dhori Kule. Ai ka konfirmuar se e kanë ndaluar tre persona, të cilët i kanë thënë të mos e mbështeste Mynyr Konin në garën për zgjedhjet në universitet.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje zyrtare nga procesi i dëshmive, por nga ajo çfarë kanë deklaruar dy profesorët e njohur rezulton se ose kanë frikë të thonë të vërtetën, ose e gjitha kjo histori është një tallje e madhe me publikun. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me qëndrime skandaloze.
Nëse dy profesorët kanë frikë, situata është edhe më alarmante sesa kërcënimi para garës. Policia ka arrestuar prej 10 ditësh të akuzuarit dhe prokuroria ka paraqitur disa dyshime serioze ndaj tyre për aktivitet kriminal. Por ajo që çoi pas hekurave Shullazin ishte pikërisht kërcënimi ndaj profesorëve. Sipas asaj çfarë ka rrjedhur në media, profesorët kanë informuar Kryeministrin, ministrin e Brendshëm për kërcënimin dhe kjo solli reagimin e menjëhershëm. Por dëshmitë e para për kërcënim nga Shullazi me dëshmitë djeshme që nuk njihnin kërcënuesin ndryshojnë gjithçka në këtë proces. Një ndryshim i tillë mund të çojë në përfundimin që të mos ketë akuzë ndaj Shullazit për këtë çështje. Nëse kjo “humbje kujtese” e profesorëve ka ardhur nga frika, atëherë akuza për lidhje të Shullazit me segmente të qeverisë mund të jenë të vërteta. Në këtë rast duhet që Kryeministri dhe ministri i Brendshëm të mos heshtin më. Kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me shprehjen “institucionet po bëjnë detyrën”. Sepse veç institucioneve edhe kërcënuesit po vazhdojnë të bëjnë detyrën duke detyruar dëshmitarët të tërhiqen, apo të ndryshojnë variantin e deponimeve.
Por dëshmia e djeshme e dy profesorëve që nuk mbajnë mend se kush i kërcënon duket edhe si një tallje me opinionin publik. Çështja u bë publike kur ish-Kryeministri Sali Berisha doli dhe deklaroi emrat e profesorëve dhe të kërcënuesit. Dhori Kule dhe Mynyr Koni pranuan se ishin kërcënuar. Madje, kandidati për rektor Mynyr Koni, nga frika e kërcënimit pezulloi dhe takimet e zgjedhjeve me studentët. Nëse atëherë i njihnin kërcënuesit dhe e përdorën në fushatë, sot pse e mohojnë diçka të tillë? Apo ndoshta para 10 ditësh kërcënimi u shkonte për shtat me kandidimin dhe sot që duhet të faktojnë para drejtësisë të vërtetën, heshtin. Çështja “Shullazi” shkundi opinionin dhe bëri që të gjithë të ishin në krah të profesorëve. Sot që profesorët duhet të tregojnë integritet, çuditërisht thonë se nuk njohin askënd nga kërcënuesit. Apo mbaruan punë me votimin?!
Nëse kanë frikë, atëherë ka të drejtë opozita kur thotë se, “vendin e drejton Shullazi”. Kjo është më e tmerrshme, pasi po pranojmë variantin se e kishin frikë kur lëvizte Shullazi nëpër Tiranë me makina të blinduara, por tani që është në qeli në pranga pse kanë frikë? Apo segmentet e tij të bashkëpunëtorëve janë lirshëm apo janë në pushtet?