Mos nxisni sherrin fetar në Shqipëri!
Disa foto të shpërndara në rrjetet sociale, gjatë ceremonisë së festimit të Kurban Bajramit dje në kryeqytet kanë shkaktuar një debat të rrezikshëm për gjithë shoqërinë. Në foto, nga disa kënde të sheshit dukej se statuja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte e fshehur pas disa ekraneve që transmetonin pamjet e ceremonisë. Bllokimi i pamjes së bustit dukej vetëm në një pjesë të sheshit. Shpërndarja e pamjeve me bustin e heroit që dukej i “fshehur” bëri që në rrjetet sociale të nisi një valë e ashpër reagimesh ndaj personave që kanë autorizuar diçka të tillë. Për pjesën më të madhe, një ngjarje e tillë u cilësua si një poshtërim i simbolit kombëtar të shqiptarëve. Për shkak se në media, një vit më parë, pati të ashtuquajtur myslimanë që deklaruan se nuk mund të faleshin përballë Gjergj Kastriot Skënderbeut, fshehja e monumentit të tij u mendua si diçka e sajuar enkas dhe provokim. Në media dhe në rrjetet sociale nuk munguan dhe etiketimet si “talebanë” dhe “anti-kombëtarë” për këtë gjest. Një nxitim përçarës që nuk duhet kurrsesi!
Pak orë më vonë, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra deklaroi në media se nuk ka pasur asnjë qëllim në atë që ka ndodhur. Myftiu i Tiranës, i cili është një Myfti shembullor në raportet e tolerancës mes feve, u shpreh se “nuk ka pasur asnjë tendencë për mbulim. Ka qenë kushtet teknike dhe zgjedhja e teknikëve për të vendosur ekranet në atë pjesë të sheshit dhe statuja e Heroit Kombëtar nuk ka qenë e mbuluar”. Duke kërkuar ndjesë për ndonjë keqkuptim, Ylli Gurra sqaroi se simboli i heroit kombëtar Skënderbeut nuk përbën asnjë problem për myslimanët dhe ai është një figurë e gjithëpranuar.
Por veç kësaj, përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMN) zbuloi dhe një fakt tjetër që tregon se deri ku ka shkuar debati. Ai tha për mediat se ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën në adresën e tij në rrjet sociale, pas publikimit të fotove ku busti i heroit duket i fshehur.
Fillimisht debati u përqendrua në çështjen ishte apo jo i mbuluar monumenti i Skënderbeut? Ka qenë apo jo zgjedhje e teknikëve, fakti është se ekranet e mëdha mund të ishin vendosur në një pjesë tjetër të sheshit dhe ky debat i kotë do të ishte shmangur. Komuniteti Mysliman Shqiptar drejtohet në mënyrën shembullore dhe njihet për qëndrimet e moderuara që ka mbajtur gjithmonë në debate kritike. Dje, në një ditë feste, do të ishte mirë që sqarimi për kushtet teknike të ishte bërë më herët dhe t’i jepte fund një histerie të panevojshme në rrjetet sociale. Nëse hidhje sytë në rrjetet sociale gjeje komente me tone islamofobike që s’kanë lidhje me tolerancën fetare që pretendojmë. Nga ana tjetër, në forume të veçanta lexoje reagime që fyenin heroin kombëtar dhe madje propozonin edhe mbulimin e plotë të tij, apo dhe heqjen nga sheshi. Këtë janë injorantë, në kuptimin e vertetë të fjalës!
Në të dyja raste vazhdimi i këtij debati idiot dhe pa sens nuk do të sjellë asgjë të mirë.
Monumenti i Skënderbeut është mbuluar dhe gjatë aktiviteteve të grupeve muzikore, apo edhe gjatë takimeve të qeveritarëve. Duke qenë se respekti ndaj figurave të tilla të historisë së kombit nuk mund t’i lihet rastësisë është e nevojshme që Bashkia apo dhe qeveria të hartojnë një protokoll apo ligj të veçantë për këto raste. Kryeministri deklaroi se viti 2018 do të jetë viti i Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij. Është koha që të përcaktohet me ligj edhe respekti ndaj kësaj figure. Sepse çdo vit shoqëria përballet me situata si kjo e sotmja, që kanë doza manipulimi, por edhe me raste si ai i heqjes së bustit të heroit kur në Tiranë kanë mbërritur autoritete vendeve të huaja. Që kjo të mos lihet më në dorë të dëshirave dhe interpretimeve, duhet një ligj që përcakton respektin ndaj simboleve kombëtare dhe veçanërisht Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeut.
Si shtet kemi plotë probleme, ndaj nuk kemi pse i shtojmë kot së koti apo për injorancë të ndonjërit, edhe sherrin fetar në rrjetet sociale.
Jemi një komb shembull në botë për tolerancën fetare, ndaj ta ruajmë këtë harmoni, e cila mbetet pasuria më e madhe e shqiptarëve.
Qamil Xhani