Çfarë duhet të dini për sonte në natën finale të Eurovizion, ku konkuron edhe Shqipëria?

Festivali i 69-të i Këngës në Eurovision po i afrohet finales së madhe në qytetin zviceran të Bazelit.
Artistë muzikorë nga 26 vende do të ngjiten në skenën e arenës St. Jakobshalle të shtunën, në një garë që ka bashkuar dhe ndarë evropianët që nga viti 1956.
Ja gjithçka që duhet të dini para finales së madhe, që mbahet sonte në orën 21:00.
Çka është Eurovizioni?
Eurovizioni është një konkurs ku interpretues nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamujt kombëtarë me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit.
Mendojeni Eurovizionin si Olimpiadën e muzikës apo Kupën e Botës me këndim në vend të futbollit.
Është një festë e argëtimit dhe fuqisë unifikuese të muzikës, por gjithashtu edhe një vend ku politika dhe rivalitetet rajonale dalin në pah.
“Është ngjarja më e madhe kulturore e Evropës”, tha Dean Vuletiq, një ekspert i historisë së Eurovizionit për agjencinë e lajmeve AP.
“Ka vazhduar për pothuajse 70 vjet dhe njerëzit duan ta shohin, jo vetëm për spektaklin, shkëlqimin, efektet e skenës, kostumet e çmendura, por edhe sepse e shohin si një pasqyrim të frymës së kohës në Evropë”, përfundoi ai.
Kush është në finalen e Eurovizionit 2025?
Nga 37 vende që dërguan interpretime në Eurovizion, 11 u eliminuan nga votimi publik në gjysmëfinalet e së martës dhe së enjtes.
Gjashtë të tjera u kualifikuan automatikisht për në finale: nikoqirja Zvicra dhe “Pesëshja e Madhe” që kontribuon më shumë financiarisht në konkurs — Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.
26 vendet që konkurrojnë të shtunën, sipas rendit të interpretimit, janë: Norvegjia, Luksemburgu, Estonia, Izraeli, Lituania, Spanja, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Austria, Islanda, Letonia, Holanda, Finlanda, Italia, Polonia, Gjermania, Greqia, Armenia, Zvicra, Malta, Portugalia, Danimarka, Suedia, Franca, San Marino dhe Shqipëria.
Favoritët, sipas bastvënësve, janë KAJ, që përfaqësojnë Suedinë me “Bara Bada Bastu”, një serenatë gazmore për saunën.
Këngëtari holandez Claude është gjithashtu shumë i vlerësuar me baladën shpirtërore “C’est La Vie”, si dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”.
Favoritë të tjerë përfshijnë austriakun e trajnuar në mënyrë klasike JJ me këngën pop-operë “Wasted Love”, dhe izraeliten Yuval Raphael me himnin “New Day Will Rise.”
Çfarë muzike është ajo e Eurovizionit?
Eurovizioni ka një reputacion për europop-in me tekste pa kuptim — fitues të mëparshëm përfshijnë këngët “La, La, La” dhe “Boom Bang-a-Bang.”
Por, ky festival ka prodhuar edhe disa hite të qëndrueshme të muzikës pop. Dhe ndihmoi në ngritjen e yjeve si ABBA — fitues në 1974 me “Waterloo” — Celine Dion; performuesi drag austriak, Conchita Wurst; dhe grupi rok italian, Maneskin.
Finalistët e këtij viti variojnë nga rokistët emo lituanezë, Katarsis, te diva spanjolle e baladave të fuqishme, Melody, dhe rokistët progresivë ukrainas, Ziferblat.
Dikur besohej gjerësisht se këngët më të suksesshme të Eurovizionit ishin në anglisht, por kjo po ndryshon. Festivali i këtij viti përfshin këngë në një rekord prej 20 gjuhësh.
Vuletiq tha se shikuesit sot duan “më shumë autenticitet në prezantimet e Eurovizionit”.
“Ata nuk duan vetëm një këngë standarde pop në anglisht,” tha ai. “Ata duan gjithashtu të shohin diçka për kulturën e vendit që përfaqëson kënga”.
Si zgjidhet fituesi?
Pasi të gjitha këngët të jenë interpretuar në finale, fituesi zgjidhet përmes një kombinimi të ndërlikuar të votimeve me telefon dhe online nga mbarë bota dhe renditjeve nga juria e industrisë muzikore në secilin nga vendet e Eurovizionit. Ndërsa rezultatet shpallen, vendet ngjiten dhe zbresin në renditje dhe tensioni rritet.
Përfundimi me zero pikë konsiderohet një turp kombëtar.
A është Eurovizioni një zonë pa politikë?
Motoja e festivalit është “të bashkuar nga muzika”, por ndarjet politike pa dyshim që ndikojnë.
Rusisë iu ndalua garimi pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe që atëherë muzikantët ukrainas — përfshirë fituesin e vitit 2022, Kalush Orchestra — kanë garuar nën hijen e luftës në atdhe.
Konkursi i këtij viti është trazuar për të dytin vit radhazi nga mosmarrëveshjet rreth pjesëmarrjes së Izraelit.
Dhjetëra ish-pjesëmarrës, përfshirë Nemo-n, kanë kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të sjelljes së vendit në luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë.
Protesta pro-palestineze dhe pro-izraelite janë mbajtur në Bazel, megjithëse në shkallë shumë më të vogla sesa në konkursin e vitit të kaluar në Suedi.
Një grusht protestuesish u përpoqën të ndërprisnin një provë të këngëtares izraelite Raphael të enjten me flamuj të mëdhenj dhe bilbila, por u nxorën nga arena. Organizatorët thonë se kanë shtuar masat e sigurisë para finales shkruan REL.
Por, çfarë parashikojnë bastet më të fundit?
Suedia vazhdon të mbajë një epërsi të qartë në tregjet e basteve. Vendi skandinav, i përfaqësuar nga Kaj, mbetet favoriti për të fituar Eurovision 2025, me shumicën e agjencive të basteve që ofrojnë kuota nën 2, dhe në disa raste, deri në 2.05 .
Në vendin e dytë është Austria , me JJ – “Ëasted Love” që mbetet konkurrentja më e fortë e Suedisë.
Franca po lëviz me shpejtësi dhe aktualisht renditet e treta. Performancat mbresëlënëse të Louane në ditët e fundit kanë rritur shanset e saj, me probabilitete që variojnë nga 5 në 6, duke e bërë Francën një pretendente serioze për fitoren.
Finlanda e përfaqësuar Erika Vikman, pa një rritje të ndjeshme pas performancës së saj të fuqishme në gjysmëfinale. Shanset për një fitore të Finlandës tani variojnë midis 11 dhe 17 .
Holanda plotëson 5 vendet e para, pavarësisht një rënieje të dukshme. Pasi më parë u ngjit në vendin e tretë, skuadra holandeze tani ka rënë në të pestën, me disa agjenci bastesh që ofrojnë kuota mbi 30.
Izraeli ka pësuar një rënie, duke rënë jashtë 5 ekipeve më të mira për herë të parë këtë sezon. Sipas lojërave të fatit, kuotat për Yuval janë midis 17 dhe 41.
Estonia qëndron në vendin e shtatë me këngën “Espresso Macchiato” që është në trend në të gjithë Evropën. Shumë e shohin atë si një shans të keq për të fituar televotimin , me probabilitete nga 19 në 51 .
Zvicra, vendi pritës, është në vendin e tetë. Agjencitë e basteve ofrojnë kuota nga 26 deri në 51, duke e bërë këtë një nga këngët më premtuese të vendeve mikpritëse të festivalit në vitet e fundit.
Shqipëria është e nënta, me Shkodra Elektronike që synon rezultatin më të mirë të vendit në më shumë se një dekadë. Shanset variojnë nga 34 në 56.
Në vendin e dhjetë është Italia. Pas performancës emocionale të Lucio Corsi-t, shteti ynë fqinj është rikthyer në 10 vendet e para për herë të parë në dy muaj. Një fitore e italianit kthehet deri në 176-fishin e bastit.