Çfarë e pret Ukrainën nëse fiton Trump?
Kur amerikanët të votojnë për president më 5 nëntor, vendimi i tyre do të ketë jehonë në të gjithë botën. Ukraina – mbrojtja e së cilës kundër Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike e SHBA-së – mund t’i ndiejë efektet më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Nën presidentin në largim, Joe Biden, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 56 miliardë dollarë vetëm ndihma për sigurinë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ato i kanë dhënë vendit në luftë edhe dhjetëra miliarda të tjera në forma të ndihmës financiare dhe humanitare.
“Faktori më i rëndësishëm që do ta përcaktojë rezultatin e luftës dhe, sigurisht, atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë zgjedhjet në SHBA”, thotë Ruth Deyermond, pedagoge e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Rezultati i zgjedhjeve “do të përcaktojë, në fakt, nëse Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ose masën se sa do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë Deyermond për Radion Evropa e Lirë.
Ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, kanë shprehur qëndrime shumë të ndryshme për mbështetjen për Ukrainën.
Harris ka thënë se do ta vazhdojë politikën e Bidenit për ta ndihmuar Ukrainën, duke shprehur qartë dëshirën e saj për ta parë Rusinë të mposhtur. Trump e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta mbajë pjesën më të madhe të barrës në mbështetjen për Kievin kundër pushtimit rus, si dhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Ai ka refuzuar të komentojë nëse do që Ukraina të fitojë dhe ka pohuar vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt – edhe para se ta merrte detyrën në janar.
“Ndërsa mund të presim që një Shtëpi e Bardhë nën Harrisin do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si Shtëpia e Bardhë nën Bidenin – sigurisht jo me ndonjë kthesë dramatike sa i përket Ukrainës – Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron të shohë një fund të luftës shpejt”, thotë Deyermond.
“Dhe, ne e dimë se një nga prioritetet e tij afatgjate të politikës së jashtme, një nga pozicionimet e pakta të qëndrueshme në politikën e jashtme që ai ka mbajtur qysh para se të zgjidhej në vitin 2016, ka qenë, siç ka thënë, mirëkuptimi me Rusinë. Kështu që ai do të dëshironte të shihte që lufta të përfundonte shpejt, dhe sipas kushteve të Rusisë, mendoj”, shprehet Deyermond.
Trump ka thënë se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedimet e paqes “janë të papranueshme” dhe kjo do të thotë se ai ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se presidentët tjerë.
Ai, po ashtu, ka thënë se Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën, nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2017, ai i ka dhënë dritën jeshile SHBA-së për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Ukrainës, diçka që paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, ka refuzuar ta bëjë, për shkak të shqetësimeve se mund ta provokojë Moskën.
“Jo më”
Në prill, Trump ka thënë se do të ishte i hapur për diçka si programi i huadhënies – përkatësisht si ai që Shtetet e Bashkuara aplikuan për t’i ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore – në vend të granteve të ndihmës.
Trump ka folur pak për mënyrën se si do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një intervistë për Fox News në korrik të vitit 2023, ai ka thënë se do të përpiqet ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, të negociojë, duke kërcënuar se do t’i hapë rubinetat e ndihmës për Ukrainën.
Në anën tjetër, ai ka thënë se do t’i bënte presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën.
“Do t’i thosha Zelenskyt: ‘Jo më! Duhet të bësh një marrëveshje’. Do t’i thosha Putinit: ‘Nëse nuk bën marrëveshje, ne do t’i japim shumë [Zelenskyt]’”, ka thënë Trump.
“Do ta bëja marrëveshjen brenda një dite. Një dite!”, ka thënë ai.
Ukrainasit kanë frikë se çdo trysni për marrëveshje të shpejtë paqeje, do t’i shkonte në favor Rusisë, duke e lënë rreth një të pestën e vendit të tyre nën kontrollin e Moskës dhe duke i mundësuar Putinit që ta shfrytëzonte ndërprerjen e armiqësive për t’i rigrumbulluar forcat e tij për një sulm të ardhshëm shkruan ndër të tjera, Europa e Lirë.