Çfarë është ky trajtim ç’njerëzor i Ilir Metës në burg?!
Nga Daniel Muçaku-
Ilir Meta ndodhet prej më shumë se një viti në paraburgim, në qelitë e burgut të Tiranës. Sipas Kushtetutës dhe çdo standardi të drejtësisë moderne, çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë. Këtë parim e përsërit vetë SPAK sa herë del me njoftime publike.
Pra, Ilir Meta nuk është i dënuar. Ai është në proces gjyqësor.
Meta ka kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë, me argumentin se nuk ka prova për të prishur, pasi – sipas vetë SPAK – provat janë tashmë në dosje. Vlerësimi i kësaj kërkese mbetet në dorën e Gjykatës së Posaçme. Por ajo që ngre shqetësim serioz nuk është vendimi i gjykatës, por kushtet e paraburgimit dhe kufizimi i të drejtave themelore njerëzore, për të cilat flasin avokati i tij dhe vetë Meta sa herë ka mundësi të komunikojë me median.
Sipas këtyre denoncimeve, Ilir Metës i janë hequr të drejta bazë: i është ndërprerë dalja në ajrim, i janë fikur dritat në qeli me justifikimin absurd se “nuk ka drita”, i është bllokuar fusha e stërvitjes – të drejta këto që i takojnë çdo të paraburgosuri, pavarësisht emrit, funksionit apo akuzës. Kjo krijon përshtypjen e rrezikshme se dikush, jashtë mureve të burgut, po luan me nervat dhe dinjitetin e tij, për ta acaruar dhe keqtrajtuar.
Ironia është se persona të tjerë në paraburgim, të akuzuar për vrasje, për grupe kriminale të strukturuara apo trafik ndërkombëtar droge, gëzojnë më shumë të drejta sesa një ish-President i Republikës. Ky është një standard i dyfishtë i papranueshëm në një shtet që pretendon se po ndërton drejtësinë e re.
Ilir Meta ka akuza serioze dhe duhet të përballet me to në gjykatë. Askush nuk kërkon imunitet moral apo politik. Përkundrazi, më e ndershme do të ishte një gjyq i hapur, madje edhe online, për Ilir Metën dhe për çdo politikan të nivelit të lartë, që qytetarët të shohin dhe të dëgjojnë vetë faktet, provat, akuzën dhe mbrojtjen.
Ata që e kundërshtojnë këtë ide, duke e quajtur “gjyq popullor” në stilin e Enver Hoxhës, ose nuk e kuptojnë, ose e frikësohen transparencës. Në fakt, një proces i hapur do të ishte shumë më i rëndë për të akuzuarit sesa vetë burgu, sepse do t’u hiqte çdo alibi morale përpara shoqërisë.
Një SPAK që gëzon mbështetje të gjerë publike nuk duhet t’i trembet transparencës, por ta kërkojë atë. Sepse drejtësia nuk dobësohet kur shihet nga publiku – dobësohet kur perceptohet si selektive.
Por duke u kthyer te thelbi: keqtrajtimi në qeli është alarm, jo vetëm për Ilir Metën, por për çdo qytetar. Nëse sot një ish-President i Republikës trajtohet në mënyrë diskriminuese, nesër kjo mund t’i ndodhë kujtdo tjetër, pa zë dhe pa mbrojtje publike.
Ilir Metën e nxorën zvarrë në mes të rrugës për ta diskredituar dhe poshtëruar – një veprim që nuk duhej të kishte ndodhur ndaj askujt, aq më pak ndaj një ish-Presidenti, ish-Kryeministri apo funksionari të lartë shtetëror. Drejtësia nuk ndërtohet mbi poshtërimin, por mbi ligjin.
Një shtet ligjor matet edhe nga mënyra se si trajton të burgosurit dhe të paraburgosurit. Kur të drejtat njerëzore shkelen në qeli, dëmtohet jo vetëm individi, por besueshmëria e vetë shtetit.
Drejtësia fiton besimin e qytetarëve vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë – brenda dhe jashtë qelisë.
KOHA JONË SONDAZH

