Basha-Rama, çfarë tallje me njerëzit!

Deri dje kreu i PS dhe i PD shaheshin me “kriminelë”, “vrasës”, “ do të marrë zvarrë në boulevard”, “kalama i SHQUP”, etj. Papritur bëhen “dashnorë” të njeri tjetrit. Mbrojnë njeri tjetrin, duan të “martohen” pas 25 qershorit.

U bënë 27 vite që kemi dëgjuar në fushata elektorale akuza nga më të ashprat mes PS dhe PD. Shumë herë edhe akuza ç’njerëzore si “do të tërheq zvarrë”, “do përfundosh në litar”, “kriminel”, “vrasës e gjakpirës”, etj. Akuza që nuk i gjeje kollaj edhe në fjalorin e gjuhës shqipe.

Edhe para një muaji pothuaj këto vlonin nga çadra e Bashës, mu para zyrës së Ramës. Bile Lulzim Basha çirrej duke u thënë militantëve të PD se “do ta rrëzojë këtë kryekriminelë, këtë shef të drogës”,etj.

Natyrisht që ishim në kufijtë e anormalitetit qytetar dhe njerëzor me një sjellje të tillë. Akuzat janë normale në një shoqëri demokratike, por gjithnjë të bazuara në fakte dhe brenda etikës njerëzore. Pa e kaluar kufirin e masës së lejuar. Kur një shoqëri fillon e piqet edhe fyerjet, akuzat e mësipërme fillojnë me ngadalë e rrallohen, derisa arrihet në platforma, programe, debate televizive para votuesve, në mënyrë që votuesit të shikojnë alternativat dhe të vendosin se kujt do ia japin votën.

Në rastin e dyshes Basha-Rama akuzat e mësipërme ndaluan menjëherë, kaluan në barsoleta, hidh e prit me humor ndaj njeri-tjetrit, aq sa njeriu thotë a ishin të dy këta që sa nuk do vrisnin tjetrin po ti dilte para tjetrit në bulevard!? Është bërë mirë që u harruan këto mënyra sulmi 27 vjeçar, por kur kjo ndodh me një befasi të rrufeshme, diçka ka ndodhur që nuk e di publiku. Pazar është natyrisht. Por votuesit duhet të dinë se si u bë dhe çfarë parashikon në të vërtetë kjo dashuri e re. E pa imagjinueshme se si Edi Rama deklaroi të premten në Pogradec se “Berisha është më i miri nga pala tjetër” apo se “Luli është djalë i edukuar dhe tani që u bëmë miq mbetet i shkëlqyer”. Ose “nëse nuk më votoni mua, votoni Lulin”.

Ç’paturpësi!

Kjo është të tallesh me njerëzit e thjeshtë. Së pari, Rama dhe Basha duhej të kërkonin falje publikut për gjuhen e përdorur në këto vite, e sidomos në tre muajt e fundit duke tensionuar jetën e qytetarëve dhe tani pas asnjë ndjesë, pajtohen për interesat e tyre personale. Pajtimin dhe mirëkuptimin mes klasës politike të gjithë e duam. Nuk do njeri sherr. Por ndërkohë që ke bërë namin nëpër çadër apo në rrethet e vendit kundër “kriminelit vrasës e gjakpirës”, papritur ai del i mirë, njerëzor etj, atëherë e pakta klasa politike jep dorëheqjen dhe ia kalon stafetën klasës së re, e cila ka tjetër kulturë debati e opozitë ndaj së keqes.

Mbetet e padiskutueshme se të dy, Basha dhe Rama, pas dashurisë komunikojnë me SMS e tel duke u tallur me ironi për popullin e thjeshtë, se si po e xhirojmë prapë, pas 27 viteve. Ka informacione brenda stafëve të tyre që thonë se si tallen me votuesit se si janë kaq miopë apo edhe me ironi thonë se “ua futëm”.

Një veprim pa transparencë publike, një tërheqje nga llogore momentale për të ngrënë “tepsinë” e radhës me njeri-tjetrin, tepsi që populli e mban në kurriz kurse këta të dy, dhe të tjerë, hanë duke u shkrirë gazit.

Ç’ironi e madhe kjo e dashurisë se tyre!

Nuk është dashuri dhe normalitet që vjen nga kultura politike, nga dëshira për një shoqëri të re demokratike, apo nga pendesa. Është krejtësisht një dashuri-flirt ku me pas kur të mbarojnë punë nga flirti do hidhen prapë me “ky krimineli vrasës”, etj.

Pra tallje me popullin. Por kur populli duartroket, edhe kur këta bëjnë ironi e tallje mbi shpinën e tij, mbetet të themi se “çdo popull meriton qeverinë që ka”.

 Qamil Xhani

 

SHKARKO APP