Kanë  nisur hetimet se cila klinike private beri operacionin plastik te Arben Frrokut ne Tirane dhe qe nderroi pamjen fizike duke humbur gjurmet.

Dokumenti sekret: Si u arratis Arben Frroku katër ditë para dënimit, pasi bëri operacion plastik (shkrim i para katër muajve)

arben-frroku2

Më 22 janar, tesheshi.com do publikonte këtë shkrim, i cili i kushtohej mënyrës së si ia mbathi Arben Frroku nga Shqipëria, për t’u riprangosur sërish këtë fundprill; megjithëse opozita ka një tjetër version, atë të arrestimit që me 6 mars.

Arratisja e tij qe aq e bujshme, sa e vendosi sërish qeverinë “Rama”  nën akuzë, pasi bëhej fjalë për një ikje aq të mirëorganizuar në mafiozitetin e vet, sa që dukej e pamundur mos kishte një gisht të vockël dhe vetë shteti, qoftë dhe padashje.   

Ja dhe shkrimi i katër muajve më parë:       

Një raport sekret është dorëzuar tek kancelaritë europiane, i cili bën fjalë për implikimin e mundshëm të strukturave të shtetit shqiptar në arratisjen e Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku i cili u dënua nga gjykata me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, oficer i njohur policie.

Një dokument i rezervuar që është hartuar nga agjencitë ligjzbatuese thekson se ka pasur struktura policie që nuk kanë raportuar për një lëvizje të dyshimtë, ku besohet se Arben Frroku është larguar nga kufiri me Malin e Zi, i pajisur me dokument të falsifikuar dhe pasi ka kryer një operacion plastik.

Largimi i mundshëm i Frrokut pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, që e cilësoi të pafajshëm, është sinjalizuar nga disa raporte policore por edhe nga agjencitë partnere.

Madje ka pasur edhe komunikime të brendshme me strukturat përkatëse; dhe mësohet se një grup i posaçëm e vëzhgonte biznesmenin nga Puka i cili vepronte në Tiranë.

Raporti thekson se Arben Frroku nuk është larguar për një kohë të gjatë nga kompania e tij, në një lagje periferike të Tiranës.

Këtë e thonë oficerët që janë marrë me vëzhgimin permanent të të dënuarit, i cili në fakt ishte i pafajshëm pas vendimit të shpallur nga gjyqtari Dritan Halluni, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Tiranës.

Vendimi i kësaj gjykata është marrë më 3 prill të vitit 2015, ndërkohë Arben Frroku deri më 28 qershor nuk ka lëvizur fare në një perimetër të caktuar në kryeqytet.

Sipas raportit të rezervuar, gjithçka ka ndodhur 4 ose 5 ditë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit.

Dhe grupit të vëzhgimit, për të cilin kishte dijeni dhe vetë Frroku, ky i fundit i ka shpëtuar, duke u shtruar në një klinikë të njohur private në vend për një ndërhyrje kirurgjikale.

Pikërisht, këtu besohet se është bërë maskimi dhe largimi, i njëjtë me atë të Bernardo Provenzano-s, bosit të Cosa Nostra-s nga një klinikë franceze.

Frroku është larguar me autoambulancë nga klinika direkt në banesën e tij. Dhe prej atje besohet se ka dalë me pamjen e re dhe i pajisur me dokumente të falsifikuara nga një vend i rajonit.

Siç mësohet, këtu ka ndodhur hutimi i grupit të vëzhgimit, i cili megjithatë në raportin e tij ka përshkruar me detaje shtrimin në klinikë, por edhe daljen me autoambulancë i padalluar nga strukturat.

Nga ana tjetër, të gjithë njerëzve që kanë hyrë në banesën e Frrokut, u janë regjistruar edhe targat e makinës.

Një makinë me targa bullgare ka hyrë në objekt dhe ky mësohet se ka qenë çelësi i arratisjes.

Në raportin policor është regjistruar se në makinë kanë qenë dy persona, të përshkruar me një veshje kazuale dhe mosha e tyre është përshkruar si 35-34 vjeç. Ndërkaq edhe në dalje kanë dalë të njëjtët persona me të njëjtin përshkrim.

Raporti thekson se pikërisht kjo makinë ka transportuar Frrokun deri në Elbasan, ku siç mësohet personat kanë qëndruar gjithë natën, e më pas janë nisur për në Qafë-Thanë.

Nga hoteli sërish kanë dalë dy persona, por aty është bërë ndërrimi.

Dyshimet se për këtë nuk ka raport vëzhgimi, është që në hotel ka qenë një person tjetër që ka pritur pasagjerët e makinës me targa bullgare, e më pas në mëngjes, kur oficerët kanë shoqëruar për vëzhgim makinën drejt Qafë Thanës, Arben Frroku i maskuar është larguar drejt Tiranës me taksi dhe menjëherë prej aty është ngjitur për në veri, ku me të njëjtën taksi ka kaluar kufirin Shqipëri- Mal i Zi, me një pasaportë tjetër.

Si taksia ashtu edhe numri i dokumentit të identifikimit, janë regjistruar bashkë me regjistrimet filmike që xhirojnë non-stop në pikën kufitare.

Mësohet se është marrë në pyetje taksisti, i cili ka deponuar se nuk e dinte gjë kush ishte klienti, si dhe ka raportuar se e ka shoqëruar pasagjerin deri në kryeqytetin malazez, Podgoricë, e më pas është kthyer.

Organet e specializuese, në bazë të dokumentit që zotëronte Frroku, por edhe pamjes së filmuar nga kamerat, kanë nisur gjuetinë edhe nëpërmjet Inteprolit, por gjithçka po mbahet sekret dhe për këtë ka edhe bashkëpunim me agjencitë partnere.

Deri tani mësohet se Frroku është ende në Europë dhe nuk e ka kaluar kontinentin për të ikur në Kubë, siç e ka denoncuar opozita.

Të paktën me numrin dhe dokumentin që ka kaluar kufirin me Malin e Zi. /tesheshi.com/