Çlirim Gjata: Donald Lu po vepron si Berisha me Kushtetutën e vitit ’94
Edhe juristët janë të përfshirë ashtu si edhe politikanët dhe ndërkombëtarët në çështjen më të rëndësishme në vend, atë të reformës në Drejtësi. Çlirim Gjata dhe Arjan Vasjari kanë opinione të kundërta për garancinë që jep reforma, për rolin e ambasadorit amerikan dhe cilado të isha zgjidhja më e mirë.
Nëse do të ishit deputet, në 21 korrik si do të votonit?
Vasjari: Do të votoja reformën, padyshim do ta votoja.
Gjata: Zoti na ruajt që nuk jam deputet e zoti na ruajt të jem ndonjëherë deputet i këtij Parlamenti.
Çlirim Gjata është kaq i ashpër, sepse e sheh politikën si shkaktaren e drejtësisë së korruptuar dhe mbron tezën e rishikimit tërësor të Kushtetutës.
Gjata: Duhet shëruar shkaku i sëmundjes, jo pasoja. Ne po mundohemi të shërojmë pasojën, por shkaku mbetet i njëjtë. Prapë do të kthehemi aty ku jemi.
Por Arjan Vasjari, që beson tek kjo reforme, sugjeron një formulë kompromisi vetëm për organet e vetingut. Duke nisur me Avokatin e Popullit.
Vasjari: Pra nëse do te kemi një avokat populli që i përket opozitës, i cili ka në dorë të gjithë sistemin e depozitimit, filtrimit, verifikimit të CV të kandidatëve, duke shtuar edhe formulën e votës së vetme të transferueshme, opozita në respekt të rekomandimit 88, ndikon në procesin e zgjedhjes.
Në çdo rast, Çlirim Gjata është kritik ndaj veprimeve te njëanshme, përfshirë edhe botimin paraprak të Kushtetutës nga ambasada amerikane, është kundërproduktive. Njësoj si fushata e referendumit kushtetues te presidentit Berisha ne 94-ën.
Gjata: Njësoj siç u botua kjo, u botua edhe atëherë. E patë botuar zoti Berisha në atë kohë dhe u shpërnda nëpër Shqipëri. Mirëpo ra me referendum. Botimin e pare të Kushtetutës së ’98-ës e kam në shtëpi. Shkruan “Këtu fillon e ardhmja”. Shikoni pak pas 17 vjetësh sa e ndritur duket. Pra nuk është çështja tek botimi, por që palët të bien dakord.
Megjithatë Arjan Vasjari nuk sheh asgjë që nuk shkon në qëndrimet dhe veprimet e ambasadorit amerikan, pro miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, përfshirë edhe thirrjet për votim individual nga deputetët.
Vasjari: Këtu nuk ka asgjë anormale, asgjë kundër opozitës. Unë besoj që çdo ambasador që është investuar kaq shumë për një reformë kaq esenciale për demokracinë shqiptare do ta bënte një gjë të tillë./ TCH