Ç’po ndodh me motin? Plazh në mes të nëntorit!
Stinët sikur e kanë humbur normalitetin. Nëntori vazhdon me temperatura që arrijnë deri në 22 gradë, ndërsa në pik deri edhe 25 gradë. Një anormalitet total. Sipas metereologëve edhe për afro 10 ditë nuk ka reshje. Temperaturat rreth 20 gradë do sillen, kur për afro dy javë hyjmë dimër.
Edhe fundjava ishte ngrohtë. Një pranverë e vërtetë në prag të dimrit. Kjo e dielë nëntori ka ofruar temperatura të larta në bregdet, duke u kthyer në një ftesë të hapur për të shfrytëzuar orët plot diell e jod buzë detit Adriatik. Një panoramë plot gjallëri që lë pas çdo krahasim me nëntorët e lagësht të viteve të shkuara.
Të gjitha grupmoshat i gjen në plazh. Më të kënaqur janë prindërit, pasi moti u ka dhënë mundësi fëmijëve për argëtim të shëndetshëm, larg qëndrimit para ekranëve të celularëve dhe internetit dhe pranë natyrës. Në krejt bregdetin kishte njerëz që bënin plazh. Edhe të moshave të vjetra, i gjeje në bregdet apo edhe në ujë.