DASH: Do ketë sulme,kujdes gjatë ditëve të Kampionatit Europian të Futbollit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan të gjithë shtetasit amerikanë, të cilët planifikojnë të udhëtojnë drejt Evropës për Kampionatin Evropian të futbollit apo ngjarje të tjera, që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun ndaj sulmeve terroriste.

Paralajmërimi i dhënë nga Departamenti amerikan i Shtetit thotë se ka një rrezik për sulme të mundshme terroriste në të gjithë Evropën, ku në qendër të tyre janë evenimentet e mëdha, zonat turistike, restorantet, qendrat tregtare dhe sistemet e transportit.

“Numri i madh i turistëve që vizitojnë Evropën gjatë muajve të verës përbën një shënjestër edhe më të madhe për terroristët që planifikojnë sulme në zona publike, veçanërisht në evenimente të mëdha”, thuhej në njoftim.

”Ka informacione të besueshme që grupe terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në Evropë. Qeveritë evropiane po ndërmarrin masa ruajtjeje ndaj sulmeve terroriste, por të gjitha vendet evropiane mbeten potencialisht shënjestër e këtyre sulmeve prej organizatave terroriste”, njofton Departamenti amerikan i Shtetit.

Megjithatë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se nuk ishte në dijeni të një “kërcënimi specifik të besueshëm kundrejt ndonjë evenimenti apo në vendi të caktuar në Evropë”.

”Paralajmërimi është lëshuar në bazë të grumbullimit të informacionit”, tha ai, duke shtuar se “ajo që dimë është se terroristët vazhdojnë të jenë të interesuar për të kryer sulme kundrejt shënjestrave perëndimore dhe në veçanti ndaj amerikanëve në Evropë”.

Në njoftim përmenden Kampionati Evropian i futbollit, i cili zhvillohet në Francë nga data 10 qershor deri më 10 korrik, Turi i Francës përgjatë 2-24 korrikut dhe Dita Botërore e të Rinjve të Kishës Katolike, eveniment i cili pritet të tërheqë në Krakov 2,5 milionë vizitorë në datat 26-31 korrik.

SHKARKO APP