Debatet për takimin e Blushit. Socialistët e Korçës: Balla gënjen
Pavarësisht se ishte i angazhuar në takimin e kryeministrit, Edi Rama në Korçë, deputeti socialist i Librazhit, Taulant Balla dje e ka patur vëmendjen tek takimi që zhvillonte në të njëjtën kohë po në Korçë, deputeti kritik i PS-së, Ben Blushi.
Me anë të një postimi në “Facebook” Balla duke komentuar takimin e Blushit pretendoi se kolegu i tij foli me gjuhën e kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Ja pse unë kam të drejtë kur them që kolegu ynë Ben Blushi po flet me gjuhën e SHQUP-it. Blushi sot në Korçë: Sa më të mëdha dështimet e korrupsioni, aq më shumë çirret Rama. Basha sot në Facebook: Sa më të mëdha dështimet e korrupsioni, sa më thellë shkon varfëria e papunësia, aq më shumë çirret propaganda e Ramës”, – shkruan Balla.
Por ndërkohë burime brenda strukturave lokale të PS-së në Korçë që morën pjesë në takimin e Blushit i cilësuan si mashtrime dhe të pavërteta pretendimet e Ballës.
Sipas tyre Blushi në asnjë moment të bashkëbisedimit me mbështetësit e tij në Korçë nuk e ka thënë fjalinë që i atribuon Balla. “I gjithë bashkëbisedimi i Blushit është i regjistruar dhe i zbardhur nga mediat e pranishme dhe lehtësisht mund të verifikohet mashtrimi publik i Ballës. Blushi në asnjë moment nuk ka thënë një fjali të tillë dhe mediat lehtësisht mund ta konstatojnë këtë”, – janë shprehur burime nga strukturat lokale të PS-së së Korçës që morën pjesë në takimin e Blushit. (Balkanweb)
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=comDvk1xTyY” width=”560″ height=”315″]
http://www.kohajone.com/2016/02/19/taulant-balla-ben-blushi-flet-me-gjuhen-e-shqup-it/