Kandidati për rektor Mynir Koni merret në pyetje në polici për Shullazin

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynir Koni, i cili kandidon për postin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, është marrë në pyetje nga policia e Tiranës.

Ai u thirr në mbrëmje në lidhje me kërcënimin që i është bërë për t’u tërhequr nga gara. Ish –Kryeministri Sali Berisha tha se Koni ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi. Në polici mësohet se dekani ka pranuar se ka marrë një kërcënim, por pa mundur të identifikojë autorin. Ai ka sqaruar se një person i është afruar me një makinë teksa po ecte në sheshin “Nënë Tereza” dhe i ka kërkuar të hiqet nga gara.

I ka thënë se në të kundërt do t’i merrej djali peng. Por Koni nuk ka mundur ta vërë gishtin mbi Emiljano Shullazin, pasi ka thënë se nuk e mban mend personin, për shkak se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

Akuzat e p0licise per Shullazin:

Policia e Tiranës ka dhënë detaje mbi ndalimin e Emiljano Shullazit dhe dy miqve të tij dhe për veprat penale për të cilat ata akuzohen. Sipas policisë, mbrëmë u ekzekutua urdhëri i ndalimit i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për ndalimin e tre shtetasve për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, ndaj shtetasit A. Z., me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë.

Rreth orës 01.30 pas mesnate është firmosur ndalimi i:

• Emiljano Shullazi, 38 vjeç, banues në Tiranë.

• Gilmando  Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë.

• Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë.

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë në kohë dhe qytete të ndryshme, kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmen të ndryshëm.

Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, për tre shtetasit e sipërpërmendur, ka rregjistruar një sërë proçedimesh penale për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e amëve luftarake dhe e municionit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga Nenet 109/b, 152, 278/4, 283/a dhe 333/a Kodit Penal.

SHKARKO APP