Deklarata e dytë e Gjermanisë: Dorëheqja e Ramës dhe shtyrja e zgjedhjeve nuk janë tabu
Për herë të parë autoritete të rëndësishme të politikes gjermane nuk përjashtojnë si mundësi për zgjidhjen e krizës dhe pjesë të dialogut dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Detajet për qëndrimin e drejtuesve të partive kryesore gjermane, ku flitet dhe për dorëheqjen e Ramës si pjesë e zgjidhjes, i ka dhënë gazetarja e Deutsche Welle, Anila Shuka, në një intervistë për Top Channel.
Në një deklaratë të përbashkët për Deutsche Welle-n, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, e kanë përsëritur kërkesën e tyre për dialog pa kushte ndaj qeverisë dhe opozitës, por kanë sugjeruar edhe si opsion shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Korrespondentja e Deutsche Welles në Berlin, Anila Shuka, tha për Top Channel se kishte kontaktuar sërisht sot dy deputetët, të cilët i kanë dhënë një deklaratë, duke përsëritur shtyrjen e zgjedhjeve dhe uljen e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës në dialog pa kushte,.
“Ishte hera e dytë brenda 10 ditësh që të njëjtët deputetë kanë bërë të njëjtën kërkesë, dialog pa kushte. Por kanë shtuar edhe dy detaje, është thënë se nuk mund të ketë tabu. Këtu hyn si shtyrja e datës së zgjedhjeve, siç thuhet në deklaratë, por ashtu edhe dorëheqja e kryeministrit, siç dëgjova sot nga qarqet e Unionit kristian-demokrat dhe kristian-social. Këto as nuk duhen vënë si parakushte për të hyrë në dialog, por as nuk duhen përjashtuar si opsione. Mesazhi që vjen nga 2 deputetët gjermanë është i qartë, se: Ata nuk do të jenë të gatshëm ta pranojnë zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e opozitës, por edhe pa u zgjidhur kriza politike në Shqipëri të japin ‘OK’ e tyre për çeljen e negociatave”, u shpreh korrespondentja e Deutsche Welles në Berlin, Anila Shuka.
*******
Top Channel: Anila, ti pate dje edhe një intervistë me ndërmjetësin e njohur gjerman Schwarz Schilling, një njohës i Shqipërisë, dhe që ka ndërmjetësuar edhe në vitin 2010 mes Ramës dhe Berishës. Çfarë sugjeron ai për zgjidhjen e krizës në Shqipëri?
Anila Shuka: Schilling është një shpirt i lirë dhe i thotë gjërat siç i mendon. Ai mendon se ndërmjetësimi do të ketë sukses vetëm nëse të dyja palët kanë dëshirë që të pajtohen. Sipas tij, ai ka përshtypjen se opozita nuk ka dëshirë që të pajtohet, por thjesht po përpiqet që të rrëzojë qeverinë. Ai kritikon Bashën dhe ish-kryeministrin Berisha, me parrullat që përdorin ata. Siç i quan ai, revolucionare. Pa dashur të komentoj, ky perceptim që ka ky njohës i Ballkanit, përkon me perceptimin që kanë shumë përfaqësues të qeverisë gjermane. Ata e shohin qeverinë shqiptare në kontekstin rajonal, e në krahasim me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ata e vlerësojnë Ramën dhe qeverinë e tij.
Top Channel: A mund ta ndryshonte rezultati i zgjedhjeve evropiane, qëndrimin e Gjermanisë ndaj Shqipërisë sa i përket çeljes së negociatave?
Anila Shuka: Nëse do t’u besojmë anketimeve të deritanishme pritet që mazhoranca gjermane të pësojë humbje të mëdha. Spekulohet se në rast të një humbje shumë të thellë të Socialdemokratëve, mund të dalin nga koalicioni dhe Gjermania të përballet nga zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat pritet të zhvillohen në tetor. Ky është skenari më i mundshëm, por kjo nuk do të ketë asnjë efekt në votën e Parlamentit gjerman për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi data është caktuar dhe ajo është në shtator.