Dekreti i Sandër Lleshit, Përgjigja e Kryeministrit për Presidentin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shkresës së presidentit Ilir Meta me 14 pyetje drejtuar ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka për propozimin e Gjeneral Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm.

Në rrjetin social Twitter, kreu i qeverisë ka publikuar shkresën e tij me dy faqe, lidhur me pyetjet e kreut të shtetit për emrin e Lleshit.

“Duke qenë se Presidenti ka publikuar shkresën me pyetjen e tij të ndarë në plot 14 pyetje, ja edhe shkresa ime lidhur me pyetjen e Tij. Kjo ka bashkëlidhur një kërkesë të gjeneral Sandër Lleshit për Presidentin, e cila e shterron fare këtë vorbull të panevojshme. Lexim të mbarë”, shkruan Kryeministri.

Ndërkaq, më poshtë dhe letra e Kryeministrit Edi Rama me nr. Protokolli 5228/1 dhe që mban  datën 12 nëntor 2018.

Lënda: Një zgjidhje shteruese e problemit të ngritur nga Presidenti lidhur me dekretimin ministër i Brendshëm i z. Sandër Lleshaj.

ILIR META PRESIDENT I REPUBLIKËS

I nderuari zoti President i Republikës,

Pasi u njoha me shkresën Tuaj drejtuar ministres së Mbrojtjes, nuk Ju’a fsheh dot se u ndjeva i keqardhur, për faktin që nëse Ju do t’i kishit shtruar qysh në krye të herës, pyetjet që ajo shkresë përmban lidhur me statusin e gjeneral Sandër Lleshajt, me siguri s’do ta kishim përjetuar krisjen e “herës së parë”, në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm.

E them këtë, sepse jo vetëm Ju do të kishit marrë përgjigjen shteruese që jep, besoj unë, shkresa e ministres për Ju, po përtej çdo interpretimi të mundshëm pengues për dekretimin si ministër të statusit të gjeneral Lleshajt, pa diskutim do të kishim gjetur në rast interpretimesh të ndryshme, zgjidhjen e thjeshtë që po Ju prezantoj sot.

Bashkëngjitur Ju keni kërkesën e zëvendësministrit Sandër Lleshaj për ta ç’dekretuar si gjeneral aktiv, në rast se ndryshe nga ne që mendojmë se ky nuk është rasti, Ju mund të mendoni se statusi i tij aktual është ai i gjeneralit aktiv.

Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, ç’dekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por, siç na mëson eksperienca jonë, e Juaja dhe imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë; kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra Juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, Ju mund ta ç’dekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë).

Duke Ju falënderuar paraprakisht për angazhimin Tuaj në zgjidhjen e këtij ngërçi që siç thashë më lart mund të ishte evituar, si edhe duke Ju sqaruar, bazuar në shqetësimin e përcjellë tek unë përmes ministres së Mbrojtjes, se adresimi im si gjeneral kur i referohem ministrit të ri të Brendshëm, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt, pranoni zoti President shprehjen e konsideratës sime më të të lartë për institucionin Tuaj.

Kryeministri, Edi Rama

SHKARKO APP