Dekreti i Metës. Bashkitë i kërkojnë KQZ lirimin e ambienteve për zgjedhjet
Bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë kërkuar sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lirimin e ambienteve shtetërore, të marra me qera për zhvillimin e zgjedhjeve. Kërkesa e bashkive bazohet në zbatimin e ligjit për dekretin e Presidentit, i cili anuloi zgjedhjet e 30 qershorit.
Krerët e bashkive; Kukës, Mat, Skrapar, Delvinë, Gjirokastër, Dropull në letrat zyrtarë kërkojnë largimin e institucioneve që do të organizojnë zgjedhjet, si dhe heqjen e listave të emrave të zgjedhësve. Ambinetet publike si shkolla, kopshte, çerdhe etje përdoren nga KQZ si vendndodhje e komisioneve lokale të zgjedhjeve dhe qendrave të votimit. Qiratë e tyre paguhen nga buxheti i KQZ.
Duke u nisur nga klima aspak e favorshme për të mbajtur zgjedhje në datë 30 qershor, siç këmbëngul mazhoranca dhe kryetari i saj Edi Rama, duke mos njohur as dekretin e hyrë në fuqi tashmë për anulimin e tyre, kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu kërkon ndërprerjen e çdo aktiviteti në kuadër të këtyre zgjedhjeve në territorin e bashkisë që ai drejton. Përmes një letre drejtuar, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Prefektit të Qarkut, kryebashkiaku Shehu në zbatim të Dekretit të Presidentit, kërkon lirimin e të gjitha ambienteve të caktuara më herët për tu vënë në funksion të procesit zgjedhor tashmë të anuluar. Në letrën e tij, Shehu kërkon gjithashtu, heqjen e listës përfundimtare të zgjedhësve të publikuar dhe të afishuar në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare (çerdhe, kopshte, shkolla) në administrim dhe në pronësi të Bashkisë Kukës.
Një kërkesë të ngjashme për KQZ-në ka dorëzuar sot edhe Bashkia e Matit. Kreu i kësaj njësive vendore, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe dekretit të Presidentit i kërkon KQZ të heq materialet për zgjedhjet e 30 qershorit.
Pas Bashkisë së Matit dhe Kukësit një tjetër njësi vendore ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zbatimin e dekretit të Presidentit të Republikës. Bashkia e Skraparit i ka kërkuar Komisioni Qendror të Zgjedhjeve që të lirojë nga territori i kësaj bashkia ambientet e Komisionit Zonal Zgjedhor dhe afishet për zgjedhjet e 30 qershorit. Kërkesa e Bashkisë së Skraparit bazohet në dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor.
Ditën e sotme edhe Zamira Rami, kryetare e Bashkisë së Gjirokatrës, i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Brendshme, Prefektit të Qarkut, Kryeministrit dhe KQZ, ku i informon për largimin nga ambientet e bashkisë së materialeve zgjedhore.
Letra e Kryebashkiakut Bashkim Shehu
Letra e kreut të Bashkisë Mat, Nezir Rizvani
Letra e kreut të Bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu
Edhe kreu i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, ka kërkuar sot nga KQZ, Ministria e Brendshme që të marrin masa për zbatimin e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kërkesa drejtuar KQZ kërkon heqjen e institucioneve të administrimit të zgjedhjeve nga ambientet publike. Gjithashtu kërkohet edhe heqja e listës së zgjedhësve, e cila është afishuar në zonat kryesore të Bashkisë.
Rama kërcënon kryebashkiakët e opozitës: Do përgjigjeni
Bashkia minoritare e Dropullit i është bashkuar listës së njësive vendore që kërkojnë nga KQZ dhe institucionet e tjera zbatimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta. Alihea Deçka, drejtues i kësaj bashkie shprehet në një letër për KQZ, Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrin se në bazë të dekretit të Presidentit nuk ka zgjedhje me 30 qershor.
Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar me masa ligjore gjithë drejtuesit vendorë që, sipas tij, nuk zbatojnë ligjin për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. “Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”,- shkruan Rama në një postim në Facebook.
Bashkitë që drejtohen nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet kanë nisur mbylljen e zyrave të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Vendimi vjen pas dekreti të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili anuloi datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, krerët e këtyre bashkive kanë njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin e Prefektit, Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, për largimin e zyrave të komisioneve zgjedhore që organizojnë zgjedhjet.
Bashkitë që kanë nisur largimin e zyrave dhe listave të zgjedhësve janë; Kukës, Mat, Skrapar, Delvinë, Përrenjas, Dropull, Gjirokastër, Berat, Rrogozhinë, etj.